Klara Buda, gjithmonë me një sy kah Kosova

Kultura October 12, 2017 - 08:33

Brenda vitit 2017 kjo është hera e dytë që shkrimtarja, gazetarja dhe eseistja nga Elbasani, Klara Buda po viziton Prishtinën.

Në qershor ajo erdhi në Panairin e Librit dhe nga kryeqyteti kosovar u kthye me çmimin e veçantë për eseistikë, kritikë dhe publicistikë, që iu akordua librit të saj “Kosova mon amour”.

Image

Këtë vjeshtë ajo ka ardhur në Prishtinë për ta promovuar ribotimin e këtij libri nga shtëpia botuese “Pema” në kafe-librarinë Dit’ e Nat’.

Për gazetënZëri Buda, gazetarja e cila më 1998 në Paris ideoi dhe redaktoi peticionin “Fati i Kosovës – deklaratë e përbashkët themelore”, tregon se ky libër bartë në vete shqetësimin e saj për Kosovën, totalitarizmin dhe letërsinë.

“’Kosova mon amour’ nuk është shkruar si një libër më vete, në përmbajtje të tij janë përzgjedhur artikuj dhe ese që shprehin shqetsimin tim qytetar dhe duke qenë se secili autor është polivalent, për të plotësuar një kuadër krijues, është e rëndësishme të botohen edhe pjesë të eseistikës, siç është e rëndësishme të botohen edhe një pjesë e poezisë apo e shënimeve të udhëtimit”, thotë ajo.

Ky libër na tregon se si Buda e njohu çdo pjesë të Kosovës gjatë bombardimeve në mars të 1999, derisa raportonte prej Parisit, si gazetare e Radio Francë Internacionale.

“Çdo mëngjes herët sa mbërrija në zyrë konsultoja agjencitë ndërkombëtare të shtypit mbi goditjet ajrore të aleatëve, duke gjetur një nga një në hartë zonat e bombarduara. Kështu e kam zbuluar këtë pjesë të atdheut dhe këtu e ka burimin edhe lidhja ime shumë emocionale me Kosovën”, kujton ajo.

Te “Kosova mon amour” ajo na flet për ish-presidentin Ibrahim Rugova, duke treguar se si e njohu ajo këtë politikan e kritik letrar, ku çmon lart “Refuzimin estetik”, po aq sa “Rezistencën paqsore”. Ajo analizon se këto nuk janë vetëm rezultat i studimeve të tij në Francë, në vendin e tolerancës, por janë burim i mençurisë së grave të Rugovës.

Sipas saj, në një familje ku burrat kishin ikur shpejt si rezultat i konflikteve me serbët ato i mësuan tolerancën dhe butësinë, që të mbijetonnin. Aty nuk mungon as portreti i William Walker-it, apo rrëfimet për tmerret që përjetuan gratë e Kosovës.

Duke folur për çmimin që iu dha në kuadër të Panairit të Librit, Buda thotë se ndjehet e vlerësuar dhe se kjo lidhet edhe me angazhimin e saj të hershëm për Kosovën.

“Me objektivitet them se kam milituar shumë për çështjen e Kosovës para dhe gjatë kohës sa kam qenë gazetare e edhe më vonë kam qenë shumë aktive në gjitha fazat e zhvillimit të Kosovës. Gjithmonë e kam pasur një sy nga Kosova. Që prej periudhës së luftës kam një lloj dobësie ndaj kësaj pjese të atdheut”, thekson Buda, duke shtuar se për të Kosova është një pjesë e atdheut që i duket më mikpritës.

Kur e pyesim se si e sheh Kosovën tani kur kanë kaluar gati dy dekada nga njohja e saj “me pjesën tjetër të atdheut” siç e quan, Buda thotë se i vjen keq për defektet e demokracisë që ndodhin në Kosovë, por shton se e gjithë kjo varet nga shoqëria.

“Më vjen keq për defektet e demokracisë që vërehen në Kosovë, por kjo është e pashmangshme në çdo demokraci të re; njëlloj siç më vjen keq për atë që ndodh në Shqipëri. Demokracia ka disa nivele dhe ajo që shpesh njerëzit nuk arrijnë dot ta perceptojnë është fakti se ky nivel varet nga ai i njerëzve. Sa më të hapur e tolerantë të jenë njerëzit, aq më shpejt vjen demokracia”, shprehet ajo për "Zërin".

Tutje shkrimtarja potencon se Kosova duhet të shohë nga e ardhmja.

“Shoqëria jonë duhet të dijë të falë, por vetëm me këtë kusht, që agresorët të marrin përsipër krimet dhe të kryejnë reparacionin. Serbia duhet të paguajë për dëmet e kryera nga shteti në Kosovë. Pa këtë akt asgjë nuk është e mundur. Reparacioni i viktimave është një etapë e domosdoshme, pasi ai ka të bëjë jo vetëm me kompensimin e dëmeve, por me garancinë për mos përsëritje dhe paqen sociale. Pa njohur publikisht krimet dhe pa kërkuar falje, Serbia do të vazhdojë të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme, siç janë UNESCO dhe Interpoli, do të vazhdojë të zvarrisë ndarjen e pasurive dikur të përbashkëta”, thotë Buda.

Një hapësirë e përbashkët kulturore e Kosovës e Shqipërisë ka qenë prej kohësh vizion i Klara Budës.

“Librin tim të parë e kam botuar në Tiranë dhe kam ardhur me iniciativën time ta promovoj edhe në Prishtinë, pikërisht në Dit’ e Nat’. Mendoj që çdo libër që botohet në Tiranë duhet të promovohet edhe në Prishtinë, për ta mbajtur një lidhje të pandërprerë. Sipas meje, hapësira kulturore midis Shqipërisë dhe Kosovës është një llokum dhe llokum dinamiti për kufirin politik”, thotë ajo.

Për të s’ka dyshim se e ardhmja i takon bashkimit të shqiptarëve.

“Mendoj që siç u bashkuan Gjermanitë, me shumë mençuri, e ardhmja i takon bashkimit të shqiptarëve, jo me parulla populliste, por përmes kulturës, gjuhës, artit e kinematografisë”, thekson shkrimtarja, duke shtuar se kjo do të ndodhë me iniciativa intelektuale të shoqërisë civile, kur të ndihet vërtet nevoja se së bashku jemi më të fortë.

“Sa jemi këtu dua ta përshëndes aktin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës që në Panairin e Frankfurtit kanë marrë librin tim, pra të një autoreje shqiptare. Nuk e di a ka ndodhur ndonjëherë që Shqipëria të bëjë të njëjtën gjë”, falënderohet kështu Buda.

Kur  e pyesim se sa mendon që tema e luftës së fundit ka zënë vend në letërsi e publicistikë, ajo thotë se beson që për këtë çështje do të shkruhet edhe më shumë vitet në vijim.

“Mua më është dashur të kalojnë 20 vite që të shkruaj për totalitarizmin në Shqipëri. Libri im i parë për totalitarizmin, ‘Kloroform’, është shkruar 20 vite pasi unë kam lënë Shqipërinë. Shumë njerëz me pyesnin pse tani, por unë thosha se tani u poq brenda meje dhe e shoh si një katarsis që duhet ta nxjerrë. Besoj që shumë romane për luftën e Kosovës janë në proces”, mendon ajo.

Aktualisht shkrimtarja Buda po fokusohet te shkrimi i fiksionit dhe ai kinematografik. A

jo është e angazhuar edhe në përkthimin frëngjisht të autorëve shqiptarë që u persekutuan në totalitarizëm, ku ka veçuar Mitrush Kutelin apo të autorëve madhorë Gjergj Fishta apo Anton Pashku.

Ndërkohë që gëzohet për përkthimin e veprës së dramaturgut më të madh shqiptar Teki Dervishi në frëngjisht.

E diplomuar në Histori arti në E.P.H.E. në Paris, në të njëjtin Institucion që frekuentoi edhe ish-presidenti Rugova, Klara Buda ka punuar edhe në UNESCO e BBC. Peticioni i saj për Kosovën, më 1998, që përmendëm në fillim të këtij shkrimi, u mbështet nga një numër intelektualësh francezë dhe luajti rol vendimtar në informimin e opinionit publik të Francës mbi pastrimin etnik që po ndodhte në Kosovë.

Ky peticion pati ndikim në instancat vendimmarrëse pranë presidentit Jacques Chirac, i pari që ndërmori kthesën e politikë franceze ndaj Kosovës dhe ishte në ballë të përfshirjes së Francës në bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi. /ZËRI/