Kultura

Gashi: Trashëgimia kulturore mundësi e madhe për turizmin

Gashi: Trashëgimia kulturore mundësi e madhe për turizmin
06 nëntor 2017 • 22 : 24

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se me marrjen e detyrës së re po përpiqet të skanojnë gjendjen që është në MKRS.

“Me marrjen e detyrës jemi marrë me memorandumet që kanë të bëjnë me projektet e ndryshme, por që nuk kanë pasur mbulesë financiare”, tha ai në një intervistë për RTK-në.

Gashi bëri me dije se në vitin 2018 do të angazhohet më shumë në fushën e trashëgimisë kulturore.

“Në disa qytete të Kosovës ka mjaft vizitorë dhe asetet e trashëgimisë kulturore, po tërheqin shumë vizitorë dhe për këtë ne do të investojmë në trashëgiminë kulturore të Kosovës”, tha ai.

Edhe për  të rinjtë që merren me kulturë, Gashi premtoi se do të ketë mbështetje për projektet e tyre, në trajnime të ndryshme, në idetë inovative etj.

Kurse për buxhetin e MKRS-së, Gashi deklaroi se ka kërkuar të rritet buxheti.

“Ne do të bashkëpunojmë më BKUK edhe me biblioteka nëpër komuna që të kemi rritje të buxhetit dhe koordinim që të rrisim fondin për librin”, tha ai.

Ministri Gashi ka folur edhe për problemin në Teatrin Kombëtar. Ai tha se janë pajtuar me akterët relevant në Teatrin Kombëtar, që deri në vitin e ri të ketë një sistem të ri për pagat. Sipas tij skena e pavarur është e mirë për zhvillimin e kulturës.

“Të gjithë festivalet në Kosovës, do të mbështeten. Ne për këtë jemi të interesuar, pasi që nga këto festivale Kosova po njihet edhe më shumë. Do të kemi një qasje më të fuqishme ndaj tyre”, theksoi Gashi.

Kurse për bartjen e një pjese të MKRS-së, në Prizren, Gashi tha se në muajin shkurt do të shihet se çka do të bartet atje.

“Kemi tani dy pika, një pjesë në Shatërvan në Prizren dhe një afër tij”, theksoi ai. Sipas tij do të ketë shërbime për kulturë edhe në Prizren e në Prishtinë.

© zëri.info