Ligji për të drejtat e autorit të funksionalizohet sa më parë

Kultura November 09, 2017 - 08:46

Përfaqësues të MKRS-së dhe të shoqatave të ndryshme, u mblodhën të mërkurën në Prishtinë, për të diskutuar për ngritjen e njohurive dhe funksionalizimin e sistemit të menaxhimit kolektiv të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta.

Në punëtorinë “Roli dhe rëndësia e Menaxhimit Kolektiv”, Valon Kashtanjeva, drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta tha se procesi i njohjes se të drejtave të autorit është një proces që ka qenë sfidues edhe për vendet e BE-së, por ky fakt nuk duhet të vazhdojë të shërbejë si arsyetim, shkruan "Zëri".

“E dimë që e drejta e autorit është një e drejtë ekskluzive. Kësisoj, para se të përdoret vepra e autorit, duhet të merret leja, apo autorizimi. Ligji i Kosovës për të drejtat e autorit i parasheh dy lloje të menaxhimit, atë individual edhe atë kolektiv. Kosova ka të licencuar dy shoqata për menaxhimin kolektiv, shoqatën ‘APIK’ për muzikë dhe ‘VAPIK’ për arte vizuale. Ajo që është me rendësi është se ende nuk kemi tarifa të përgjithshme të miratuara”, theksoi Kashtanjeva duke shtuar se pyetja se “Pse Kosova nuk ka tarifa të përgjithshme” është pyetje që po na shoqëron tash e sa kohë.

“Ky është një proces mjaft sfidues edhe në vendet e Bashkimit Evropian. Nuk është proces i lehtë, por kjo nuk duhet të shërbej si arsyetim. Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, është i vendosur që Kosova të ketë sa më parë tarifat e përgjithshme të miratuara”, tha ndër të tjera ai, duke theksuar se është shumë e rëndësishme që ky proces të përfundojë sa më parë.

Në anën tjetër edhe drejtori i shoqatës “APIK” dhe kompozitori i njohur, Florent Boshnjaku, theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjit për të drejta autoriale.

“Kanë kaluar 5 vite që kur jemi licencuar nga MKRS. Nuk është pritur ndonjë mrekulli të ndodh brenda natës. Ligji është dashur të andamentohet dhe të bëhet kompatibil me kërkesat e Bashkësisë Evropiane. Kështu kemi arritur të negociojmë me shfrytëzuesit e muzikës dhe faza e dytë përfshinë negociatat me ‘shfrytëzuesit e vegjël’ siç e quajmë ne, kur përfshihen lokalet dhe hotelet e ndryshme, mirëpo fillimisht ka qenë e pakuptimtë të kërkojmë pagesë prej një lokali që ka 10 metra katror deri sa një institucion i licencuar  nuk paguan. Ideja ka qenë që fillimisht të kemi marrëveshje me televizionet dhe radiot dhe pastaj faza e dytë të jetë marrëveshja me të tjerët”, tha Boshnjaku, duke shtuar se personalisht mendon se  ose duhet të kryhet ky proces, ose ekzistimi i organizatës nuk ka kuptim.

Boshnjaku tregoi se ata kanë qenë që mediumet të paguajnë për shfrytëzimin e muzikës një përqindje, bazuar në buxhetin e përgjithshëm të tyre, apo të shpenzimeve, por, sipas tij, kjo nuk është pritur mirë nga mediumet.

“Kemi kërkuar që për shembull një radio lokale ta paguaj 1.50 euro tarifën mujore për të drejtën e autorit. Kjo shumë është ofenduese e lerë më ta quajmë tarifë”, tregoi Boshnjaku.

Tutje kompozitori Boshnjaku tha se planifikohet që në janar të vitit 2018 të krijohet zyra ligjore dhe përmes saj shfrytëzuesve do t’i dërgohen faktuarat për tarifat të cilat bazohen në përqindjen që ata kanë kërkuar me afat për pagesë prej dy javë ditësh.

“Mendojmë që në këtë pikë nuk ka më hapësirë për negociata të mëtutjeshme mes neve dhe shfrytëzuesve, sepse kemi provuar disa herë dhe nuk kanë sjellë diçka konkrete, kështu që është momenti i ndërmjetësuesve të licencuar nga Qeveria  e Kosovës”, tha Boshnjaku.

Sipas tij gjendja e muzikës në Kosovë sot për sot nuk është e mirë për shkak se mungon kualiteti dhe festivalet muzikore të muzikës moderne. Është momenti i fundit që të bëhet diçka në këtë drejtim. /ZËRI/