Shpallen finalistët e çmimit 'Artistët e së nesërmes'

Kultura November 02, 2017 - 11:06

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, ka shpallur ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes 2017”.

Ekspozita hapet më 3 nëntor dhe qëndron e hapur deri më 4 dhjetor, atëherë edhe kur shpallet fituesi i këtij çmimi, në Klubin e Boksit në kryeqytet.

Çmimi "Artistët e së nesërmes" është pjesë e programit që ndan çmimin për artistët e rinj në fushën e arteve vizuele – YVAA (Young Visual Artists Awards) – pjesë e dhjetë çmimeve të ngjashme të organizuara në Evropën Qendrore dhe atë Lindore, me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Juria e çmimit "Artistët e së nesërmes 2017", e përbërë nga Charles Esche, drejtori i Van Abbemuseum, Eindhoven, Erëmirë Krasniqi, studiuese dhe drejtoreshë e Oral History Kosovo, Nataša Petrešin-Bachelez, kritike e artit dhe kuratore e pavarur, Adrian Deva, artist dhe edukator arti dhe Renaud Proch, Drejtor Ekzekutiv i Independent Curators International (ICI), New York, ka përzgjedhur finalistët bazuar në kriteret e inovacionit, praktikave të fuqishme dhe interdisiplinare, meritat e portfolios artistike, arritjet e mëparshme, ekspozitat si dhe potenciali i demonstruar deri më tani.

Finalisti i parë i çmimit “Artistët e së nesërmes 2017” është Meriton Maloku, i cili ka befasuar jurinë me vizionin e ndërthurjes së tematikave më aktuale të përditshmërisë.

Finalistja e dytë është Enesa Xheladini, që dëshmon praktikë të theksuar vizuele e shprehur në formë të skeçeve dhe shënimeve për skulptura dhe instalacione publike, e gjitha si rezultat i praktikës së saj në fushën e arkitekturës.

Finalisti i tretë është Jetullah Sylejmani që hulumton pyetjet civilizuese mbi burimet, luftën dhe demokracinë në një mënyrë të theksuar ambicioze vizuele.

Ekspozitat e fundit përfshijnë: “Artistët e rinj”, Galeria Kombëtare e Kosovës – GKK, 2017; Biennale des Jeunes Créateurs de l’Europe et de la Méditerranée, 2017; “Artistët e rinj”, Galeria Kombëtare e Kosovës – GKK, 2016, Çmimi Artistët e së nesërmes 2014, Galeria Kombëtare e Kosovës – GKK; Ekspozitë në Gallery Art-Villamagna – Ville-la-Grand, Francë, 2014; La Galleria Arte Maggiore – Associazione Culturale “ICREATTIVI”. RioneMonti, Romë, Itali, 2014; Albanska Udruga Šibenske-Kninske, Kroaci, 2013; Mother Theresa, Biblioteka Editrice Vaticana, Romë, Itali, 2012.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është çmim kyç dhe i pavarur i organizuar në bashkëpunim me Residency Unlimited në New York, mbështetur nga The Trust for Mutual Understanding në New York dhe sponsorët kryesorë të Çmimit "Artistët e së nesërmes" në Kosovë, Raiffeisen Bank në Kosovë dhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Çmimi “Artistët e së Nesërmes” është një projekt unik që u ofron artistëve të rinj në fushën e arteve vizuele, nën moshën 35 vjeçare, mundësinë e krijimit të veprave të reja artistike, të jenë pjesë e procesit të kuruar edukativ, të kenë mundësinë e takimeve dhe prezentimeve para një jurie ndërkombëtare të përbërë nga profesionistë të njohur botërisht, të kenë ekspozita të përbashkëta me finalistët, të kuruara nga ekipi kuratorial i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë si dhe të bëhen pjesë e rezidencës artistike në SHBA, që të përjetojnë dinamikën e skenës artistike të New York-ut gjatë dy muajve të rezidencës artistike në Residency Unlimited.

Fituesit e Çmimi “Artistët e së nesërmes” pas kthimit të tyre nga SHBA-të kanë ekspozitën e tyre personale në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, si pjesë e programit të ekspozitave të institucionit dhe të programit Çmimi "Artistët e së nesërmes".

Çmimi "Artistët e së nesërmes" është pjesë e Young Visual Artists Aëards program – rrjeti i dhjetë çmimeve të ngjashme të organizuara nëpër Evropën Qendrore dhe atë Lindore, të themeluar në vitin 1989 në Çekosllovaki, nga presidenti Vaclav Havel dhe artistë disident me qëllim të mbështetjes së shfaqjes dhe zhvillimit të artit bashkëkohor dhe shoqërisë civile.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të rris potencialin e çmimit "Artistët e së nesërmes" dhe të bëjë çmimin me ndikim në zhvillimet e përgjithshme të artit bashkëkohor në gjithë territorin e Kosovës.

Fituesi i Çmimi “Artistët e së nesërmes” në Kosovë do të shpallet nga juria më 4 dhjetor 2017.

Sponsorët kryesor për Çmimi "Artistët e së nesërmes" në Kosovë janë Raiffeisen Bank in Kosovo dhe Ambasada Amerikane në Kosovë.

“Artistët e së nesërmes” sponsorizohet edhe nga Komuna e Prishtinës dhe DZG. /ZËRI/