Në Kosovë duket një kulturë mimetike

Kultura October 21, 2017 - 09:15

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë Arsim Canollin, antropolog i kulturës. Canolli ka kryer studimet në Mbretëri të Bashkuar. Jep mësim në Departamentin e Antropologjisë në UP. Ka përkthyer nga gjuha angleze nga fusha e antropologjisë dhe mendimit kulturor e politik. Ka shkruar monografi e ese për kulturën. Libri i tij i fundit është "Premisa antropologjike" 2016.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Më e shpeshta është: “Ça o kjo punë kështu?”

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Udhëtimi? Prej shtëpisë në çerdhen “Happy Kids”, pastaj në Fakultet Filozofik, nganjëherë në bufe të Bibliotekës Kombëtare. Pastaj kthimi në shtëpi në këmbë. Çdo fundjavë dal me ecë, me pa, me njohtë Kosovën, kryesisht në vende malore, por edhe në fshatra të rrafshit e qytete të vogla. Kosova është vend fort i bukur.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Kujtesa ime nuk ka formë vitrine, as në sensin metaforik të fjalës. Por, libri që e mbaj mend dhe e kujtoj shpesh është romani “OH” i Anton Pashkut. Ka edhe libra të tjerë, kryesisht të fëmijërisë si “Lugjet e verdha”, “E bukura e dheut”, “Përralla popullore”, etj.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Personalisht nuk ndjej se kam krizë të thellë morale apo krizë identitare. Po ashtu, nuk besoj se ka krizë të thellë morale e identitare as në shoqërinë tonë. Pse duhet të gjykohet se ka krizë të thellë morale e identitare? Kur themi se ka krizë të thellë morale atëherë duhet ta krahasojmë atë me një gjendje të përsosur apo të kënaqshme. Por, nuk besoj se ka individ a shoqëri në botë që s’ka mëdyshje, që nuk heziton, që nuk matet dy herë para se të marrë një hap. Nuk besoj se ka gjendje të përsosur morale. Morali mund të afektohet nga ndryshimet apo “krizat” tjera, por morali është edhe gjendje në vete. Kjo është gjendja e homosapiens-it, që nga “kriza” kognitive dhe migrimi i tij rreth 100 mijë vitesh më parë, apo kriza “agrikulturore” para më se 10 mijë vitesh, deri te “kriza” industrialiste e shekullit 17 dhe 18. Tash po thuhet se do ta kemi krizën “virtuale” apo teknologjike. Por, në esencë, moraliteti i njeriut nuk ka ndryshuar edhe shumë. Ai e ndan bukën me tjetrin, kujdeset për të sëmurin, lufton për pushtet, lufton për mbijetesë, e do të voglin e vet, etj. Por, kur ka “kriza”, që janë më shumë teknologjike se sa morale, njeriu shpall “krizë morale” dhe gjen utopi për ta mundur, kthyer apo krijuar gjendjen e përsosur. Por, edhe me “utopi” është luajtur shumë: e dimë si e kanë shitur utopinë Marksi dhe revulocionarët komunistë në 200 vitet e fundit, sepse edhe sot e kësaj dite kemi këso “inxhinierësh të gjendjes njerëzore” që duan shoqëri sipas utopive të tyre mendore, në emër të ruajtjes së moralit njerëzor e shoqëror. Shoqëria shqiptare ka jetuar brenda një sfere morale të strukturuar prej parimeve kanunore që ka ruajtur harmoninë familjare, fisnore e ndërfisnore. Ka aspiruar drejt një lirie, barazie e pavarësie që kryesisht e ruan harmoninë. Ideologjia e disejnimit të moralit nga lartë, nga Partia-shtet, si në rastin e  komunizmit, ka përfunduar në ndeshrashje mes moralit kanunor dhe moralit shtetëror, që ka qenë ideologjik-diktatorial në këtë rast. Edhe sot, ideologjia e emancipimit të mendjes, që vjen në formë të rrymave të ndryshme, kinse për ta shpëtuar shoqërinë nga fundosja që po i bën “ky” ose “ai” faktor, po krijon mendje servile. Edhe sot kemi këso ideologjish dogmatike që kanë shtrirë franshizat e filialat e tyre në Kosovë dhe na diktojnë si të sillemi në politikë, kulturë, akademi, jetë sociale, në shtrat, në tavolinë buke, etj. Të gjitha synojnë “përmirësimin apo emancipimin e njeriut” gjithnjë në emër të emancipimit të shoqërisë. Këto janë diktate sepse propaguesit e tyre sillen si diktatorë trushpërlarës: provo t’i thuash një feministi që nuk pajtohesh me të, apo një OJQ-isti të edukuar në “projekte teknike” që do me shndërruar politikën në projekt, se nuk pajtohesh me të. T’i “nxjerrin sytë”! Ata harxhojnë shumë energji për të diktuar “pikëpamjet”e tyre te të tjerët. Por, nëse insistojmë se sot ka krizë morale e identitare, atëherë shkaku i saj mund të jetë fakti apo perceptimi se shoqëria jonë ka pengje. Në momentin që të bëhemi shoqëri me më pak pengje, kryesisht në sensin politik e kulturor të fjalës, në sensin se marrim më shumë vetëbesim, atëherë krizat do të shihen, ndoshta, si më të zakonshme dhe më të përballueshme, sikurse te krejt shoqëritë tjera.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Arti në Kosovë ka qenë kryesisht art i pasojës në sensin që “mesazhi” politik a social ka qenë në vend të parë e arti është bërë si pasojë e tij. Si në letërsi, si në skulpturë, si në pikturë, si në muzikë, kryesisht ka mbretëruar ky sens dhe deri diku ende gjallon i njëjti sens. Së fundi, kemi indicie të ashtuquajtura postmoderne, që në esencë, janë gjithçka tjetër pos art që fisnikëron njeriun. Janë kritika sociale e ironike për aspekte të shoqërisë. Bëhen në formë instalacionesh e këso gjërash. Në sensin e gjerë të fjalës kulturë, në sensin antropologjik të fjalës, në Kosovë duket një kulturë mimetike. Për shembull: imitohet “jashtja”, rrymat, modelet e idetë që zhdaraviten nëpër sheshet e “show”-et e vendeve perëndimore. Pastaj ka tendencë kah tradicionalizmi, fetarizmi, nacionalizmi, etj. Sa ka tendencë për centralizim kulturor aq ka tendencë për variante. Mendoj se kultura shqiptare, në esencë, është kulturë e varianteve dhe centralizimet e cilitdo lloj, e kryesisht fetarizimet, janë ideologji që punojnë kundër kulturës shqiptare. 

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Dje ke fort mirë. Sot u duk mirë. Nesër, të shohim.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Piktura: një pikturë pa titull nga Rrita, vajza ime. Poezia: “Kripa e fjala” nga Imri Musliu. Kënga: “Kanga e Demë Ahmetit”, nga Riza Bllaca.  Filmi: “Dead Birds” nga Robert Gardner.