Jeniçeri i Buxhovit si reflektim në jetën tonë

Kultura October 20, 2017 - 08:20

Jusuf Buxhovi, përveç si romansier, njihet edhe si gazetar, përkatësisht si publicist dhe historian. Është i njohur edhe kontributi i tij në fushën e politikës, ndërsa është njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.   

Në fushën e romanit Buxhovi del të jetë nga autorët më të frytshëm të letërsisë sonë, por edhe njëri nga autorët më të lexuar dhe më të vlerësuar nga kritika letrare dhe nga lexuesit.  

Romanet e tij Buxhovi tematikisht i ndërlidhë me historinë, duke bërë kështu që historia të kthehet në fakte letrare dhe kjo vërehet mjaftë mirë përmes inkorporimit të historisë të një narracioni të gjerë brenda tekstit.

Tematikat historike në veprat e tij Buxhovi i ka realizuar çoftë duke u bazuar në dokumente historike apo edhe në ngjarje të kohës të trajtuar përmes një filozofie historike, e cila tek lexuesi jo vetëm se ka dhënë informacione për periudha kohore të trajtuara historikisht, por edhe ka arritur që estetikisht të shtrojë ndikimin tek ta.

Edhe romani “Jeniçeri i fundi” në qendër të narracionit ka historinë. Romani vë në pah një insert ngjarjesh historike, siç është ajo e shthurjes së formacionit të jeniçerëve, për të vazhduar me procesin e shkatërrimit të Perandorisë Otomane të shkaktuar nga fuqitë e mëdha të asaj kohe.

Personazhi-narrator, kthehet në vendlindje, duke bërë kështu t’i kthehet një pjesë e humbur e jetës së tij, ajo e fëmijërisë, kujtimet e së cilës zgjojnë shpirtin e tij të njomë ashtu si kishte shkuar, në një trup të thyer ashtu si ishte kthyer.

Në roman, paraqitet një rrëfim linear i ngjarjeve dhe përjetimeve në dy kohëra.  Kujtimet e fëmijërisë pas tetëdhjete vitesh shfaqen si vazhdim i një jete të lënë përgjysmë. Përfytyrimet, kujtimet, ambienti, dalin si shenja komunikimi, të cilat i mundësojnë narratorit të kuptojë fjalët para nisjes për rekrutim si jeniçer. Ky komunikim arrihet përmes simboleve dhe figurave si gjarpri, guri, shtëpia, pema, dija, gjaku, të cilat pas kalimit të një kohe arrijnë ta marrin formën e porosisë, e cila i ishte dedikuar atij.

Figura e  “gjarprit të pemës” dhe ajo e “gjarprit të shtëpisë”, marrin formën kuptimplote pas kthimit në vendlindje. Lëkura e “gjarprit të shtëpisë”, për të cilën i kishte folur e ëma dhe lëkura e “gjarprit të pemës” , tani ishin bashkuar në një kohë dhe situatë tjetër, por në të njëjtin vend prej nga ishte nisur jeniçer i ri , tani i thyer në moshë.

Detyra e riorganizimit dhe strukturimit të rendit të bektashinjve përveç se i lë hapësirë personazhit narrator të rrëfejë  për rendet politike, ky pozicion autoritativ e kthen atë në kohën e kalimit nga lëkura e “gjarprit të shtëpisë” , në atë të “gjarprit të pemës” , i kujton fjalët të atit për dhuntinë hyjnore dhe kalimin nga dijet e vjetra në dijet e reja.

Romani ‘Jeniçeri i fundit”, nuk ndalet vetëm në pasqyrimin e gjendjes shpirtërore, e cila ka një vend kyç aty (që i jepet nga personazhi-narrator) , por shpreh edhe ndikimet politike tek personazhet tjera, ndikime këto të cilat çojnë edhe deri tek diferencimi i tyre, duke i bërë të dallueshëm për veprime politike, pra politika këta personazhe si Sheh Hima, Sadri Caushi, Sheh Nuha i bën shërbëtorë të saj.

Buxhovi, përmes këtij romani, lexuesit i servon një luftë të  karakterit të personazhit me vetveten, kalimin nga dijet e vjetra në të rejat, por jo vetëm. Këtu jepet edhe një pjesë e historisë dhe veprimeve politike të kohës.