Lokaj e përfundon me 'Shape Of My Heart'

Kultura November 13, 2017 - 10:58

Ka shumë gjasë që muzikantin Art Lokaj ta keni dëgjuar kur performon live nëpër vende të ndryshme të Prishtinës, apo edhe diku tjetër.

Nëse po, ai duhet t'ju ketë mbetur në kujtesë për stilin e veçantë të muzikës që kultivon.

Këtë javë artisti i këngës “Heart” vjen në “Zëri” për t'u bërë pjesë e rubrikës “Rrëfej përmes muzikës”, duke na treguar kështu se cilat janë këngët që jashtë skenës e kanë ndërtuar dhe influencuar si muzikant. Guns N’Roses, Eminem, The Rolling Stones, Amy Winehouse e Michael Jakson, janë vetëm disa nga ta.

Guns N’Roses – Welcome To The Jungle

Ndoshta i kam pasur diku tri ose katër vjet kur e kam  dëgjuar intron e kësaj kënge. Prej atij momenti kitara është bërë instrumenti që e dua më së shumti!

The Rolling Stones - Sympathy For The Devils

Sa i përket bendeve, mendoj që Stonsat janë shembull sa i përket punës si grup edhe origjinalitetit që e kanë ruajtur prej fillimit deri sot. Të funksionojë një bend me anëtarët e njëjtë për 50 vite edhe të vazhdojë të performojë për mua është diçka tepër e vështirë për t'u realizuar, po me siguri edhe ndjenjë që nuk thuhet me fjalë.

Eminem - Cleaning Out My Closet

Kjo këngë është pjesë e kësaj liste, sepse unë jam rritur me Eminemin! Fajin e ka vëllai, që e ka dëgjuar shumë dhe normalisht që edhe unë jam influencuar prej këngëve që më ka ra t’i dëgjoj shpesh.

Genesis - I Can’t Dance

Në momentin e parë që e dëgjoj diku më kalojnë para syve shumë momente të bukura të fëmijërisë. Muzika shumë shpesh më ka shëtitur në kohë e vende që janë diku larg prej përditshmërisë time dhe kjo melodi është njëra prej atyre momenteve.

Hafsa Zyberi – Si m’ke sytë

Me kalimin e kohës muzika për mua ka ardhur duke e rrit territorin e vet. Nëse para dhjetë viteve kam bë dallime të tipit “Këtë muzikë e dëgjoj” ose “Kjo muzikë s’bën hiç”, tash nuk më bën përshtypje zhanri apo gjuha. Nëse një këngë është e shkruar edhe e performuar me zemër edhe emocion, nuk ka shanse të mos më bëjë edhe mua të ndjej diçka jo të zakonshme. E Hafsa Zyberi me këndimin në këtë këngë ma rikujton këtë fakt, që muzika që buron nga shpirti arrin të prek edhe shpirtin tonë.

Action Bronson - Baby Blue

Diçka që shpesh më bën përshtypje është aftësia e disa këngëtarëve /performuesve të jenë vetvetja. Më fjalët e notat që tingëllojnë, që po i përjetojnë ato që po i tregojnë edhe ngjarjet e mendimet janë shumë reale. E kështu diku mes New Yorkut e kemi një djalë që mua më pëlqen se e ka këtë veti që me çdo këngë të jetë vetvetja edhe historinë e vet ta tregojë në mënyrën e vet.

Michael Jackson - Man In The Mirror

Në këtë këngë i gjejmë fjalët që na prekin, sepse tregojnë persona e situata që shpesh i përjetojmë edhe ndihemi të pafuqishëm t’i ndihmojmë. Po ndoshta ndryshimi nuk vjen gjithmonë prej dikujt apo prej ndonjë force ma të madhe se ne, por prej secilit prej nesh. Kështu që për të mirat që i presim të ndodhin duhet edhe ne të kontribuojmë në formën që kemi mundësi.

Amy Winehouse - Back To Black

Amy mbetet një prej artisteve që më ka pëlqyer edhe më ka inspiruar më së shumti. Dashuria edhe dhimbja që e përcjell përmes muzikës janë shumë të pastra edhe të sinqerta në muzikën e saj. Nuk ka ditë që më kalon pa e dëgjuar.

Sting - Shape Of My Heart

Ka shumë raste kur në fund të performancave vendosi ta këndojë edhe një këngë. Zakonisht kjo këngë është ajo që e këndoj me shumë dashuri edhe kurrë nuk më bëhet bajat. Normalisht që e ka vendin te dhjetë këngët e mia të preferura.

Dulce Pontes - Cancao Do Mar

Nëse nuk jam gabim, kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet prej kur një shoqe ma ka treguar këtë këngë. Herën e parë e dëgjova veç sa për mos me ja prish qejfin e mandej pas një kohe nuk kam mund të ndalem duke e dëgjuar. Tekstin nuk e kuptoj, as nuk kam dashtë ta përkthej që ta mësoj, por kënga i ka disa momente që ma kujtojnë pse e dua muzikën. /ZËRI/