Tani e këtu, sërish “Gillespie”

Kultura October 10, 2017 - 08:37

Blerta (vokal), Graniti (bateri), Guri (kitarë) dhe Isah (bas kitarë), kështu nga këta anëtarë përbëhet aktualisht grupi “Gillespie”, i cili para adhuruesve të muzikës së tyre sjell kryesisht muzikë që i takon zhanrit rok indie dhe alternativ.

Së fundi, pas një pauze “Gillespie” ka prezantuar para publikut albumin e ri të titulluar “Diku, dikur...”.

Ky është albumi i tretë i grupit muzikor “Gillespie”, i përbërë prej tetë këngësh, e i cili u promovua me një koncert gjatë muajit shtator, në Prishtinë.

Në fushën e basketbollit në lagjen “Ulpiana”, si për t’u përshtatur me natyrën urbane e prishtinase që reflekton grupi, u performuan këngët e albumit të ri, si dhe disa të dy albumeve të kaluara. Aty për ta dëgjuar grupin u mblodh një numër i konsiderueshëm njerëzish, shumë prej të cilëve sigurisht e kanë ndjekur “Gillespie”-n qysh nga paraqitjet e para në vitin 2004.

“Letër”, “Aq më bën”, “Trafiku”, “Qyteti i zbrazun”, “Mes rreshtave”, “Mbi re”, “Kaltër” dhe “Dimri shkoj” janë titujt e tetë këngëve të reja. Strofat në gegërisht e toskërisht dhe një e folur që identifikohet si “prishtinase”, e shoqëruar me tingujt e grupit, sjellin në çdo këngë, ndoshta jo një rrëfim të plotë, por të paktën një reflektim të mendimeve, të momenteve dhe të reagimeve të këtyre katër artistëve që bëjnë bashkë frymëzimet e tyre duke i shkrirë në këngë të veçanta, shkruan "Zëri".

Ndër vite karakteristikë e grupit “Gillespie”, që kur ngjitet në skenë, në çfarëdo mbrëmje muzikore, ka mbetur fakti se sjell vetëm krijimet origjinale që bëhen brendapërbrenda grupit. Kështu ka mbetur zëri femëror, i cili mbizotëron dukshëm mbi tingujt e djemve.

Albumi “Diku, dikur...” është i incizuar në “Studio C”. Muzika, aranzhmani dhe tekstet janë të gjitha prodhim i “Gillespie”-s, kurse producent i albumit është Dritëro Nikqi. Masterimi i albumit është bërë nga Michael Haves. Albumi në formën që doli vjen si produkt i një bashkëpunimi me një numër artistësh edhe, siç shprehen anëtarët e grupit, njerëzish të vullnetit të mirë.

Koncertit promovues të albumit i parapriu një mbrëmje më intime, e organizuar për dëgjimin e albumit. Në “Soma Book Station”, në Prishtinë, grupi mirëpriti miqtë e dashamirët e muzikës së tyre për të dëgjuar në fillim albumin “Diku, dikur...”, por edhe dy albumet e mëhershme, të parin, të publikuar në vitin 2005, me titull “Një ditë e zakonshme” dhe të dytin “Numroj n’numratore!”, publikuar gjatë vitit 2011.

“Diku, dikur...” ka udhëtuar edhe drejt Tiranës. Atje në njërin nga lokalet më me zë në kryeqytetin shqiptar “Gillespie” ka lëshuar për dëgjim albumin e ri. Ata paralajmërojnë se shumë shpejt do të jenë në Tiranë për të interpretuar drejtpërdrejt.

Në anën tjetër, publiku prishtinas pati rast të dëgjojë albumin e ri drejtpërdrejt dy herë, pasi ata u ngjitën edhe në skenën e “Zanzi Bar”-it në Prishtinë disa ditë pas koncertit.

Lirisht mund të thuhet se “Gillespie” është njëri ndër bendet më me ndikim në zhanrin alternativë në Kosovë, që prej themelimit në vitin 2004. Ky grup u bë i njohur me këngët “E di”, “Luledielli”, “Femme Fatale”, “Anisa”, “Aq më bën”, etj. Atyre u është dashur një vit për ta publikuar albumin e tyre të parë, i incizuar në kushte interesante brenda vetëm një dite. Ata kanë dalë fillimisht me 10 këngë origjinale e pastaj me tetë të tjera në albumin e dytë. Në vitin 2008 “Gillespie” ka marrë çmimin “Postproduksioni më i mirë” në festivalin “Video Fest”, ndërsa kënga e tyre “Femme Fatale” është nominuar edhe si kënga më e mirë alternative në “Top-Fest 6” në Shqipëri, shkruan tutje "Zëri".

Kur flasim për grupin “Gillespie” ia vlen të rikujtojmë një turne krejtësisht unik që anëtarët e këtij grupi kishin zgjedhur ta mbanin në disa lokacione në Kosovë. Më vitin 2011 në kuadër të turneut të tyre, të cilin e titulluan “Gillespie Green Tour” (Turneu i gjelbër i Gillespie-s) ata vizituan mbi 20 qytete, qyteza e fshatra të Kosovës. Qëllim i grupit ishte t’i dërgonte tingujt e muzikës së tyre urbane në vendet që nuk ishte dëgjuar më parë.

Pjesë e turneut ka qenë edhe vetëdijesimi i popullatës së këtyre vendeve për mbrojtjen e ambientit dhe të pastërtisë. Një ide e tillë nuk na ka rënë në sy të jetë praktikuar para ose pas turnet të këtij grupi në Kosovë.

Muzika që “Gillespie” kultivon mund të mos jetë shumë e popullarizuar në Kosovë, por grupi ka arritur të bëhet jo rrallëherë pjesë edhe e skenave ndërkombëtare.

Ata përveç vendeve fqinje, si Shqipëria e Maqedonia, gjatë karrierës së tyre janë prezantuar edhe me turne nëpër shtetet e Ballkanit, por edhe në Gjermani. /ZËRI/

 

Image