Tusha dhe Tolaj i këndojnë Kërçovës

Kultura October 06, 2017 - 08:17

Miqtë dhe kolegët e skenës, Kastriot Tusha dhe Shkodran Tolaj, kanë vendosur të bëhen bashkë për të përkrahur garën për fitoren e Kërçovës. Dy tenorët, Kastriot Tusha e Shkodran Tolaj, dëshmojnë përkushtimin kombëtar duke sjellë mesazhin e bashkimit dhe përkrahjes nga Kosova e Shqipëria për fitoren e Uskanës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Kënga është dedikim për mërgimtarët si thirrje që më 15 tetor të vijnë për të mbrojtur tokën amë. Kënga mban titullin “Kërçovari”, me tekst nga Shkodran Tolaj, redaktuar në shkurt të këtij viti nga mjeshtri i gazetarisë, tashmë i ndjerë Qani Mehmedi. Këto vargje dedikuar mërgimtarit kërçovar gërshetohen me elemente klasike përmes interpretimit, elemente moderne në orkestrim dhe elemente autoktone përmes lojës së mjeshtërve Shaqir Hoti, në instrumente frymore dhe Fatmir Makolli në çifteli.

Nga autori Tolaj kuptuam që kënga është incizuar në Tiranë, në studion"Dodona" të Jetmir Mehmetit, kurse videoklipi është në realizim e sipër nga produksioni "Beni" nga Kërçova. Videoklipi sjell vendin legjendar Krujën dhe vende të papara të Kërçovës.