Spomenikat e Gilanit

Kultura November 06, 2017 - 10:42

Ka qenë një përmendore tjetër në vendin e kësaj që u hoq para dy ditësh në Gjilan. Ajo përmendore që shihet në fotografinë e parë, nga ata që e mbajnë mend, është quajtur 'Speminiki i Kralit'. Pra, aty ka qenë përmendorja e mbretit Petar, i cili e udhëhoqi ushtrinë serbe në dy luftërat ballkanike, në të cilat ushtria serbe shkaktoi masakra të papara deri në atë kohë. Këto masakra kanë qenë të planifikuara që të kulminojnë me gjenocid ndaj popullsisë shqiptare dhe ndaj asaj që nuk ishte ortodokse në Ballkan.

Spomeniki i Kralit është ndërtuar menjëherë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore (1918). Madje inaugurimi është bërë para përfundimit të Konferencës së Versajit pasi që serbët ishin të sigurt që Kosova do të ishte pjesë përbërëse e shtetit të ri sllav që do të quhej Mbretëri Serbe-Kroate - Sllovene.

Porosia apo simbolika e Spomenikit të Kralit ka qenë vërtetimi i pushtetit serb në Kosovë. Teksti i shkruar në këtë spomenik ka pasur karakter tërësisht serbomadh e fashist, pasi që i dedikohej vetëm serbëve dhe lartësonte krimet e tyre. Ja cili ka qenë teksti:

'Petrit, Çlirimtarit të Madh
O Mbreti i Madh, baba i kësaj toke, ti me shpatën tënde dhe me mençuri ke ditur se si t'ia realizosh ëndrrat popullit tënd, sepse lirinë e artë t'i ia solle'.

Ky spomenik ka qëndruar deri vonë pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas të gjitha gjasave është rrënuar në vitin 1963, një vit para se të vendosej ky që u hoq para dy ditëve dhe që shihet në fotografinë e dytë. Unë nuk e mbaj në mend kur e kanë hequr por i kam dëgjuar tregimet e pleqve. Tërë ditën mezi e kanë rrëzuar dhe atë duke e tërhequr me një kamion të 'Binaqka Moravës'. Thuhet se disa kanë duartrokitur kur Krali ishte plandosur.

Por, pyetja që duhet shtruar është pse qëndroi kaq gjatë kjo përmendore me porosi serbo-madhe? Sidoqoftë, përmendorja e re që e zëvendësoi atë të Kralit nuk kishte ndonjë tekst që do të paraqiste ndonjë porosi, e cila do ta gëzonte apo lëndonte dikë. Artistikisht përmendorja ishte në rregull. Por, dihej që i kushtohej regjimit të ri (komunist). Për qytetarët e Gjilanit regjimi i ri nuk ka qenë më i mirë se ai i vjetri.

Nëse përmendoret paraqesin pushtetet, ato duhet të shkojnë me regjimin. Por, përmendorja e re duket se ka qenë e pranueshme për qytetarët, të cilët nuk janë vërejtur të kenë shprehur ndonjë hidhërim ndaj saj sikur që shprehen ndaj asaj të Car Llazarit, e cila u rrënua në verën e vitit 1999.

Megjithatë, edhe kjo u hoq me vonesë sikur ajo e para e Kral Petrit. Pse Gjilani vonohet me rrëzimin e përmendoreve? Apo, ndoshta kjo e fundit nuk është dashur të hiqet. Gjilanasit kanë qenë indiferent ndaj saj.

/DautDauti