Festivali që dëshmoi ngritje cilësore të teatrove tona

Kultura November 01, 2017 - 10:53

Në Ferizaj përfundoi edicioni i 47-të i Festivalit të Teatrove, Festivalit më të vjetër në të gjitha hapësirat shqiptare. Për tetë net rresht, në teatrin "Adriana" të Ferizajt, defiluan po kaq trupa të përzgjedhura nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova. Festivali u hap me shfaqjen "Dëshira Tours", sipas tekstit të T.Williams dhe në regji të Ardi Mejzinit, përgatitur nga trupa e teatrit Kombëtar të Prishtinës. Edhe sipas debatit që u zhvillua për këtë shfaqje në Tryezën e Festivalit, u tha se ishte një shfaqje e përgatitur mirë dhe si e tillë mirë u prit edhe nga publiku ferizajas, i cili tashmë ka një shije të kultivuar.

Në natën e dytë u shfaq monodrama e Besim Rexhajt "Lojë e pafund", në regji të Fadil Hysajt dhe në interpretim të Sheqerie Buçajt, përgatitur nga teatri "Dodona" i Prishtinës. Shfaqja u dha në formë kamertale dhe u pëlqye nga ai numër i përzgjedhur shikuesish. Meqë Festivali ka karakter garues, kjo shfaqje e tipit monodramë ishte jashtë konkurrencës.

Natën e tretë me padurim është pritur shfaqja nga teatri "Bekim Fehmiu" i Prizrenit, "Armiku i popullit", sipas tekstit të Henrik Ibsenit dhe në regji të Fatos Berishës. Kjo për shkakun se viteve të fundit teatri nga Prizreni ka dëshmuar se është nga teatrot më mirë të organizuara dhe si i tillë ka sjell në këtë Festival shfaqjet më të mira. Dhe publiku u nda jashtëzakonisht i kënaqur me këtë shfaqje, e cila në fund edhe fitoi katër shpërblim të festivalit.

Në natën e katër erdhi nga Shkupi Teatri Shqiptar i Shkupit me shfaqjen "G", sipas tekstit të Gjergj Fishtës dhe në regji të Sulejman Rushitit. Satira e Fishtës deri në groteskë u pëlqye shumë nga publiku, mbase kjo si duket ishte reflektuar edh tek juria e Festivalit, e cila edhe i ndau çmimin si shfaqja më e mirë e Festivalit. Natën e pestë në skenë u ngjit shfaqja nikoqire, përkatësisht ajo e teatrit "Adriana" të ferizajt, shfaqje kjo e punuar sipas tekstit të Sarah Kane "Psikozë n' 4:48" dhe në regji të Fatos Berishës. Edhe përkundër që ishte hera e trembëdhjetë që kjo shfaqje po jepej për publikun ferizajas, megjithatë salla ishte e mbushur plot, dëshmi kjo se shfaqja po shënonte një vlerë të qëndrueshme.

Natën e gjashtë nga Shkodra erdhi teatri"Migjeni", me shfaqjen "Tartufi", sipas tekstit të Molierit dhe në regji të Kushtrim Bekteshit. E veçanta ishte se për këtë shfaqje kishte një interesim të jashtëzakonshëm, mbase edhe biletat ishin shitur shumë më herët, ndaj edhe numër i konsiderueshëm i dashamirëve të teatrit mbeti pa e parë. Sigurisht që ishte nga shfaqjet më të mira të Festivalit, për çka edhe në fund mori çmimet kryesore.

Natën e shtatë në këtë skenë u ngjit trupa nga "Multimedia" e Prishtinës "Peer Gynti nga Kosova", sipas tekstit të Jeton Nezirajt dhe në regji të Agon Miftarit. Edhe përkundër që jepej për herë të dytë në këtë skenë, interesimi i publikut ishte i madh dhe shfaqja u prit shumë mirë.

Natën e fundit të Festivalit erdhi Drama Shqipe e Kumanovës, "Një shtrat plot me të huaj", sipas tekstit të Dave Freman dhe në regji të Esat Brajshorit. Kjo komedi e përgatitur me përkushtim u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku ferizajas.

Në përgjithësi ky edicion i Festivalit në Ferizaj dëshmoi për një ngritje të dukshme të cilësisë nëpër teatrot tona. Mbase kjo do të duhej të vlerësohej si ngjarje me rëndësi kulturore për jetën tonë teatrore, e cila ende vazhdon për të dëshiruar shumë. Kur i bëhet një rezyme këtij Festivali, duhet vlerësuar nga të gjitha dimensionet që karakterizojnë një shfaqje, përkatësisht një teatër. Edhe në këtë Festival, sikundër edhe në edicionet para këtij, vërehej mungesa e dramës kombëtare, përkatësisht prania e saj e vogël në këtë Festival. Nga tetë shfaqje vetëm tri ishin të autorëve tanë. Kur dihet se asnjë teatër nuk mund të zhvillohet pa zhvillimin e dramës nacionale, kjo gjë të bën të ndjehesh i brengosur për gjendjen në të cilën ndodhet teatri ynë. Po në këtë rast ngushëllues është fakti se nëpër teatrot tona po gjejnë hapësirë regjisorë që po identifikohen si një brez i ri, i cili me përkushtimin më të madh po u qasen përgatitjes së shfaqjeve, duke bërë që në këtë mënyrë të kapërcehet niveli amator i teatrove tona profesioniste. Të tillët si Kushtrim Bekteshi, Fatos Berisha, Agon Miftari dëshmuan edhe në këtë Festival se janë të përkushtuar për punë profesionale dhe për ngritje cilësie nëpër teatrot tona. Sigurisht që puna me përkushtim e këtyre regjisorëve është reflektuar edhe në punën me aktorët, të cilët në këtë Festival realizuan kreacione të niveleve shumë të larta. Sigurisht që si model i përkushtimit ishte loja e aktorit Shpëtim Selmani, i cili edhe u shpërblye me dy çmime për rolin më të realizuar. Në kontekst të kësaj duhet thënë se edhe rolet e femrave ishin më të realizuara se kurrë më parë.

Sigurisht që gjendja e vështirë materiale e teatrove tona reflektohej edhe në skenografitë e varfra të shfaqjeve si dhe në kostumografi. Shih për këtë skenografët dhe kostumografët, që në këtë rast jo rrallë dilnin të ishin vetë regjisorët, kishin provuar që nëpërmjet elementeve simbolike të ndërtonin skenografi dhe kostume që të mund të shfaqnin imazhin e vendndodhjes së ngjarjes dhe karaktereve.

Pa dyshim që pamjen më të bukur të Festivalit e përbënte publiku me shije të kultivuar i Ferizajt, i cili për çdo mbrëmje mbushte sallën përplot dhe me interesim maksimal përcillte shfaqjet. Mbase numër jo i vogël i tyre ishte edhe pjesë e Tryezës së Festivalit, të cilën edhe kësaj radhe e udhëhoqi dramaturgu Haqif Mulliqi. E kur jemi këtu tek tryeza, duhet thënë se ajo doli të ishte mjaft e varfër karshi shfaqjeve mjaft të mira të Festivalit. Duket ashiqare se komuniteti jonë artistik vazhdon të jetë i ngathët, madje i papërgatitur për zhvillimin e një debati, i cili do të mund ta ndihmonte shumë zhvillimin e teatrit tek ne. Mbase niveli i debatit edhe mund të merret si barometër i zhvillimit të teatrit tonë në përgjithësi.

Edhe ky edicion i Festivalit në Ferizaj dëshmoi se as Ministria e Kulturës, as Drejtoria Komunale për Kulturë nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij Festivali më të vjetrit për teatër, ndërsa e kanë ndihmuar me mjete fare simbolike, madje duke e barazuar me festivalet koti që nuk kanë as vlerë, as traditë.