Ushtroj dhe mësoj veten çdo ditë

Kultura November 11, 2017 - 12:26

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë shkrimtarin dhe studiuesin e letërsisë, Adil Ollurin nga Prishtina.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

T’i bësh pyetje vetes nuk është ndonjë zotësi. Secili njeri i rëndomtë është e këshillueshme ta pyes veten se ç’po bën dhe a është duke e bërë të duhurën.

Shpeshherë kam dilema në jam duke e bërë të duhurën. Një gjë e tillë më shqetëson vazhdimisht. Jo rrallëherë ndihem i pasigurt në mundësitë e mia për ta bërë atë që do të dëshiroja. Jo rrallëherë më humb besimi se mund ta bëj atë që mendoj se kërkohet prej meje.

Është njëlloj ankthi im si shkrimtar proze, që më përcjellë në secilin krijim. Megjithëse, një gjë e tillë më ka bërë që të shkruaj vazhdimisht, për ta ushtruar dhe për ta mësuar veten çdo ditë. Një gjë e tillë më ka bërë që t’i shkruaj e t’i fshij me qindra faqe prozë.

Kjo sprovë e ka vetëm një qëllim: Ta nxjerrë atë që e konsideroj si më të mirën që mund ta bëj. Menjëherë pas botimit të një krijimi artistik, më kaplon i njëjti ankth, e njëjta pasiguri, dhe ia shtroj vetes pyetjen: A e kam bërë të duhurën?

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Do të kisha dashur t’ju flisja për një udhëtim të pazakonshëm brenda një dite, meqë udhëtime të tilla të zakonshme, sikurse i imi, mund të bëjë secili. Rutina ime nuk është se dallon shumë nga e një të punësuari në një institucion publik kosovar, që vonohet për pesëmbëdhjetë minuta në punë, që pi kafenë e mëngjesit me kolegët e tij, etj, etj. Kafja e mëngjesit, pa dyshim pjesa më e këndshme e rutinës ditore, që është shndërruar në një ritual të çdoditshëm, pa kryerjen e së cilit nuk është e “këshillueshme” t’ia nisesh punës. Zakonisht, shkrimtarët në procesin e shkrimit provojnë t’i japin ngjyrë ditës së tyre, por përtej këtij procesi, udhëtimi im brenda një dite është tejet i zakonshëm.

Andaj, për t’i ikur përditshmërisë, që të dërrmon me ashpërsinë e saj, hyj në botën time të imagjinatës dhe “udhëtoj” së bashku me personazhet e mi, që ju kam bërë “konak” në tregimet e mia të reja. Nuk është aspak lehtë të udhëtosh me ta. Janë tejet të padëgjueshëm.

Thënë shkurtë, e kam shumë vështirë t’i bëj zap. Më torturojnë sa herë që ju jepet mundësia. Si i durueshëm që jam, zakonisht i shfajësoi ata. Janë ende të “vegjël” dhe nuk bën t’jua shohësh për të madhe. Sapo t’i bind apo të më bindin, do t’i lejojë që të dalin jashtë, ta luajnë pa mua “lojën e tyre” dhe ta “torturojnë” secilin lexues që mund ta “takojnë.”

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Mund t’ju them me plotë bindje, se në vitrinën e kujtesës time nuk qëndron më dukshëm vetëm një libër. Do të isha frikësuar nëse do të qëndronte vetëm një.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale?

Kriza morale dhe identitare është problemi më i madh i vendeve që kanë dalë nga diktaturat moniste dhe nga robëritë e formave të ndryshme. Nuk ke se si të jesh i kënaqur me atë që është duke ndodhur në Kosovë. Aq më pak mund të jesh i kënaqur me një vend, në të cilin dija më nuk është vlerë. Thjesht, aty ka krizë të thellë morale.

Në shoqërinë e sotme kosovare, hoxha dhe prifti kanë më shumë autoritet se sa një shkrimtar, një profesor universiteti a një akademik. Kjo tregon për një defekt të madh në dinjitetin tonë intelektual.

Është e rëndë ta pohosh se sot të qenit shkrimtar, studiues, profesor universiteti a akademik, nuk përbën më autoritet social dhe moral në vetvete. Thjesht, janë funksione të degraduara. Andaj, a nuk është kjo krizë e thellë e moralit dhe identitetit tonë shoqëror? Ndaj, bindjen se janë të degraduara për dy arsye. Së pari, është politika e uzurpuar nga mediokrit, që e ka luftuar dhe po e lufton pamëshirshëm çdo vlerë intelektuale në vendin tonë. Së dyti, janë vetë të apostrofuarit e mësipërm që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë degradim.

Shumë vetë prej “aradheve tona intelektuale”, për qëllime të përfitimit material, janë bërë pjesë e politikës, dhe fatkeqësisht shumë prej tyre kanë kontribuar më shumë se secili bandit origjinar i politikës në degradimin e sivëllezërve të tyre të profesionit. Shumë vetë prej “aradheve tona intelektuale” e kanë ulur përtokë kriterin e vlerësimit të dijes, sa që sot nuk mund të dallosh në është më i dijshëm një student i vitit të parë apo një i diplomuar, një bachelor apo një master, për të mos shkuar më tutje.

Universitetet tona i bëjnë me master njerëz që kanë bindjen se mendimi i një prezantuesi lajmesh është po aq i vlershëm, madje edhe më shumë, se sa mendimi i profesorit të tyre.

Në çastin kur një i ri, i bërë me master, mendon se prezantuesi (që nuk ka të bëjë aspak me fushën e studimit) mund të jap mendime më valide se sa profesori, m’u në atë çast kanë dështuar profesorët, ka dështuar katedra, ka dështuar fakulteti, natyrisht edhe universiteti. Andaj, a nuk ju duket kjo krizë e dijes, krizë e thellë morale, krizë e dinjitetit tonë intelektual?

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Sot kemi një zhvillim të përçudnuar të kulturës shqipe në Kosovë. Krijuesit e saj të mirë nuk i vlerësojmë sa do të duhej. “Vrapuesit” ua kanë zënë vendet në panteonin, ku ata do të duhej të ishin. Padyshim, që pjesë e fajit për mos vlerësimin e krijuesve tanë të mirë, është edhe gjenerata ime letrare, meqë duke mos i njohur thellësisht, shpeshherë edhe i kemi paragjykuar. Shpresoj që me kalimin e kohës krijuesit e mirë do ta marrin atë që ju takon, ndërsa “mujsharët” e kulturës dhe artit do të mbesin pjesë e një rrëfimi jo të mirë të një kohe të kaluar.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Një poezi si “Vetëvrasësi” (H. L. Borhes) do të doja ta lexoja tërë ditën. Por, ja që poezia e ka fatin të jetë formëshkurtë dhe goditja e saj është e rrufeshme, për dallim prej prozës që mund të të mbajë me ditë të tëra në stuhinë e saj.

Për dallim prej romanit që të shëtiti në labirintet e tij, poezia vetëm të thotë “Ja, ky është labirinti, brenda të cilit duhet të udhëtosh vetë. Hyn po pate llambë me vete!”. Këtë ndjesi ma jep leximi i poezisë hispanike (poezia e Borhesit, Nerudës, Oktavio Pazit, Alehandra Pizarnikut, Ruben Darios, Nikonar Parros, Mario Benedetit etj), ndjesinë e labirintit të ndërtuara me shenja gjuhësore, pas së cilave fshihen kuptime e mesazhe të pafundme. Një këngë si “La Llorona” të Chavella Vargas do ta dëgjoja tërë ditën. Secilën herë i përjetoj njëjtë tingujt dhe melodinë e saj. Një pikturë si “Angelus novus” të Paul Klee-së mund ta shikoj tërë ditën. Imazhi i saj prodhon asociacione të pafundme mendimesh. Një film si “Goya’s ghost” të Milosh Formanit jam në gjendje ta përcjell sa herë që ai do të shfaqej. Është pak t’i thuash kryevepër një prodhimi të tillë kinematografik.