Vështirë ta kuptosh konformizmin e elitave tona intelektuale

Kultura October 15, 2017 - 12:16

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë profesorin dhe studiuesin e letërsisë Muhamet Hamiti (1964), profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës. Ka bërë studime për letërsi në Prishtinë, Zagreb e Londër. Ka botuar tre libra me studime për letërsinë, “Aspekte të romanit të E. M. Forsterit”, “Proza moderne” dhe “Besimi letrar”. Ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Ibrahim Rugova dhe ambasadori i parë i Kosovës në Londër.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Këtë nuk e di. Bluaj në mendje çështje të ekzistencës së njeriut tonë, nga naltësia e synimeve (liria e Republika) deri te honet morale, që të dyja këto të dekadave të fundit. Jeta normale do të duhej të ndodhte në mes, jo në zgrip. Rrokem të kuptoj hipokrizinë që ka kapluar shoqërinë tonë, ndërsa konformizmin e hatashëm të elitave tona, e ke vështirë ta kuptosh, përveç si pjesë të kësaj gjame të hipokrizisë kolektive.

 Më konformiste është elita intelektuale sot se ç’ka qenë në Kosovë prej se mbaj mend unë. Të paktë e kam besimin, por jo të humbur krejt, se një pakicë e zgjedhur do të ketë dijen e guximin (duhet me ditë e me guxue!) që një ditë t’i thotë jo kompromisit me të ligën, padijen e imoralitetin, në emër të njëfarë vlere gjoja moderne të kompromisit. Kompromisi në variantin tonë është maskë për komprometimin në të cilin zhgërryhet shoqëria jonë.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Shkoj këmbë në punë, prej Dardanie, lagjes ku jetoj, te Fakulteti i Filologjisë në Prishtinë, ku punoj. (Nganjëherë dal me ecë në Gërmi.) Kur shoh gjendjen në Universitet, ku punoj gati tridhjetë vjet, duke përjashtuar 4 vjetët kur isha ambasador në Londër, po e shoh që sa më shumë që bie vlera e arsimit universitar – në kohën kur kolegje që e quajnë veten universitete funksionojnë më shpesh si skema piramidale – aq më e madhe bëhet propaganda për ngritje të cilësisë në arsim.

Zhurmën më të madhe institucionale për cilësi e bëjnë ata që e kanë katandisur vetë sistemin tonë të arsimit të lartë. Dhe për fat të keq, një pjesë e madhe e njerëzve i besojnë kësaj. Kur sheh të ngrejnë profesorët anglezë alarmin për politikat e arsimit universitar në Britani të Madhe, prej më të mirëve në botë, s’ke si të mos trishtohesh nga furia propaganduese e zelltarëve të arsimit tonë kombëtar për ‘cilësi e kualitet’, ‘arsim e edukim’!

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Më shumë se një libër më sjell kujtesa kur përpiqem t’i jap kuptim jetës sime në ballafaqim – me veten dhe me të tjerët. Librat që më kanë bërë ky që jam. Thellë-thellë, në ind, i ke të gjithë librat që ke lexuar, edhe ata që të kanë pëlqyer, edhe ata që s’të kanë pëlqyer. Edhe këta të fundit janë të vlefshëm se të mundësojnë të forcosh argumentin tënd, të kundërt me tyrin. Një përgjigje e klishetizuar ndaj kësaj pyetjeje të formatizuar do të ishte të përmendeshin librat që ke lexuar e renditen te veprat kanonike a kryeveprat, atyre që u kthehesh me rilexime. Po e rilexoj së voni Dante Alighierin, Shakespeare-in, Tolstojin, Thomas Mann-in, James Joyce-in, por edhe Ndre Mjedjen, Lasgushin e Anton Pashkun.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Është për habi se si shqiptarët e Kosovës u emancipuan kulturalisht e kombëtarisht në rrethana fort të pafavorshme të sundimit të huaj e të komunizmit, përjetuan njëfarë iluminizmi të vonshëm, ndërsa sot tolerojnë zvetënim kulturor, herë-herë edhe identitar, jo vetëm nga presionet e globalizimit, por edhe joshjes nga neo-otomanizmi. Kush reagoi këtyre ditëve ndaj idesë së Zëvendëskryeministrit e Ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, që, duke folur në emër të vëllait kandidat për kryetar të Prishtinës, propozoi që të rrënohet Fakulteti i Filozofisë për të ndërtuar një qendër islamike aty? Me këtë rast, me fjalë, legjitimoi edhe Kishën Ortodokse Serbe të ndërtuar në kampusin universitar. Askush nuk reagoi. As Universiteti i Prishtinës, as Qeveria, as partitë politike.

Çfarë mund të thoni për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Ka zhvillime të plogëta kulturore, nëse nuk përfshin këtu kulturën manifestative, muzikën argëtuese. Njeriu ynë u është dorëzuar sot shtytjeve për kënaqësi të lehta. Kënaqësitë e vështira të leximit nuk i do. Mbasi prej pushtetit e qeverive janë topitur mendërisht me idetë e barazisë, me relativizmin e skajshëm të vlerësisë (çdo gjë që i ngjet letërsisë, artit e kulturës është letërsi, art, kulturë; çdokush vlerëson, thua se mendimi i ekspertit dhe i amatorit kanë të njëjtë vlerë), njerëzit ziejnë në kazanin e kënaqësive. Kjo farë korrektësie politike (political correctness), që shmang gjykimet nga frika se fyen kë, ka krijuar këtë çorodi kulturore që s’ka fund.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Për mua dhe për shumicën, pa dashur të flas në emër të tyre, dje ishte kohë e vështirë, por që e kujtojmë me mall sot. E sotmja është gjeratore që s’dihet çka do të sjellë nesër. Për nesër ka shpresë.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Le të jenë kësaj here: piktura  “Nata me yje” (1889) e post-impresionistit Van Gogh, poezia “The Second Coming” (Ardhja e dytë) (1919) e poetit irlandez W. B. Yeats, sidomos vargjet “Më të mirët s’besojnë në asgjë/më të këqinjve zemra u gufon gjakime të serta”, kënga “Wish you were here” (Sa do të doja të ishe në mesin tonë) e Pink Floyd-it; filmi, “A Beautiful Mind” (2001).