“Imagine”, kënga e jetës!

Kultura November 06, 2017 - 10:48
Kësaj here redaksia e gazetës “Zëri” i ka kërkuar aktores Doresa Rexha...

Kësaj here redaksia e gazetës “Zëri” i ka kërkuar aktores Doresa Rexha të na flas për lidhjen e saj me muzikën duke na përpiluar kështu një listë me këngë të cilat i çmon dhe në një mënyrë apo tjetër lidhen me jetën e saj. Në rubrikën javore “Rrëfej përmes muzikës” Rexha na flet për këngë që i kujtojnë fëmijërinë, këngë që e frymëzojnë dhe të tjera që zgjedh t’i dëgjojë kur e kaplon lodhja. Shijet e saja muzikore shtrihen nga këngët e mirëfillta shqipe e deri te hitet botërore të muzikës rok.

 

Fërfëlloj fëllënza në ujë

Sa herë që e dëgjoj këtë këngë gjëja e parë që më shfaqet në mendjen time është momenti duke i bërë detyrat e shtëpisë. Kur isha në shkollë fillore e kishim një banesë shumë të vogël por që ka qenë e mbushur me dashuri dhe shumë ngjyra. Aty e kishim një tavolinë ku zakonisht mësoja dhe si gjithmonë mami më ka qëndruar afër dhe e mbaj mend që sa herë transmetohej në TV ose në radio kjo këngë mami e këndonte me shumë pasion. Jo rastësisht e rendita si këngën e parë pasi që personi që më përmbush shpirtërisht është mami im.

Prej Prokuples deri në Nish

Kjo është kënga që më emocionon më së shumti, që më dhuron të gjitha ndjenjat, që më zgjon kujtime shumë të veçanta, të çmuara dhe shumë të dhimbshme. Me një fjalë këngë e shpirtit tim, pasi që ka qenë kënga e preferuar e babit tim.

Guns N’ Roses – Don’t Cry

Ndonjëherë kur e dëgjoj tani këtë këngë nuk flas fare aq sa zgjat kënga dhe pavetëdijshëm thellohem në mendime dhe shpesh herë qesh.
Kjo këngë më kujton periudhën kur pata filluar të rritem, kur pata filluar ta njoh vetën në rrethana të tjera të cilat kanë qenë të panjohura me parë. Po ashtu më duhet të them që më kujton edhe simpatitë e para, hahaha.

Josh Groban - You Raise Me Up


Një ndër dashuritë e mia është edhe vallëzimi. Kam shumë këngë që më kujtojnë momente të ndryshme kur jam marrë me vallëzim, p.sh kur kam dal në skenë për herë të parë, kur e kam pasur performancën e parë, kur kam ushtruar në dhomën time duke e paramenduar që kam një publike të gjerë përpara vetes! Ndërsa kjo këngë më kujton kohen kur kam qenë pjesë në grupin e vallëzimit të RTV 21. Ka qenë një periudhe e mbushur me momente fantastike.


Chopin - Spring Walt

Shpesh herë e lejoj imagjinatën të më udhëheq e të më shpjerë ku të dojë, shkëputem nga realiteti duke u shoqëruar me këtë këngë. Është një gjë shumë spirituale që më frymëzon dhe më inspiron pakufi.

Simpatia – Edona Llalloshi

Këtë këngë e ka shkruar halla ime, shkrimtarja Fakete Rexha, me të cilën qysh e vogël kam qenë jashtëzakonisht e lidhur. Të gjithë në familje e thërrasim “halla Zemër”, andaj kështu po i referohem edhe këtu. Halla Zëmër qe një kohë të gjatë jeton në Francë. Ka qenë një periudhë disa vjeçare kur s’ka pasur mundësi të vijë në Kosovë dhe pikërisht kur e dëgjoja këtë këngë çmallesha pakës dhe disi më afronte me të.

 A Thousand Kisses Deep – Leonard Cohen


Leonard Cohen është një ndër të preferuarit e mi dhe kjo këngë më ngjall nostalgji për ndjenjën  më të bukur.

John Lenon – Imagine

Ëndërroj dhe frymoj me këtë këngë.

Nu – Man o tu

Këtë këngë kam kohë që e dëgjoj herë pas here sepse më merr me vete. Meqë po e përmend muzikën elektronike duhet të e cek se gjithmonë kur organizohet ndonjë ndej e mirë, pavarësisht punës së tepërt unë bashkë me shoqen time Brikenën do jemi aty.

Sarah Jaffe - Clementine

Kohëve të fundit kam shumë që e dëgjoj këtë këngë, më është bërë rutinë.
Gjatë momenteve që ndjehem e lodhur në punë e dëgjoj dhe më jep një energji të paparë.