Robert Elsie do të prehet në Shqipëri

Kultura October 16, 2017 - 17:02

Robert Elsie, albanologu i njohur që u nda nga jeta pak javë më parë, do të prehet në Shqipëri.

Qeveria shqiptare ka përmbushur amanetin e studiuesit për tu prehur në tokën që e deshi aq shumë, shkruan “Zeri.info”.

Më 17 tetor trupi i tij do të qëndrojë në mjediset e Bibliotekës Kombëtare për homazhet dhe nderimet e fundit, nga ora 14:00 deri më 16:00. Më pas ceremonia e përcjelljes për në Shkodër do të zhvillohet në Bibliotekën Kombëtare në ora 16:00.

Robert Elsie lindi në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë më 29 qershor 1950. Ai ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku studioi për filologjinë klasike dhe gjuhësinë dhe u diplomua më 1972. Po në atë vit, erdhi në Evropë me një bursë studimesh. Robert Elsie vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), pastaj në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta (Ecole Pratique des Hautes Etudes) në Paris, në Institutin e Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti doktoraturën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji më 1978.

Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bon-it kishte kontakte të rralla me studiues nga “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë” dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të ‘takimeve shkencore’ midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. /Zëri/