Të enjten hapet edicioni i XXI "Ditët e Naimit"

Kultura October 19, 2017 - 08:44

Sot, në Qendrën e Kulturës "Naim Frashëri", në Tetovë, Drejtoria e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit", mbajti Konferencën e shtypit, ku prezantoi Programin e Edicionit të XXI, i cili do të mbahet prej 19-22 tetor 2017, në Tetovë dhe në Pogradec.

Gjatë këtyre ditëve do të zhvillohen një sërë aktivitetesh letrare, artistike, muzikore, revisë së shtëpisë botuese të Festivalit, pastaj do të vizitojnë disa vende kulturore e historike të qyteteve që prekin liqenin e Pogradecit. 

Në këtë edicion ardhjen e kanë konfirmuar 30 poetë nga vende të ndryshme si SHBA, Porto Riko, India, Izraeli, Danimarka, Suedia, Gjermania, Italia, Holanda, Izraeli, Spanja, Katalonia, Turqia, Greqia, Serbia, Bullgaria,etj, si dhe nga e gjithë hapësira shqiptare. 

Ceremonia e fillimit të Festivalit do të bëhet para Qendrës së Kulturës, Tetovë, më 19 tetor (e enjte), në orën 19.30. Laureati i Festivalit, poeti amerikan Xhorxh Uallas dhe Drejtori i Festivalit, do të vendosin buqete lulesh te shtatorja e poetit kombëtar Naim Frashëri, që ndodhet para Qendrës së Kulturës.

Ndërkaq, në orën 20.00, në Sallën e Madhe, do të bëhet hapja e Festivalit. Hapjen e Festivalit do ta bëj drejtori i Festivait, Shaip Emërllahu. Me pas në orën e madhe poetike "Globi poetik", poetët nga mbarë bota dhe ata shqiptarë do të lexojnë krijimet e tyre. Gjatë këtij programi letrar, artistik e muzikor, laureatit të këtij Edicioni, Xhorxh Uallas do t'i dorëzohet çmimi i madh letrar "Naim Frashëri", si dhe do t'i jepet titulli Anëtar Nderi i Festivalit. Po ashtu, Drejtoria gjithashtu në këtë hapje të Festivalit do t'i dorëzojë titullin Anëtar Nderi edhe poetit të njohur nga Greqia, Dinos Koubatis.

Në ditën e dytë të Festivalit, në orën 10, në lokalin "Oda" do të mbahet përurimi i gjashtë titujve të poetëve të huaj e shqiptarë, botime të shtëpisë botuese të Festivalit. Ata janë: Libri i punimeve të Konferencës shkencore, që u mbajt vitin e kaluar, në 20 vjetorin e këtij operatori kulturor e letrar me titull "Ndërkomunikimet kulturore - 'Ditët e Naimit' dhe poeti kombëtar Naim Frashëri", ku janë përfshirë kumtesa të poetëve dhe studiuesve të huaj dhe shqiptarë.

LEXO EDHE: Një tjetër rrënim në Qendrën Historike të Prizrenit

Pastaj, libri me tregime i poetes Silke Liria Blumbach "Një vit pas vdekjes sime", me parathënie të poetit Moikom Zeqo, i poetit italian Xhuzepe Napolitano "Tetova e Poezisë", të përkthyer nga poeti dhe përkthyesi Arjan Kallço, i poetes amerikano- indiane Nivedita Lakhera, "Jastëku i ëndrrave", të përkthyer nga Silke Liria Blumbach, i poetit shqiptar Ndue Ukaj, "Krijimi i dashurisë" dhe antologjia e poetëve pjesëmarrës të këtij edicioni "Vallëzim refugjati". Librat janë përgatitur nga Shaip Emërllahu. Për këto libra do të flasin poetët dhe studjuesit Ndue Ukaj, Migena Arllati, Xhelal Zejneli, Remzi Salihu dhe Reshat Sahitaj. Në kopertinat e librave ndodhen pikturat e profesoreshës së artit, Majlinda Kelmendi.

Pas përurimit të librave, poetët do të nisen për në Pogradec. Në mbrëmje, në sallën e kulturës "Lasgush Poradeci" do të mbahet ora e madhe letrare "Meridiane poetike", ku pritet që poetët t'i përshëndes kryetari i Bashkisë së Pogradecit. Në këtë orë poetike do të ndahen çmimet tjera letrare të Festivalit, "Menada", "Ditët e Naimit", "Oeneumi", "Qiriu i Naimit" dhe çmimi "Silke/Liria".

Në këtë festival do të ekspozohen veshje kombëtare shqiptare dhe do të ekzekutohen disa pika muzikore nga artistët: Kastriot Marku, Shkëlzen Pajaziti dhe Biondina Selami. Poezitë e poetëve do t'i lexojë në shqip aktori Arsim Kaleci, ndërsa do t'i përcjellë me kitarë Naser Dula. 

Në mbyllje të Festivalit poetët do të vizitojnë disa monumente kulturore në Pogradec, ku poetët do të vendosin buqete lulesh te shtatoret e poetëve të mëdhenj, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Në rrugë për në Tetovë ato do të vizitojnë edhe Ohrin e Strugën. /ZËRI/