Flutura Açka sjell romanin 'Të ftuar në Rrethin e Dhjetë'

Kultura November 01, 2017 - 11:06

Shkrimtarja Flutura Açka këto ditë doli para lexuesit shqiptarë me romanin e saj të ri "Të ftuar në Rrethin e Dhjetë", për të cilin edhe organizoi një lexim publik në hapësirat e Hotel Tirana. Me këtë rast

botuesi Richard van den Brink kopjen e pare të librit ia dhuroi autorit të Skanderbeg Books, por edhe një nga shkrimtarët që jeton jashtë Shqipërisë, Arbër Ahmetaj, i cili, si lexues në dorëshkrim i veprës, foli për impresionet e tij pas leximit të saj.

Artistja e Popullit Tinka Kurti, recitoi dy poezi të Flutura Açkës nga vëllimi i fundit i saj “Ftesë për flirt”. Për të ftuarit, autorja lexoi pjesë nga romani, veçmas nga ”Fillesa”. Tingujt të muzikës shqiptare erdhën nën interpretimin e violinisteve të talentuara Lirza Zaloshnja dhe Elda Dono

Mbrëmja u përmbyll me një bisedë me publicistin e njohur Mustafa Nano mbi temat e librit dhe çështjet e Shqipërisë së sotme.

Romani “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” ndërtohet në të njëjtën shtjellë me rrathët e Ferrit të Dantes, citime të të cilit në vepër janë të shpeshta. Vepra ndërtohet mbi digresionin në 50 vitet e fundit të historisë shqiptare, e përçuar përmes jetës së tre personazheve themelorë të romanit.

“Rrethi i Dhjetë” është rrethi metaforik mbi shumësinë dhe kompleksitetin e mëkateve të atyre që drejtuan Shqipërinë në 50 vitet e fundit, një vend në askundin e harresës dhe të gjykimit. Romani ka linja të shumta dhe është pasqyrimi i rrugëtimit të përbashkët të mijëra shqiptarëve që e lanë Shqipërinë pas rënies së diktaturës.

Tre miq të vjetër qysh nga fëmijëria, të cilët e kanë lënë Shqipërinë në rrethana dhe në kohë të ndryshme pas kapërcyellit të 1990-tës, vendosin të festojnë së bashku 50-vjetorin e lindjes. Por në jetëshkrimin e tyre prej shqiptarësh tashmë në emigrim, përzihen gjurmët e së shkuarës nën diktaturë, rrugëtimet e vejevijës së shpeshtë në vitet e lirisë mes dy atdheve të tyre dhe shenjat e përpjekjes për ta mbrojtur thelbin e tyre mes identitetit etnik të lindur dhe atij evropian të fituar. A janë ata të përgatitur ta fshijnë të shkuarën shqiptare, e cila befas ende ua dikton dhe ua helmon ndonjëherë jetën? A do të munden ata të mbeten miq edhe pas shqyrtimit që ky takim i pafajshëm do t’u kërkojë, shqyrtim që shpesh nuk lidhet me ata vetë, por që kryqëzohet dhe ndikon në jetët e tyre? Kjo rrëfenjë që shtrihet në gjysmëshekullin e fundit shqiptar dhe që merret me shtegtimin e viteve të fundit të mijëra shqiptarëve nëpër botë, është një sagë mirëfilli shqiptare e luajtur në Evropën e sotme. Ky rrëfim është një kushtim për dashurinë njerëzore, për dashurinë si sublimim që nuk e zhbën koha dhe një triumf për atdhedashurinë, të tretura në gjakun shqiptar nga substanca më e bekuar e kësaj bote: Liria.B.F.