Aktorët e TKK-së duan paga të nivelit universitar

Kultura October 17, 2017 - 08:12

Ndonëse figuron në programin e Teatrit Kombëtar të Kosovës për muajin tetor, shfaqja “Bordel Ballkan” nuk u prezantua në skenën e këtij teatri të hënën.

Për herë të parë në TKK nuk u dha një shfaqje si rezultat i grevës së aktorëve rezidentë.

Shoqata Sindikale e TKK-së paralajmëroi gjatë ditës se kjo grevë po ndodh pas mospërfilljes së kërkesave të tyre nga ana e MKRS-së për rritje pagash.

Aktualisht paga bruto e aktorëve rezidentë të TKK-së është 437 euro.

Ata kërkojnë që kjo pagë të ngrihet  në nivelin e pagës se profesorëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë pagë bazë prej 1.150 euro. Sipas tyre, përafërsisht njëjtë paguhen aktorët e teatrove në rajon.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të TKK-së, Ismet Azemi tha se anulimi i kësaj shfaqjeje po bëhet si shenjë e kësaj greve të sapo nisur, kurse pas kësaj, që nga e marta, repertori i shfaqjeve vazhdon, por ata i japin MKRS-së 10 ditë ultimatum për të shqyrtuar kërkesën e tyre.

Sipas Azemit, nëse as pas 10 ditësh MKRS nuk reflekton, greva e tyre do të përshkallëzohet.

“Shoqata Sindikale e TKK-së në koordinimi me Sindikatën e Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë, kemi marrë vendim që të hymë në grevë. Më vjen keq që sonte publiku nuk do të mund ta sheh shfaqjen ‘Bordel’, por aktorët gjithsesi do të jenë aty së bashku me publikun, ndonëse jo në skenë. Po e anulojmë shfaqjen t'ua bëjmë me dije institucioneve që kërkesat tona janë serioze”, tha Azemi për "Zërin".

Edhe Lutfi Mani, nënkryetar i SBASHKU-të, konfirmoi mbështetjen e kësaj sindikate ndaj kësaj greve të nisur.

“Ne sot i kemi paralajmëruar institucionet, të cilët janë shprehur gjithmonë të gatshme, por problemet kanë mbetur aty të pazgjedhura. Paga e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës është në gjendje të mjerueshme dhe këta nuk po duan as më shumë e as më pak sesa një pagë të dinjitetshme, që e kanë aktorët e rajonit. Kjo është e mundshme, sepse teatri nuk i ka 1000 punëtorë, por është një numër shumë i vogël që e mban gjallë këtë institucion. Ne si SBASHK apelojmë tek institucionet e Kosovës në mënyrë që kjo grevë të mos përshkallëzohet”, tha Mani.

Në anën tjetër aktori i teatrit dhe anëtari i Shoqatës Sindikale të TKK-së, Adrian Morina tha për "Zërin", se siç duket institucionet nuk po e marrin seriozisht punën e tyre.

“Kishim dashur që të mos vijmë deri te ky moment. Anulimi i shfaqjes është masa më radikale që ka ndodhur në TKK ndonjëherë. Përveç për publikun është fatkeqësi e madhe edhe për mua që kam pasur të luajë sonte. Kjo është një shfaqje për të cilën na kanë kërcënuar dhe ne e kemi bërë të pamundurën ta luajmë, e tash vijmë me një pikë kur duhet ta anulojmë shfaqjen vetë. Si duket institucionet s’po na marrin shumë seriozisht dhe po i dukemi vetëm si disa njerëz që bëjnë humor, por për gjendjen tonë janë përgjegjës ata”, tha Morina, duke shtuar se greva nuk është masa e vetme.

Ndonëse u tha që greva përkrahet nga gjithë aktorët rezidentë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pak prej tyre u panë të pranishëm në konferencën e organizuar për media.

Anëtarët e Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës theksuan se  kërkesën për pagë prej 1.150 euro e bazojnë në përgatitjen e tyre profesionale, shkollimin adekuat dhe orët shtesë të punës të cilat i mbajnë.

Në anën tjetër, i kontaktuar nga gazeta “Zëri” Samir Hoxha, këshilltar i ministrit Kujtim Gashi, tha se Kabineti i Ministrit nuk e sheh si zgjidhje sabotimin e punës që po bëhet nga ana e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Sipas tij MKRS është e interesuar të bëjë zgjidhje të problemit përmes dialogut me artistët.

“Është e vërtetë që para 10 ditësh jemi takuar me përfaqësuesit e Sindikatës së Teatrit Kombëtar me ç’rast ata para nesh kanë paraqitur kërkesat e tyre për rritje të pagave, bazuar në disa premtime të ministrit paraprak. Ne si kabinet i ri i MKRS e kemi mirëpritur lëvizjen e pagave, mirëpo neve duhet të na jepet kohë të zhvillojmë konsulta të mëtutjeshme edhe me Ministrinë e Financave për të parë mundësit. Do të ishte më mirë të bëhej ligji për krijuesit dhe përformuesit në mënyrë që të vlerësohet edhe më shumë puna e tyre. Mirëpo siç duket ata nuk kanë durim të presin dhe kanë paralajmëruar një futje në grevë. Nuk mendojmë se zgjidhja e këtij problemi bëhet përmes bojkotit, por përmes dialogut dhe ne jemi të hapur për të biseduar me ta dhe të ofrojmë një zgjidhje për këtë kategori të rëndësishme”, tha Hoxha duke shtuar se e vlerësojnë lartë rolin dhe punën e tyre, mirëpo ata si Ministri kanë nevojë për pak kohë. /ZËRI/