Macron e Merkel hapin Panairin e Librit në Frankfurt

Kultura October 10, 2017 - 08:40

Po finalizohen përgatitjet që në Frankfurt të Gjermanisë të hapet Panairi i Librit, i cili sivjet do të shtrihet mes datave 11-15 tetor.

Është bërë tashmë e ditur se hapjen zyrtare të këtij panairi do ta bëjë presidenti francez Emmanuel Macron, së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Pasi panairi i vitit të kaluar u përqendrua në mënyrat se si botuesit të përdorin teknologji të reja, si realiteti virtual dhe printimi 3D, këtë vit organizatorët po kthehen përsëri në fillimet e botimit, duke u dhënë vëmendjen përsëri shkrimtarëve dhe lexuesve të tyre.

“Margaret Atwood, Dan Brown dhe Nicholas Sparks janë ndër autorët dhe emrat më të mëdhenj që do të zbresin në Panairin e Frankfurtit, që do të hapet këtë të martë, ndërsa panairi më i vjetër i librit në botë po bëhet për brezin e Instagram-it”, shkruan The Guardian, transmeton "Zeri.info".

“Ekziston një dëshirë për t’i parë autorët, për t’i prekur ata në jetën reale”, tha zëdhënësja e panairit Katja Böhne, para gazetarëve përpara ngjarjes pesëditore, që pritet të tërheqë më shumë se 270,000 vizitorë.

LEXO EDHE: Tani e këtu, sërish “Gillespie”

“Libri është më i gjallë se kurrë”, tha Böhne duke përshkruar një prirje në rritje të adhuruesve që radhiten për të parë autorin e tyre të preferuar në një atmosferë si të “pop-koncerteve”.

Franca është shteti mysafir në këtë panair dhe do të sjellë më shumë se 180 shkrimtarë në Gjermani, duke përfshirë disa nga autorët më të njohur të gjuhës franceze në botë. Ndërsa shfaqja e përbashkët e Macron dhe Merkel në këtë panair vjen pasi udhëheqësi francez kërkon të forcojë partneritetin e dy vendeve në shtytjen e tij për reformat evropiane.

Panairi i Librit në Frankfurt është ngjarja më e madhe botuese në botë, duke mbledhur së bashku më shumë se 7,000 ekspozues nga më shumë se 100 vende të botës.

Ndryshe, kjo ngjarje daton që nga mesjeta, e cila pati një zhvillim të hovshëm pas shpikjes së shtypshkronjës së Gutenbergut në Mainz.

Element i veçantë i këtij panairi janë gjithmonë mysafirët e nderit, të cilët marrin një vëmendje dhe hapësirë të caktuar.

Vitin e kaluar u raportua se këtë panair e vizituan 276 mijë njerëz, 2% më shumë se në vitin 2014. Ai tri ditë ishte në dispozicion ekskluzivisht për gazetarë dhe njerëz të brendshëm të industrisë së botimeve, kurse në fundjavë u hap për publikun. Në 2015-ën ky panair po ashtu ka ofruar vizita falas për refugjatët gjatë fundjavës me ciceron që flisnin gjuhën e tyre. /ZËRI/