Kultura

Rekuiem për vdekjen shpërfillëse

Rekuiem për vdekjen shpërfillëse
09 nëntor 2017 • 16 : 54
Jozef Radi

U largua nga jeta shkrimtari Kasem Trebeshina, Profeti i Letrave Shqipe… Vdekja një ditë vjen për të gjithë. Askush s’ka mundur të kapërcejë atë. Asnjë kompromis, me të Mirën as me të Keqen, me Pushtetin as me Hyjin, s’ka ndihmuar askënd ta kapërcejë këtë akt përmbyllës të një rruge, gjatësia e së cilës na është e paracaktuar si fat i çdonjërit prej nesh.

Edhe Profeti i Letrave Shqipe, e priste ikjen e tij një ditë! Bile kishte mbërritur deri aty sa ta pranonte paqshëm bashkëjetesën me hijen e vdekjes. Kishte shkruar gjithë jetën libra, dhe s’kishte asnjë libër të botuar, pra kishte pranuar të jetuarit me vdekjen e veprave të veta, kishte pranuar burgjet e gjata, si pjesë të vdekura të jetës së tij, i kishte mbijetuar çmendinës si pjesë të rrënuar të jetës së tij, kishte pranuar heshtjen tinëzare të shtetit, si një vdekje e sofistikuar, ashtu siç kishte pranuar dënimet dhe vetmimet e pafundme të tij.

Dhe kështu e kish sfiduar veten dhe botën, duke vazhduar të shkruante e të shkruante pafund, deri sa mekja e dritës së syve u bë e plotë dhe ai u bë pjesë e botës së shkrimtarëve të verbër. Për mos ta dëgjuar atë llavë llumi që derdhej dhunshëm mbi figurën e tij, Ai shpërfilli si një shpërfillës i madh, duke u kthyer në kullën e vetmisë së tij, zhytur në muzikë klasike, duke u mumifikuar pak e nga pak me heshtje deri te dita e 6 nëntorit, që do të mbetet si dita e lamtumirës së tij, për gjithë ne mosmirënjohësit e vegjël, ne rrokanët e pathyeshëm të kësaj bote…

Dhe iku ashtu heroik, i pazhurmët, fisnik i pafjalë, kalorës i pa kalë, i gjallë i pakallur, i përfolur prej të pafytyrësh, i përçmuar prej të paçmuarish, i vdekur pavdeksie… Dhe iku nëpër vjeshtën e tretë i mbuluar me gjethe lisash dhe pllanga resh të përzishme; iku pa gjurma lavdie, pa hosanara hipokritesh, iku si dinë të ikin shpirtrat e mëdhenj: shpërfillës të patrazuar që e lexuan qartë kohën dhe bashkëkohësit e tyre, jo derdhën jo veç frymë kritike dhe shpirt qësendie, po dhanë edhe simbole qëndrese dhe modele përkushtimi… Vërtet ai jetoi me letërsinë dhe për letërsinë që krijoi, por mbeti ashtu i thjeshtë e i përkorë, idhnak dhe i paepur, si gjithë ata që të mirën dhe të keqen e tyre, vlerat apo defektet i japin ashtu të plota, të palatuara, të pa maska, të pa frikuara, e që dinë aq bukur të tallen si me veten e tyre edhe me botën… e unë nuk mund ta rri pa e përmendur të famshmen shprehje të tij se:

“Kur mbusha 25 vjet, u kujtova papritur, se kur isha 12 vjeç isha shumë më i mençëm!” pra ato 13 vite të rritjes së tij, kishin qenë krejt bashkëjetesa e tij e trazuar me komunizmin, e cila njëherësh po aq sa do ta rrënonte, po aq edhe do ta lartonte!! Profeti i Letrave shqipe, vdiq një të hënë në dhe të huaj. Ashtu skiftershëm fluturoi dhe erdhi e u varros aty pranë së shoqes, ikur një vit më parë, asaj gruaje të shenjtë që s’ia vrau kurrë në shpirt shkrimtarin, aty pranë së mbesës së tij të shtrenjtë që ia shkurtoi ditët e mbrame, e ndoshta ashtu bashkë do t’ia lexojë e do t’ia shkruajë poezitë e mbetura përgjysmë Gjyshit të saj të Shenjtë…

Ai nuk i vuri në vështirësi as miqtë, as shtetin, as njerëzit e hallakatur të letrave, as lexuesit dhe dashamirët e paktë… Iku sikur të mos kishte qenë kurrë, sikur të mos kish shkruar kurrë, sikur të mos kish rebeluar kurrë… iku si ndëshkimi më i madh i atyre që dinë ta lexojnë këtë shpërfillje… Tashti të gjithë jemi të lirë ta shpërfillim, ta përbuzim, ta fyejmë, ta shajmë, ta poshtërojmë, ta mallkojmë… bile edhe t’i gëzohemi edhe vdekjes së tij… vetëm me një kusht, që mbas të gjitha këtyre, ta lexojmë… pse vetëm kështu do të mund ta kuptojmë përmasën e mjerimit të mbetur brenda nesh… Sepse ne harrojmë, se vdekja një ditë, vjen për të gjithë.

© zëri.info