Shoqëria civile mbron Ushtarin e Panjohur

Kultura November 07, 2017 - 08:34

Që prej vitit 1945 Ushtari i Panjohur është pikë referuese dhe simbol i qytetit të Gjilanit, por tash e disa ditë kjo shtatore është larguar nga qendra e qytetit dhe për këtë veprim pushteti lokal i Gjilanit nuk ka pyetur qytetarët, shkruan sot, gazeta Zeri.

Të pakënaqur me këtë veprim, gjilanasit kanë nisur një peticion me të cilin kërkojnë që shtatores që njihet me emrin Ushtari i panjohur, ndërsa në origjinal mbanë emrin Bartja e të Plagosurve, mos t’i ndërrohet lokacioni.

Banorët e qytetit lindor të Kosovës, në peticionin e tyre, theksojnë se janë mësuar ta identifikojnë qendrën e qytetit me këtë shtatore.

“Kjo shtatore ka kuptim të plotë vetëm në vendin ku ndodhet tani. Gjilanasit janë mësuar ta asocojnë qendrën e qytetit me këtë shtatore të punuar bukur. Nëse ndryshohet lokacioni kjo do të mbytë një objekt që i jep kuptim qendrës së qytetit tonë. Ruajtja dhe respektimi i monumenteve që sjellin emocione e që na bëjnë të konsiderojmë Gjilanin ‘shtëpi’ duhet të jenë prioritet i komunës sonë, andaj ndryshimi i lokacionit të shtatores duhet të ndalohet. Ne kërkojmë që për vendime të tilla shumë të rëndësishme të mbahen debate publike dhe të vendos zëri qytetar. Shtatore të tjera që nderojnë kontribuuesit e vendit tonë janë shumë të respektuara. Ato nuk duhet të vendosën në lokacione për të zëvendësuar shtatoret e mëparshme, por që të krijojnë një raport të ri e të veçantë me qytetarët”, shkruhet ndër të tjera në peticionin e tyre.

Edhe Zyra e Fondacionit për Trashëgimi Kulturore pa Kufij (CHwB) mbështet peticionin e qytetarëve të Gjilanit.

 “Na duhet më shumë histori, jo më pak! CHwB Kosova mbështet peticionin për ndalimin e zhvendosjes së shtatores Ushtari i Panjohur. Ju ftojmë ta nënshkruani!

Shtatorja Bartja e të plagosurve, apo Ushtari i Panjohur, siç e njohin qytetarët, është simbol i qytetit të Gjilanit që prej vitit 1945 dhe përveç vlerës artistike dhe historike ajo është bërë pjesë e kujtesës kolektive të qytetarëve të Gjilanit. E vendosur aty ku ishte më parë, kjo shtatore ishte pikë referimi dhe pjesë e rëndësishme e identitetit të qendrës së qytetit. Ftojmë komunën e Gjilanit që të konsideroj peticionin online dhe zërin qytetar për kthimin e shtatores në vendin e saj. Ta shpëtojmë këtë memorial i cili na flet për historinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e CHwB.

Me një letër të hapur kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, i është drejtuar edhe Iniciativa e Historisë Gojore, kolektivi hulumtues i së cilës ka shprehur shqetësimin rreth largimit të përmendores dedikuar Luftëtarëve të Rënë (1941-1945). Iniciativa e Historisë Gojore i ka kërkuar Hazirit ta rimendojë këtë vendim.

“Largimi i përmendores dedikuar Luftëtarëve të Rënë (1941-1945) në Gjilan, mesazhi i së cilës është lufta kundër fashizmit, përbën shqetësim për organizatën tonë. Si vendim, mund të kuptohet si tendencë e rishikimit të historisë dhe si ndërhyrje direkte në kujtesën kolektive. Përmendorja në origjinal mbanë emrin Bartja e të Plagosurve, ndërsa nga ana e qytetarëve të Gjilanit njihet si Ushtari i Panjohur, nuk ka asnjë dokument për një emërtim të tillë, dhe kjo na bën të kuptojmë që komuniteti gjithnjë ka pasur një qasje personale se si i është referuar përmendores. E vendosur në qendrën e qytetit të Gjilanit më 1964, e punuar nga betoni dhe konceptuar me idetë moderne të kohës, kjo përmendore jo vetëm ka regjistruar tendencat e artit modern në skulpturë, por po ashtu ka luajtur rol kyç në zhvillimin e kulturës së komemorimit në hapësirë publike”, thuhet në letrën e tyre.

Iniciativa e Historisë Gojore thekson se duke pasur parasysh që historia e Luftës së Dytë Botërore në Kosovë nuk është hulumtuar mjaftueshëm dhe faktin që narracionet historike në këtë mjedis ende kanë një status diskutabil, kjo përmendore mund të marrë jetë të re dhe të shndërrohet në një mundësi të mirë për të diskutuar rreth asaj që ka ndodhur gjatë Luftës në Gjilan.

Ky adresim publik nga ana e Iniciativës së Historisë Gojore shpreh mbështetjen e plotë ndaj iniciativës qytetare “Kartoni i Kuq” me bazë në Gjilan, të cilët kanë artikuluar qartë pakënaqësinë e tyre rreth largimit të përmendores së Luftëtarëve të Rënë (1941-1945) nga qendra e qytetit, dhe zëshëm kanë shprehur urgjencën mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të qytetit të Gjilanit.

“Për këto arsye, ju lusim që ta rimendoni vendimin e largimit të përmendores. Kosovës i duhet më shumë histori, jo më pak!”, përfundon kështu letra e tyre.

Rikujtojmë se në vend të kësaj shtatoreje pritet të përurohet gjatë këtij muaji ajo e heroit Idriz Seferi./Zeri/.