Kultura

Teoria ilire kundër dogmës ilire

Teoria ilire kundër dogmës ilire
03 nëntor 2017 • 09 : 09
Jusuf Buxhovi

Libri "Teoria ilire” i Agron Jahës, shfaqet si një vështrim diakronik nga këndi i filozofisë historike mbi pozicionin dhe rolin e etnikumit ilir në historinë e hershme dhe antike të Europës.

Autori Jaha, qysh në fillim bën të ditur se për të ka paraqitur një shqetësim të madh “shikimi i historisë së hershme evropiane nga këndi i megalomanisë euro-perëndimore si dhe konsultimi i njëanshëm i burimeve primare të literaturës botërore, pastaj parimi se dikush që sot është i vogël nuk ka si të ketë qenë i madh dikur”.

Gjithnjë mbi këtë shqetësim, autori thekson se “Ilirët shihen kryesisht si popull në margjinat e civilizimit greko-romak, paçka se kishte edhe autorë që ata i konsideronin edhe vetëm si një element mekanik të motorit historik, i cili, sipas tyre, duhet të ketë qenë vetëm meritë e civilizimit greko-romak.

Ai thotë se “rrallë, shumë rrallë, shohim autorë që kanë inspektuar në mënyrë kritike nga brenda strukturën e këtyre dy qytetërimeve, gjë që përbën edhe çelësin e kuptimit të historisë ilire. Krahas autorëve të huaj, Jaha, një pjesë të fajit, ia hedh historiografisë së pasçlirimit, pra asaj ideologjike, e cila, duke skicuar një ndarje artificiale ngas trashëgimia romake dhe pararomake-protoilire, sipas kritereve të shkencës sovjetike, ku çdo ndërlidhje me elementet religjioze mohohej, përshkruhej shkurtimisht ose mjegullohej me nozologji marksiste.

“Me këtë ndërhyrje joshkencore krejt arbitrare, shqiptarëve iu hoq mundësi e mësimit për një nga pjesët më të ndritshme të kaluarës së tyre, Periudhën e Antikiteti të Vonë”,të cilën autori e konsideron “kulmin e qytetërimit ilir-romak si dhe aktin faktik e transcendental të themelimit të asaj që sot quhet bazë e kulturës evropiane”.

Duke e kthyer në referencë tematike elementin protoilir si themel të këtij qytetërimi në përmasa rajonale lindje-perëndim (Evropë-Mesdhe-Lindje e Afërme, e Mesme dhe e Largët deri në Indi), autori sheh rolin e madh të etnikumit ilir, si një megaloetnikum, me ndikim në formimin dhe zhvillimin e qytetërimit romak dhe më pastaj të atij evropian.

Por, para se të vijë deri te kjo gjendje, me të cilën shihen në mënyrë kritike teoritë e deritashme të lindjes dhe fuqizimit të Perandorisë Romake, duke mbështetur teorinë protoilire të lindjes së Perandorisë Romake, autori këtë zhvillim historik e bart nëpër tematikat mbi të cilën ndërtohet. Kështu, në kapitullin e parë merret me shkrimin sakral në Ballkan si kultura më e lashtë shkrimore në histori. Këtu përfshihen edhe gjetjet arkeologjike në Kosovë dhe Ballkanin Qendror, me të cilat pretendohet dokumentimi i kulturës së parë shkrimore në botë.

Duke e ilustruar këtë tematikë, të shumtën me anën e anologjive, në kapitullin e dytë, autori përqendrohet te dëshmitë paleolinguistike për lashtësinë e gjuhës shqipe si substrat i rëndësishëm në rrethanat e hershme kulturore të Evropës Kontinentale, Brezit Mesdhetar e Azisë së Vogël dhe Kaukazit. Në këtë kapitull autori merret me dy grupimet kryesore të korpusit gjuhësor protoilir, me ç’rast u kthehet toponimeve të lashta: Erythia, Atlasi, Erigon, Shtëpi, Brindisi, Mal, Ven, Ujë e të tjera si dhe legjendave të ndryshme (kuçedrës, dreqit e të tjera) për t’u marrë edhe me Perënditë e shumtë, të cilët i lidh me mitologjinë shqiptare. Në kapitullin e tretë, autori një vëmendje të mirë ia kushton Perandorisë Hetite dhe aleatëve të saj: Dardanëve dhe Arvenëve. Këtu, autori del me vlerësime tejet të guximshme, si ato me të cilat hetitet pasqyrohen si popull i parë me shkrim zyrtar i substratit panilir-paneuropian (semiindoeuropian) si dhe me korrelacionet gjuhësore, etnokulturore dhe kodike-juridike të hetitëve me korpusin iliro-shqiptar, ku paraqiten disa nga kongruencat (përputhjet) në rrafshin gjuhësor, si dhe në rrafshin etnokulturor dhe juridiko-zakonor të shumtën me metodën e analogjisë.

Ndërsa gamën e fundit, autori e mbyll me kapitullin e pestë, duke u përqendruar te Mbretëria (hekur-prodhuese) e Etruskëve, të cilin autori e sheh si një fis protoil-hetitas në bregdetin tyrrhen, ku edhe lind edhe Perandoria Romake, natyrisht si meritë e ilirëve (dardanëve të ardhur nga Troja).

Përkushtimi i Jahës që ato t’i sheh te përbashkëta, pra te substrati protoilir me tri shtresime të mëdha botërore, është afër pamjes së botës parahelene që na japin autorët e njohur antik si dhe filozofët e saj nga Aristoteli, Diodiri e të tjerët deri te Ptolemeu, ku ata ilirët dhe dardanët, si “barbarë”, i shohin si pellazgë, prej të cilëve buron i gjithë qytetërimi helen, që pranohet, informacion ky i mjaftueshëm për një çasje tjetër të vendit dhe rolit të faktorit dardano-ilir në antikitet.

Ndonëse veprës i mungon literatura dhe burimet shkencore bashkë me indeksin e emrave, për të cilat autori thotë se do t’i sjell në pjesën e dytë të librit, megjithatë puna e Agron Jahës duhet vlerësuar si një përpjekje e guximshme në kuadër të një kundrimi diakronik nga këndi i filozofisë historike mbi pozicionin dhe rolin e etnikumit ilir në historinë e hershme dhe antike të Evropës.

 

 

© zëri.info