Kazuo Ishiguro, laureat i çmimit Nobel për Letërsi

Kultura October 06, 2017 - 08:15

Shkrimtari me origjinë japoneze, Kazuo Ishiguro, është shpallur fitues i çmimit Nobel për Letërsi sivjet. Akademia Suedeze e ka prezantuar Ishiguron si shkrimtari i cili në romanet e tij me fuqi të madhe emocionale ka zbuluar humnerën nën ndjenjën tonë iluzore të lidhjes me botën, shkruan st, gazeta Zeri.

Romani i parë i Ishiguros është “A Pale View Of Hills” (1982), kurse i dyti “An Artist Of The Floating World” (1986). Të dy rrëfejnë ngjarje që ndodhin në Nagasaki, pak vite pas Luftës së Dytë Botërore. Ky shkrimtar preokupohet me tema siç janë: koha, kujtesa e vetëmashtrimi. Kjo është veçanërisht e dukshme në romanin e tij më të njohur “The Remains Of The Day” (1989), i cili u shndërrua në film me Anthony Hopkins dhe ishte edhe i nominuar për “Oscar”.

Shkrimet e Ishiguros karakterizohen nga një mënyrë e shprehjes e përmbajtur me kujdes, pavarësisht nga ngjarjet që ndodhin. Tek romani “Never Let Me Go” (2005) Ishiguro prezantoi një nëntokë të ftohtë të shkencës në veprën e tij. Në këtë roman, si në disa të tjerë, ne gjithashtu gjejmë ndikime muzikore.

Pasi e deklaroi si fitues Ishiguron, Sara Danius, sekretare e Akademisë Suedeze, tha se ky shkrimtar është si një përzierje mes dy shkrimtarësh të famshëm, Jane Austen dhe Franz Kafka.

“Ai është pak si një përzierje e Jane Austen dhe Franz Kafkës. Nëse i përzieni pak këta, jo shumë, ju merrni Ishiguron me pak fjalë. Por ndoshta duhet të shtoni edhe pak Marcel Proust”, tha Sara Danius, sekretare e përhershme e Akademisë Suedeze.

Më tutje Danius shtoi se Ishiguro eksploron të kaluarën, duke dashur ta kuptojë atë.

“Ai është një shkrimtar i integritetit. Ai nuk sheh vetëm një anë, por ka zhvilluar një univers të tijin estetik. Ishiguro është shumë i interesuar ta kuptojë të kaluarën, por ai nuk është shkrimtar proustian, ai nuk është aty për ta shpenguar të kaluarën, ai është duke eksploruar atë që duhet ta harrosh për të mbijetuar në radhë të parë si individ ose si një shoqëri”, tha ajo, duke shtuar se pas trazirave të vitit të kaluar ajo shpresonte se zgjedhja këtë vit “do ta bënte botën të lumtur”.

Në anën tjetër, edhe botuesi i nobelistit të ri nga “Faber & Faber”, Stephen Page, është shprehur i lumtur, duke e quajtur lajmin “të jashtëzakonshëm”.

“Ai është një shkrimtar absolutisht i rrallë”, tha Page, i cili mori lajmin për fitore të Ishiguros derisa ishte duke pritur një fluturim në aeroportin e Dublinit.

“Ai ka një forcë emocionale, si dhe një kuriozitet intelektual që gjithmonë gjen një numër të madh lexuesish. Puna e tij është sfiduese në kohë, por për shkak të asaj force emocionale ajo shpesh rezonon me lexuesit. Ai është një shkrimtar i cili lexohet gjerësisht në të gjithë botën”, tha Page.

Kazuo Ishiguro u lind më 8 nëntor 1954 në Nagasaki të Japonisë. Familja e tij u transferua në Mbretërinë e Bashkuar kur ai ishte pesë vjeç. Ai u kthye për ta vizituar vendin e tij të lindjes vetëm si një i rritur. Në fund të viteve 1970 Ishiguro u diplomua në Anglisht dhe Filozofi në Universitetin e Kentit dhe pastaj vazhdoi ta studionte Shkrimin Kreativ në Universitetin e Anglisë Lindore.

Përveç tetë librave të tij, Ishiguro ka shkruar edhe skenarë për film dhe televizion.

Duke pasur një listë konkurrentësh që lakoheshin si favorit, ku përfshihen emra si Margaret Atwood, Ngugi Wa Thiong'o dhe Haruki Murakami, zgjedhja e Ishiguros ishte një befasi për adhuruesit e letërsisë. Edhe sivjet në garë ishte edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, që u përmend edhe në mesin e favoritëve.

Nobel-i për Letërsi ndahet çdo tetor, siç kërkohet në testamentin e shkencëtarit Alfred Nobel, “Për njeriun që ka krijuar në fushën e letërsisë veprën më të vlefshme me një drejtim ideal”. Që prej vitit 1901, 113 njerëz e kanë fituar këtë çmim, prej të cilëve 14 kanë qenë gra.

Rikujtojmë se vitin e kaluar, duke lënë gjithë adhuruesit e letërsisë të befasuar, Akademia Suedeze shpërbleu me “Nobel” për Letërsi rokerin legjendar dhe poetin Bob Dylan.