Kosova pranohet në SEE Cinema Network

Kultura November 09, 2017 - 14:23


Është mbajtur Asambleja e Përgjithshme e South Eastern Europe CINEMA NETWORK, ku tani e tutje përmes Qendrës Kinematografike të Kosovës edhe Kosovës iu hapën dyert që të jetë pjesë e këtij rrjeti. SEE Cinema Network e themeluar në vitin 2000, është rrjet i shteteve të Evropës Juglindore që synon zhvillimin e bashkëpunimit mes profesionistëve të filmit dhe shteteve anëtare të saj duke mbështetur zhvillimin e koproduksioneve ndërkombëtare dhe prodhimin e filmave të shkurtër, shkruan zeri.info.

Qëllimi kryesor i SEE është promovimi dhe zhvillimi i industrisë filmike
kombëtare të secilit vend pjesëmarrës për të forcuar bashkëpunimin dypalësh
dhe shumëpalësh me anëtarët e rrjetit.

Drejtori i QKK-së Arben Zharku, i cili ishte i pranishëm në Asamble dhe e mbrojti
aplikimin e Kosovës në këtë rrjet u shpreh: “Anëtarësimi në SEE përveç që krijon
mundësi të barabarta të projektet filmike kosovare me projektet e rajonit,
gjithashtu krijon lidhje të fuqishme mes filmbërësve tanë dhe atyre nga rajoni. Ky anëtarësim shumë i rëndësishëm për kinematografinë tonë është pikënisje e
anëtarësimeve me shpresën që Kosova t’i bashkëngjitet fondit evropian më të
madh të bashkëprodhimit – Eurimages. Gjithashtu falënderojmë të gjitha
vendet e rajonit për përkrahjen dhe krijimin e mundësive të reja për filmbërësit
kosovar”.

Me pranimin në SEE, projektet filmike kosovare do të kenë mundësinë të
aplikojnë për zhvillim të filmit të metrazhit të gjatë artistik dhe për
subvencionim të filmave të metrazhit të shkurtër, ndërsa në të ardhmen pritet që
SEE të përkrah edhe projekte filmike të metrazhit të gjatë.

Shtetet anëtare në SEE janë: Greqia, Serbia, Qipro, Rumania, Shqipëria,
Maqedonia, Bulgaria, Sllovenia, Kroacia dhe sot bashkë me Kosovën u anëtarësua
edhe Mali i Zi. Zëri