Fadil Hysaj, laureat i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore

Kultura November 03, 2017 - 15:17

Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi, ka ndarë të premten gjatë një ceremonie Çmimet Vjetore për Teatër për vitin 2016. Me këtë rast me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore u nderua regjisori Fadil Hysaj, shkruan zeri.info.

Në arsyetimin e saj, juria që ndau çmimin theksoi se me krijimtarinë e tij prej disa dekadash regjisori Hysaj i ka kontribuar zhvillimit dhe kultivimit të jetës teatrore në përmasa të mëdha. Kur pranoi çmimin regjisori Hysaj ua dedikoi atë qindra personazheve që nuk janë më në skenë dhe dy brezave të aktorëve, atyre që nuk janë më dhe brezit të dytë, që janë ende aktiv.

“Të kalosh 45 vite në teatër janë përjetime shumë të fuqishme dhe është një jetë mes personazheve që vijnë nga imagjinata dhe kërkojnë patjetër statusin e tyre jetësor. Së pari këtë çmim ua dedikoj atyre personazheve që janë me qindra, por që mjerisht nuk gjinden më në skenë, teatri nuk i ka pasur mundësitë për të u siguruar jetëgjatësi më shumë se një sezone. Njësoj ua dedikoj këtë çmim edhe shumë aktorëve, disa prej të cilëve nuk janë këtu, kanë shkuar një brez i tanë nga: Istref Begolli, Shani Pallaska, Avdush Hasani, Skender Tafaj, Hadi Shehu, Sefedin Nuredini me të cilët kam punuar në shumë shfaqje. Ua dedikoj aktorëve të tjerë të brezit të dytë: Luan Jahaj, Shkumbin Istrefi dhe brezit të tretë shumica e të cilëve janë studentë të mi, dhe publikut, e veçanërisht atyre që nuk janë parë në skenë sikurse edhe drejtorive të teatrove”, tha ndër të tjera Hysaj.

Në këtë ceremoni u dhanë edhe çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë për vitin 2016 për shfaqjen “Eshtrat që vijnë vonë”, me tekst të Teki Dervishit nën regjinë e Martin Koçovskit, çmimi vjetor për regjinë më të mirë, regjisores Sevdije Ajeti për shfaqjen “Sapotlem” të autorit Juan Jose Arreola. Çmimi për aktorin/aktoren më të mirë për 2016-tën iu nda balerinit Sinan Kajtazi për rolin kryesor Albert në shfaqjen e baletit “Zhizell” kurse çmimi vjetor për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar u nda për Qendrën Multimedia. /Zëri/.