“55 Shades Of Gay” shfaqet në Tiranë

Kultura October 17, 2017 - 08:17

Më 18 tetor, me fillim nga ora 20:00, në Teatrin Kombëtar në Tiranë, prezantohet shfaqja nga Prishtina, “55 Shades Of Gay”. Kjo është një performancë teatrore e Qendrës Multimedia nga Prishtina.

Me tekst të Jeton Nezirajt e regji nga Blerta Neziraj, shfaqja sjellë në kastën e aktorëve Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj dhe Luan Durmishi (vokal). Skenografinë dhe kostumet i ka përgatitur Sebastian Ellrich, kurse muzikën Irena Popovic, ndërsa koreografinë Florian Bilbao.

Hyrja do të jetë falas, por megjithatë organizatorët sugjerojnë që publiku të rezervon ulëset në numrin: 042223022.

Qendra Multimedia nga Prishtina, e konsideruar si njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore, sjell sërish në skenë, në një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI.

“55 Shades Of Gay” është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të OJQ-ve ndërkombëtare shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelë fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve, ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.

Në këtë trini, manipulim, abuzim, nënshtrim, pyetja që shtron shfaqja është:

A është i mundur një çlirim seksual në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një “Pranverë ballkanike të revolucionit seksual”?

Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar sipas udhëzimeve të BE-së.

“55 Shades Of Gay” është realizuar nga një kastë e 5 aktorëve të mrekullueshëm kosovarë dhe nga një ekip i artistëve teatrorë eminentë nga Gjermania, Kosova, Franca dhe Serbia. Kjo shfaqje është financuar nga The Olof Palme International Center dhe Goethe Institute. /ZËRI/