Me “Requiem” njohim aktoren Fatlume Bunjaku

Kultura October 23, 2017 - 09:19

Këtë javë në rubrikën e rregullt të “Zërit”, të titulluar “Rrëfej për muzikë”, prezantojmë aktoren Fatlume Bunjaku.

Duke i radhitur dhjetë këngë, Bunjaku na flet për periudha të ndryshme të jetës së saj; fëmijërinë, shkollimin e karrierën.

Sipas saj, jo të gjitha këto këngë janë shija e saj fikse, por ajo u përcaktua në këtë listë, sepse secila prej tyre i kujton një periudhë, moment, situatë, ngjarje apo edhe njerëz të caktuar.

Do marr çiften do dal për gjah

Kjo këngë ma kujton gjyshin me të cilin kam qenë e lidhur shumë. Me qenë se prindërit i kisha në punë, si e vogël qëndroja shumë tek gjyshi dhe gjyshja dhe pikërisht kjo këngë, por edhe shumë këngë tjera të muzikës qytetare, m'i kujtojnë ato mëngjeset kur gjyshi u bënte gati për treg (sepse ka qenë tregtar), në anën tjetër gjyshja përgatiste mëngjesin për ne dhe krejt kjo atmosferë, pra e shoqëruar me radio me këto lloj këngësh. Edhe tash kur e dëgjoj këtë këngë më sjellë shumë nostalgji për atë periudhë.

Dancing Queen –ABBA

Eh, këtë këngë sa herë e dëgjoj njeriu i parë që më kujtohet është babi. I veshur me xhinse shizi, jakne të lëkurës dhe këpucë me spic. Babi ka shije të mirë në muzikë. Ai më ka treguar për shumë bende të ndryshme edhe kjo ka ndikuar goxha në edukimin tim në muzikë. Më kujtohet gjithashtu kur punonte me fotografi përpara, kur i zhvillonte filmat, lëshonte pikërisht këto grupet si “ABBA”, “Bee Gees”, “The Beatles”, pastaj disa grupe shqip si “Mak”, “Merimanga”, “Gjurmët” etj. Edhe tash bile kur diskutojmë me të për muzikën në përgjithësi, më thotë: “Babë, përpara ka pas lezet muzika”.

They Don’t Care About Us - Michael Jackson

Këtë këngë e kemi dashur shumë unë edhe krejt fëmijët e lagjes. Ka qenë hit i madh në krejt botën. Më kujtohet një javë rresht mblidheshim pas orarit të shkollës edhe donim ta bënim një koreografi me këtë këngë, me radio e me kaseta edhe gjithmonë e kemi pasur një komshi që dilte edhe na pengonte, sepse gjoja se po bënim zhurmë e na i ndërpriste provat.

Frozen - Madonna

Kjo këngë ma kujton atë periudhën kur pata filluar të rritem pak dhe të dëgjojë muzikë për më të rritur. E di që tekstin nuk e kuptoja aspak, por më bënte përshtypje shumë ndjesia që ma ofronin muzika edhe klipi i kësaj kënge që gati me hipnotizonte sa herë që e shikoja.

Zombie-  The Carnberries

Për koincidencë kjo këngë pati dal pikërisht në kohën kur edhe te ne ishte gati të ndodhe lufta e situata ishte e ndjeshme. Kjo këngë konkretisht ma kujton një fundjavë kur prindërit e mi, por edhe gjithë prindërit e lagjes patën dalë në njërën nga protestat më masive të asaj kohe në Kosovë.

Don’t Let Kosovo Cry- Luljeta Kuraja

Kjo këngë më kujton kohën kur na u ndërprenë shkollat, bombardimet e NATO-s, ikjen nga Kosova dhe komplet luftën. Këtë këngë e kemi dëgjuar çdo natë para se të fillonin lajmet qendrore të mbrëmjes. Por kisha dashur t’i cek dy situata: Kam qenë si tip më e tërhequr, kam pas një fletore edhe çdo ditë ndodhitë dhe disa nga lajmet e ditës i shkruaja. Më mungonte shkolla apo nuk e di, vetëm e di qe kam përshkruar çdo ditë të luftës në atë fletore. Dhe situata e dytë është kur nëna mi pati pre flokët, sepse po bëheshim gati me ik. E di që me pati thënë që vetëm pak po t’i prej, mandej kur e pashë vetën në pasqyrë dukesha si djalë. E di që pata qarë shumë.

 Children Of Kosovo – The Kelly Family

“Children of Kosovo” është kënga që e ka shoqëruar vazhdimisht qëndrimin tim si refugjate në një kamp të Maqedonisë. Me këtë këngë pata filluar për herë të parë t’i kuptoja disa fjalë anglisht. Si fëmijë nuk kemi ditur shume të mërzitemi, sepse kemi qenë të angazhuar në aktivitete te ndryshme që kanë qenë të organizuara nga kampi. Bile më kujtohet, për herë të parë me aktrimin jam ballafaquar aty, ku pata qenë pjesë e një drame të fëmijëve. Patën ardhur të na vizitojnë shumë personalitete të famshme botërore si futbollistë, aktorë, diplomatë e edhe grupi “The Kelly Family”. Ata e  patën mbajtur një koncert aty në kamp dhe njëra ndër këngët e kënduara ishte edhe “Children Of Kosovo” ndërsa në fund të koncertit na dhuruan fanella me mbishkrimin e tyre.

Requiem - W. A. MOZART

Fillimisht kjo vepër m'i kujton studimet në muzikë. Korridorin e Akademisë me shumë tinguj të akorduar e të çakorduar, ligjëratat, partiturat dhe erën e tyre. Provat e korit të pianos dhe koncertet, kafet me kolegë e profesorë pas provave dhe ato diskutimet tona rreth veprave te ndryshme. Ma kujton veten si mësuese shumë të re të muzikës, m'i kujton ish nxënësit mi të mirë. Veçantia me e madhe ishte se gjatë kohës sa unë isha studente, punuam këtë vepër dhe më kujtohet që pati dal si një ndër koncertet më të mira të Akademisë së muzikës së asaj kohe. Më kujtohen shoqet e mia më të mira që kanë qenë po ashtu të angazhuara në këtë vepër. Kjo vepër më bën të rrëqethem, të qaj, të qesh, të gëzohem, të ndjej përtej, të falë, të jap dashuri, t'ua di vlerën gjërave që kam, të kërkoj më shumë nga vetja, nga jeta, të mos dorëzohem kurrë, të dialogoj me veten në dimensione të ndryshme. Me një fjalë, kur e dëgjoj “Requiem”, meditoj bashkë me gjithësinë.

We Are The Champions - QUEEN

Natyrisht imazhet e para që na dalin të gjithëve kur dëgjojmë këtë këngë  janë ato fitoret e ekipeve të mëdha të futbollit. Fitoren e madhe të një boksieri ose një krijuesi të madhe që ndoshta është dashur të sakrifikojë shumë për të arritur atë fitore. Ndërsa mua personalisht kjo këngë ma ushqen edhe ma kultivon shumë ndjenjën e ambicies sa herë e dëgjoj këtë këngë.

Last Christmas- George Michael

Kur jemi te  periudha e Christmas mund t’ju them që e dua jashtëzakonisht shumë. Bredhin e stolisi më 1 dhjetor, sepse mezi pres. Pastaj kam qejf të ftoj shoqëri e të dal gati çdo natë të pi ndonjë gotë verë, të shkoj në kino, në koncerte. Kam qejf t'ju bëj njerëzve dhurata e t’i bëj të ndihen mirë. Viteve të fundit ka rastis që edhe të kem premierë të shfaqjeve të mia që e kanë plotësuar dhe pasuruar edhe më shumë këtë pjesë të bukur të vitit. /ZËRI/ 

 

Image