Sulm fizik mes profesorëve në Fakultetin e Arteve

Kultura October 13, 2017 - 08:47

Profesori i Fakultetit të Arteve, Alban Nimani, ka deklaruar të enjten se është sulmuar fizikisht nga një profesor tjetër i këtij fakulteti, Mehmet Behluli.  Fillimisht njoftimin Nimani e ka bërë përmes rrjeteve sociale.

“Të dashur miq, dua të ju informoj se sot, në zyrën e prodekanit të Fakultetit të Arteve, jam sulmuar fizikisht nga një profesor me marrëdhënie të rregullt pune që quhet prof. asoc. Mehmet Behluli. Falë zotit që jam megjithatë person gjakftohtë.

Ky është niveli më i ulët në të cilin mund të bie një institucion publik i edukimit, e aq më tepër një Fakultet i Arteve. Ky institucion ka rënë nën çdo nivel etik, prandaj kjo letër është dorëheqja ime e parevokueshme nga Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Arteve”, ka shkruar ndër të tjera Nimani.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, Alban Nimani tha se rastet e tilla duhet të jenë të papranueshme brenda një institucioni si UP-ja.

“Ai hyri në zyre dhe filloi të bërtiste, unë i thash se s’ka nevojë të bërtas dhe ai filloi të më sulmonte fizikisht. Kolegët pastaj filluan të na ndajnë”, tha Nimani.

I pyetur se çfarë keqkuptimesh kanë pasur më profesorin Behluli, Nimani theksoi se ata mes vete kanë pasur thjesht disa mospajtime.

“Më herët dihet se kemi pasur disa mospajtime, por asgjë aq drastike sa të kalojë në dhunë fizike. Ne jemi profesorë dhe mund ta shpreh secili mendimin e vet. Për këtë punë është universiteti. Unë e kam lajmëruar rastin tek Policia e Kosovës dhe rektori i Universitetit të Prishtinës. Kam kërkuar që Rektorati, bashkë me Senatin e Universitetit të Prishtinës të marrin masa të rënda ndaj këtij profesori që të mos ndodh më diçka e ngjashme në Universitetin e Prishtinës, sepse kjo mund t’i ndodh gjithkujt, ndoshta edhe vetë rektorit, nëse nuk merren masa”, përfundoi Nimani.

Në anën tjetër, i kontaktuar nga gazeta “Zëri”, profesori Mehmet Behluli mohoi të ketë sulmuar Nimanin fizikisht.

“Nuk është e vërtetë aspak. Ai djalë i ri ka temperament, por nuk është e vërtetë ajo çfarë thuhet. Nuk e kam sulmuar fizikisht, unë nuk e sulmoj askënd. Kemi pasur një diskutim verbal, por asgjë më shumë”, përfundoi Behluli.

Pritet që në ditët në vijim Policia e Kosovës apo edhe Rektorati i UP-së të dal me një qëndrim për rastin.