"Iliadën" e marr me vete ngado

Kultura October 07, 2017 - 09:18

Në rubrikën tonë të rregullt "Jepi Zërit", prezantojmë shkrimtarin dhe gazetarin Faruk Tasholli. Ai indi në Gadime të Rrafshit të Kosovës më 1958. Fakultetin Filologjik, Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe e përfundoi në Prishtinë, ku ndoqi edhe studimet pasuniversitare. Nga viti 1980 ishte gazetar dhe për disa vite me radhë redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën e studentëve "Bota e re" të Prishtinës.

Nga viti 1988 kaloi në Redaksinë e Programit Kulturor të Radio Prishtinës, ku punoi deri më 5 korrik 1990, ditën kur forcat policore serbe mbyllën Radiotelevizionin e Prishtinës në gjuhën shqipe. Pastaj bashkëpunoi me gazetat e përkohshme në Kosovë, duke vazhduar të punojë një kohë edhe në Radion shtetërore gjermane "Deutsche Welle", programi në gjuhën shqipe në Këln. Deri tash ka botuar librat me poezi për fëmijë "Mos u rrit pa mua" (1978), Ferizaj. "Rosat mësojnë patinazh" (1990), ndërkaq për të rritur "Drita të largëta" (1984) dhe "Tjerr fusharaku" (1988) në Ndërmarrjen Botuese "Rilindja", Prishtinë.

Në ndërkohë, Tasholli ka botuar edhe dy libra me portrete dhe reportazhe për mërgimtarët e suksesshëm në fushën e afarizmit në Gjermani: Afaristë shqiptarë në Gjermani, 2008 dhe Me tetovarët në Gjermani, 2009. Gjithashtu, ai ka shkruar vargjet për qindra këngë, qofshin ato estradeske apo artistike, ku disa herë është shpërblyer në festivale kombëtare të këngës si autor tekstesh. Aktualisht jeton në Ahen të Gjermanisë.

Cilën pyetje më së shpeshti i bëni vetes?

Pyetja më e shpeshtë është: pse nuk i shfrytëzoj energjitë e mia racionalisht dhe konform rrjedhës së kohës? Njeriu ka shumë energji, qoftë krijuese, qoftë vepruese, por duhet shfrytëzuar momentin kur duhet vënë në qarkullim ato. Jeta nëpër gabime është shkollë e madhe, e papërfunduar, por thyen vlerat në murin e shpejtë lëvizës, në murin kohë. Pjesën më të madhe të njerëzve në anën e epërme të Mesdheut, e sidomos ku jemi ne, e përcjell stihia e pritjes ballkanike, lënia e gjërave në duar të fatit.

Pse të tjerët, pak më lart, duke iu afruar hemisferës veriore të tokës, shkuan kaq larg? Ata shfrytëzuan energjitë krijuese në çdo fushë. Ata bënë që zhvillimi i tyre shkencor, ekonomik, kulturor e industrial të shkojë aq larg, pikërisht duke shfrytëzuar energjitë individuale në sfondin kolektiv. Ndërsa ne, këndej në Evropën Juglindore, jemi ngopur shkollë dhe dije, prandaj vazhdojmë me ngulm ta kryejmë sa më parë shkollën e harresës! Edhe unë dua të ta bëj një pyetje ty: Si të dilet nga shkolla e harresës? Si të mësohet përditë? Institucioni i nxënies te ne është shumë i shkurtër dhe në raport me të jeta shumë e gjatë.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Udhëtimi im i përditshëm është lëvizja për t'i kryer shumë punë personale dhe të familjes, dalja në qytet dhe kthimi në shtëpi, kuptohet pas mbarimit të çdo punë qoftë ajo e madhe apo e vogël. Në këtë udhëtim koha ikën shpejt, e si thashë në një shtet funksional si është Gjermania, koha ikën shumë shpejt, a kur vjen e shtuna, e hëna e ikur pothuajse është e harruar.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Jam i zënë ngushtë. Cilin ta ndaj? Kam shumë libra shkencorë, beletristikë, përmbledhës historish, biografish, etj, etj., por për çudi, te unë, apo si thua ti, në vitrinën e kujtesës sime, vendin qendror e zë Iliada e Homerit. Unë bashkëjetoj me këtë libër dhe sa herë i sulem Mesdheut, Iliada më vjen pas, me gjithë veprimet dhe lëvizjet e personazheve që janë pjesë e mendësisë botërore, qoftë edhe si fiksione, por edhe ana vizuale që e shpërfaq gjuha metaforike homeriane. Edhe kur iu kthehem këngëve kreshnike a legjendare shqiptare, fryma e tyre më çon te Iliada. Sa herë zbres në Mesdhe për pushim dhe relaks, e unë viteve të fundit dukshëm i kam „exploruar“ brigjet e këtij deti historish, beson dikush apo jo, jo vetëm nga vitrina e kujtesës, por nga ai rafti i dhomës sime, Iliadën e marr me vete. Përmes saj komunikoj me Mesdheun që nga antikiteti e deri sot.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Shumë keq! Në këtë anarki kriteresh do të thosha unë. Sot këtë vend e këto institucione që kërkon bota t'i kemi si ata, t'i drejtojnë njerëzit pa edukatë elementare kombëtare?! Nuk dua të them patriotizëm se te ne është devalvuar skajshmërisht kjo fjalë në shumë periudha, e edhe sot, por njerëzit që bëhen kinse prijnë, që janë vetë institucionet, dua ta përsëris me mllef: janë njerëzit pa edukatë kombëtare! Kosovën e kanë shndërruar në një burg ku „pasuli hahet kokrra- kokrra“ dhe ne qyqarisht presim të vijnë gardianët e huaj e të na lirojnë nga gardianët tanë. E tmerrshme? Këtu mendoj unë është ai burimi i krizës morale që askënd nuk e bën te ndjehet mirë.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Kultura si nocion i gjerë, konsideroj, i ka themelet në atë edukatën elementare kombëtare, pastaj familjare e shoqërore. Kemi shume mangësi, kemi pak hapësirë e shumë interferencë në jetën tonë, ku në këtë periudhën e pasluftës si po quhet, ka vërshuar gjithçka, e ne nuk kemi forcë t'i përballojmë këto vërshime.

Pastaj ec e dil nga ky erozion me kakofoni kulturash që veç derdhen këtu pa kriter. Cili është sot kriteri i botimit të një libri, kriteri i shfaqjes së një programi televiziv, kriteri i vlerësimit të një libri shkencor? Na mungon në rend të parë kriteri stabil i konkurrencës. Në vendet e Evropës Veriperëndimore, ku jetoj unë, ta zëmë, nëse një emision i caktuar televiziv,( qoftë ai shkencor, argëtues apo sportiv) nuk e arrin kuotën e shikueshmërisë, ta zëmë në Gjermani mbi dy milionë shikues në raport me përqindjen e banorëve, ai hiqet automatikisht nga programi. Pse jemi kaq të ngushtë dhe ndalemi te mbamendja që zhduket? A do të duhej të kishim ne sot, ta zëmë, në qytetet apo katundet tona emërtime si Rruga e Leskofcit, Rruga e Nishit, Sheshi i Pusta Rekës e qindra emërtime të kësaj natyre që në një a në mënyrën tjetër freskojnë kujtesën historike. Shpirtngushtësia i vret zhvillimet kulturore.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Dje ishte keq, sot është vështirë, nesër do të jetë edhe më vështirë. Sot bota është zhvilluar aq shumë sa ligjet e konkurrencës të hedhin papritmas në hendekun zhvillimor, ekonomik e kulturor. Pastaj dalja nga këto hendeqe është e tmerrshme, e ndodh e paarritshme.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Do ta veçoja Guernikën e Pikasos, poezia „Ushtarët e vdekur të rinj“ nga Archibald MacLeich, ndërsa këngë nuk do të veçoja, por një varg që përsëritet në shumë variante „O sa shum po ndrit ai diell e nuk po nxen“, që më duket se më së miri shpjegon gjithë kontrastin jetësor. Ndërsa për fund, rikthimi te filmi „Hachiko“.