Autobiografia e mjeshtrit të realizmit magjik

Kultura October 18, 2017 - 08:45

"Jeto për ta treguar", libër autobiografik prej 530 faqesh, është vetëm vëllimi i parë i trilogjisë së planifikuar të nobelistit Gabriel Garcia Marquez, i cili vjen në shqip nga përkthimi i veçantë i Bashkim Shehut dhe në botim të shtëpisë "Onufri".

Vetë autori, përkatësisht autobiografi, në formë prologu e fillon librin me këtë tekst: "Jeta nuk është ajo që ke jetuar, është ajo që të kujtohet dhe ashtu siç të kujtohet për ta rrëfyer". Dhe në këtë vëllim Marquez rrëfen jetën e tij nga fëmijëria, përkatësisht nga vitet 30 e deri në vitet 60, për ta përmbyllur me njohjen e bashkëshortes së tij. Është ky një rrëfim që nuk përkon me klishetë e njohura të këtij lloj shkrimi, madje si i tillë edhe shtron shumë dilema, ndërsa prishë kufijtë mes tekstit autobiografik, romanit autobiografik dhe tekstit të memoareve, madje mund të thuhet se është një kombinim i të gjitha këtyre.

Në këtë vëllim Marquez i kushton një hapësirë të gjerë nënës së tij, e cila, siç thotë ai, vdiq po të njëjtën ditë kur autori u kishte vënë pikë këtyre kujtimeve, përkatësisht më 9 qershor 2002, pak pa e mbushur një shekull jetë, ndërsa ajo kishte lindur në Barrankas më 25 korrik 2005. Dhe në këtë pjesë gjejmë një hapësirë të dukshme tekstore, e cila është e mbushur edhe me situata të një reflektimi gati infantil, por që gjithsesi përbënë shenjën më dalluese të përcaktimit të karakterit të autorit, përkatësisht talentit të tij të jashtëzakonshëm për të luajtur me fjalët dhe me situatat.

Në fakt, nga këtu ndërtojmë konstatimin se autori ka të drejtë kur dëshmon se: "Tek "Ora e ligë", romani im i tretë, disa nga gjërat reale qenë më të mira se ato që trillova unë". Dhe vërtet i gjithë libri përbën një dëshmi të pakontestueshme se nuk ka më fantastik se realiteti. Në fund të fundit, letërsia nuk është tjetër vetëm se zdrukthtari. Me të dyja ju keni punë me realitetin, me një material po aq të vështirë sa druri, do të shprehet në një rast Marquez. Mbështetur në këtë Marquez edhe prish kufirin mes faktit dhe fiksionit. Zor është ta dallojmë se kur dhe ku fillon rrëfimi i faktuar dhe kur dhe ku ai i imagjinuar. Shembuj për këtë ka në gjithë librin, i cili si i tillë më shumë ngjet në një autobiografi të romanizuar.

Përtej imagjinares është përshkrimi i rastit të Xhek Zorrënxjerrësit, i cili ngatërron zemrën e kaut me zemrën e muratorit, sikundër dhe përshkrimi i marrëdhënieve me zonjën Neglomante dhe burrin e saj polic, për të cilën komshinjtë ankoheshin se ajo u prishte paqen të vdekurve me ulurima prej bushtre të lumtur. Në një rast, për të shpërfaqur një situatë morbide, ai do të shprehet kështu: "E vetmja vështirësi për mua në kolegj ishin ca makthe kobzeza, të trashëguara nga nëna që vazhdonin në ëndrrat e të tjerëve me ulurima përtej varrit. Në makth që ndoshta mund të krahasohej me atë të nënës, e cila kishte në prehër kokën e vet dhe po e pastronte nga thënijat dhe nga morrat që nuk e linin të flinte".

Në fakt kjo është vetëm një dëshmi për mjeshtrin e madh të prozës, një si shenjë karakterizuese për gjithë prozën e tij, të modelit të realizmit magjik. Dhe vërtet edhe në këtë libër dominon magjikja, e pabesueshmja, e cila është pjesë organike e jetës së autorit në Kolumbinë e mbytur nga konfliktet, nga paragjykimet, nga bestytnitë,,,

Marquez e pranon se ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e tij si krijues kishin pasur përrallat arabe "1001 net", të cilat veç sa kanë ndikuar t'i shoh dhe t'i njoh më mirë rrëfimet autoktone në ambientin ku është rritur. Sigurisht se dëshmitë e tij për pasionin ndaj leximit dhe përkushtimit për shkrimin janë të shumta dhe të mjaftueshme për të njohur udhën e tij drejt kulmeve të letërsisë, madje deri tek arritja e çmimit Nobel.

Ndoshta të gjitha marrëdhëniet shoqërore dhe politike të Kolumbisë së tij, Maerquez do t'i përmbledhë nëpërmjet një mbishkrimi: "Në tramvaje dhe në shurrëtoret publike, kishte një mbishkrim të trishtueshëm: "Nëse nuk i druhesh Perëndisë, druaju sifilisit!" Në fakt për gjatë gjithë rrëfimeve të tij vërejmë se Marquez nuk i është frikuar asnjërës, as tjetrës, ndërsa jetën e harxhon në ngushëllim me seksin dhe në dëshpërim si komunist skeptik, ku pjesët më të bukura i ndërton nëpërmjet orës komuniste dhe njohjes me revolucionarin Fidel Kastro.

Karakteristikë e këtij libri është rrëfimi jolinear, përkatësisht kapërcimet e kohëve dhe shkrirja e tyre në mënyrën që të mos dallohet fakti nga fiksioni, përkatësisht që fakti të "fiksionalizohet", gjë kjo e cila shpesh na krijon përshtypjen sikur kemi të bëjmë me një intertekst. Në përgjithësi ky libër na shfaqet si një autobiografi e romanizuar që lexohet me kënaqësi, ndërsa në çdo faqe na e shpërfaq mjeshtrin e madh të narracionit.         

Sigurisht që kapitull i veçantë i këtij libri në trajtim është puna e mrekullueshme që ka bërë në përkthim Bashkim Shehu. Në këtë kuptim ky libër duhet të na shërbej për model sesi duhet të përkthehet një libër. Bashkim Shehu është dëshmuar një liberal i madh në trajtimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe, madje një krijues i mrekullueshëm i neologjizmave, duke e nxjerr kështu shqipen nga kornizat e ngulfatura të një standardi kurrë të rishikuar. Shprehjet si këto: Duke mëngjesuar, gjëmajat e larta kmbanojnë, gomarojnë, zogojnë, zymtare, etj, janë veç një dëshmi e vogël për shprehjet që përdorë autoi i përkthimit në këtë libër, e që në fakt ky libër meriton një vështrim të veçantë vetëm për këtë.   /Zeri.