Shfaqja e Ferizajt më e mira në Tiranë

Kultura October 05, 2017 - 08:22

Shfaqja “Psikozë n’4:48” e regjisorit nga Kosova, Fatos Berisha, u cilësua si shfaqja më e mirë në Balkan Theater Tirana Fest – BATTIF.

Kjo shfaqje u prit mjaft mirë nga publiku tiranas, në fillim të këtij muaji, dhe si e tillë në shtëpi u kthye me një trofe.

Festivali BATTIF filloi më 29 shtator dhe në kuadër të tij u dhanë gjithsej katër shfaqje nga Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia e Kosova. “Psikozë n’4:48” e Berishës u shfaq ditën e fundit, më 1 tetor. Rikujtojmë se Fatos Berisha shfaqjen me tekst të autores së ndjerë britanike Sarah Kane e ka punuar në Teatrin e Qytetit të Ferizaj “Adriana”.

Regjisori Fatos Berisha tregon për gazetën Zëri se ky çmim e bëri të ndihet mirë atë si regjisor, por në anën tjetër, ka edhe një vlerë të veçantë për ekipin e shfaqjes dhe Teatrin “Adriana” të Ferizajt.

“Prezantimi i shfaqjes 'Psikozë n'4:48' kaloi shumë mirë në BATTIF - Balkan Tirana Theater Fest. Ashtu e vlerësuan edhe juria profesionale, e cila i dha çmimin si shfaqja më e mirë, gjë që më bëri të ndihem shumë mirë. Është ky lajm i mirë, sidomos për ekipin e shfaqjes dhe Teatrin ‘Adriana’ të Ferizajt. Çdo vlerësim i tillë apo çmim më jep mua dhe aktorëve kurajë dhe energji për projektet e reja në vazhdim”, theksoi Berisha.

Tutje ai shtoi se kanë pretendime që shfaqja “Psikozë n’4:48” të prezantohet edhe në festivale të tjera. Ai përmendi se kjo shfaqje ka arritur të hyj në mesin e shfaqjeve me më së shumti repriza në historinë e teatrit të Ferizajt.

LEXO EDHE: Lufta sekrete e Rina Hajrës

“Shpresoj se do të vazhdojmë të marrim pjesë edhe në festivale të tjera me këtë shfaqje. Në Tiranë ishte i pranishëm edhe një selektor i një festivali teatror dhe shpresojmë se do ta përzgjedh në mënyrë që shfaqja të prezantohet sa më shumë që është e mundur. Po ashtu, më vjen shumë mirë që kjo shfaqje është një ndër shfaqjet me më së shumti repriza në historinë e Teatrit të Ferizajt. Aty ka një grup të mirë aktorësh dhe atmosferë të mirë dhe jam i bindur që do të vazhdojnë të zhvillohen, duke shpresuar në mbështetje më të madhe institucionale në nivelin lokal dhe qendror”, bëri të ditur regjisori Berisha.

Kjo dramë është e njohur si vepra më e fragmentuar e autores Kane, ku nuk ka as tregim e as personazhe, si dhe pa indikacione se sa aktorë duhet të luajnë në shfaqje.

Teksti është shkruar në kohën kur Sarah Kane vuante nga depresioni i rëndë, siç e përshkruan miku dhe kolegu i saj David Greig. Si e tillë kjo dramë trajton temën e “mendjes psikotike”.

Sipas Greig, titulli derivon nga ora 4:48, kur Kane, në gjendje depresive, shpesh zgjohej nga gjumi.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre paraqiten aktorët Mevlan Saraçi, Edona Berisha, Ekrem Jakupi, Jajush Ramadani, Ali Krasniqi, Arben Marevci, Sherif Bega dhe Milot Salihu, ndërsa asistent regjie është Kushtrim Asllani. /ZËRI/