Deklaratë e hidhur e albanologut nga Suedia

Kultura November 06, 2017 - 10:46

Suedia tërheq vëmendjen e shkrimtarëve të botës si vendi numër një i letërsisë. Gabim total! Iluzionet krijohen pa tjetër nga Cmimi Nobel.

E vërteta është: Kemi krizë në lidhje me botimet, para disa vitesh u zhvillua një konflikt për arsye të tatimit midis shtëpive botuese dhe shtypshkronjave. Kjo shkaktoi një ndrojtje dhe seleksionim të jashtëzakonshëm të botimeve. Paraja dhe jo cilësia letrare filloi të dominonte tregun. Të botosh libra në Suedi sot, kërkon kontakte, para - bursë - nga një organizatë, këmbëngulje, dhe natyrisht aftësi letrare.

Unë personalisht po marr shumë pyetje në lidhje me përkthime. Mirëpo, jam i djegur nga dështimet, libra të pabotuar të cilët kam përkthyer. Për besë, nuk dua të hyj në aventura të reja përkthimi, duke pritur dështim!

Për atë arsye ju rekomandoj të interesuarve të gjeni rrugë tjetër, dhe pse, pse, të kërkoni përkthim suedisht??! A keni planifikuar një përkthim anglisht? Kjo do të ishte veprimi më i arsyeshëm. Në Angli dhe SHBA jetojnë shumë intelektualë shqiptarë, të cilët zotërojnë anglishten. Bota anglofone është një treg shumë i madh. Suedia është shtet i vogël me pak lexues, dhe vërtet pa mundësi të ngjall interesim për problemet kudo në botë...

Kjo është deklaratë e hidhur por reale. Dua të gris iluzionet. Unë vetë kam qindra poezi të pabotuara, dhe nuk kam plane ti botoj... vetëm për të humbur para pa kompensim....

Në këtë botë të mbrapsht, ekonomia është pushtet global, kultura nënçmohet kur nuk lidhet me fitime ekonomike. Ky është çmimi që duhet të paguajmë për të jetuar në botën kapitaliste....

Ulmar Qvick