Pesë filma nga Kosova synojnë Berlinalen

Kultura November 02, 2017 - 11:14

Katër filma të metrazhit të gjatë dhe një film dokumentar nga Kosova do të prezantohen para përzgjedhësve të Festivalit Berlinale. Të gjithë këta filma që synojnë të shfaqen para publikut, në kryeqytetin gjerman, janë të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Por që do të shkojnë atje filmat kosovar fillimisht duhet të prezantohen para përzgjedhësve të festivalit prestigjioz Berlinale. Para tyre ata do të shfaqen në mes datave 15-17 nëntor, në Shkup të Maqedonisë.

Filmat artistik të metrazhit të gjatë, prodhuar në Kosovë, që po synojnë Berlinalen janë “Fusha e Mëllenjave”, nga Arzana Kraja, “Njeriu i dosjeve”, nga Ismet Sijarina, “Një tregim Prishtine”, nga Burbuqe Berisha dhe “Qiej të trazuar”, nga Anton Ndreca. Kurse dokumentari që do të prezantohet po ashtu para përzgjedhësve është “Me dasht’, me dasht’, me dasht’ nga Ilir Hasanaj.

Filmi “Fusha e Mëllenjave” flet për një të burgosur politik, i cili ka vështirësi në kthimin e tij në Kosovë. Aktorë që paraqiten me rolet e tyre në film janë Shkumbin Istrefi, Irena Cahani, Melihate Qena e Donat Qosja.

LEXO EDHE: Shpallen finalistët e çmimit 'Artistët e së nesërmes'

Në anën tjetër filmi “Njeriu i dosjeve” flet për Fadilin (36), një arkivist në Ndërmarrje Shtetërore, i cili i gjendur në një situatë të vështirë, duhet të zgjedh ndërmjet dy opsioneve, që të dyja të gabuara: vendimi për të qenë patriot apo baba i përgjegjshëm.

Një film që trajton problemet sociale të shoqërisë dhe shëndetësore të fëmijëve e që po synon Berlinin është ai i Burbuqe  Berishës. "Një tregim Prishtine" flet për një familje të shtresës se mesme, problemet dhe sfidat e të cilës fillojnë kur vajza e tyre njëmbëdhjetë vjeçare diagnostifikohet me leukemi akute, ndërsa trajtimi mund të bëhet vetëm jashtë shtetit.

Histori familjare është edhe filmi i Anton Ndrecajt. “Qiej të trazuar” është një dramë familjare dhe psikologjike që trajton një familje të klasës së lartë të arsimuar të Kosovës.

Hakiu, kryepersonazhi i luajtur nga Jehon Gorani, është psikolog i shquar dhe i kamur. Për shkak të një karriere të gjatë në fushën e psikologjisë dhe përballjes së shpeshtë me dëshirën për vetëvrasje, por edhe për shkak të një historie personale në gërmime për të gjetur kuptimin e jetës, ai tash gjendet në një fazë të thellë të problemeve ekzistencialiste.

E dokumentari “Me dasht’, me dasht’, me dasht’, nga Ilir Hasanaj, sjell në një formë shumë interesante jetën e tre personazheve, të cilët krejt çka duan dhe çka paraqesin para audiencës është dashuri. “Me dasht’, Me dasht’, Me dasht’”, i sjellë Arbërin, Edonën dhe Gencin, përmes projektit të mbajtur nga Baushtellë në vitin 2015-të me pyetjen ‘What do u believe in?’. Të tre personazhet ishin të involvuar në projekt në një formë ose tjetrën, projekt me të cilin kanë udhëtuar edhe në Serbi dhe Zvicër.

Zakonisht Festivali Berlinale për një edicion ka rreth 500 mijë shikues dhe dhjetëra mijëra filmbërës marrin pjesë në aktivitete të ndryshme të festivalit, ndaj prezantimi i kinematografisë kosovare atje është shumë i rëndësishëm. /ZËRI/