Ukaj: Besoj që do të kemi një befasi të bukur nga Stokholmi

Kultura October 04, 2017 - 15:47

Debati për Nobelin e Letërsisë po vazhdon në shumë vende të botës edhe një ditë para dhënies së këtij çmimi prestigjioz. Në kuadër të këtij diskutimi edhe studiuesi dhe shkrimtari Ndue Ukaj beson që do të kemi një befasi të bukur nga Stokholmi.

Kjo është deklarata e tij e plotë për “Zërin”:

Çmimi Nobel për Letërsi është çmimi më prestigjioz në këtë fushë, dhe për shkak të jehonës dhe përqendrimit të madh rreth tij, ka shumë vlerësime, gjykime e ndonjëherë trillime. Kjo është arsyeje pse në çdo fillim tetor, sytë e botës së kulturës dhe letërsisë janë të fokusuar te Nobeli.
Unë besoj që edhe sivjet do të kemi një befasi të bukur nga Stokholmi.

Çmimi Nobel për Letërsi, të shumtën e rasteve ka rrëzuar prognoza të shumta që bëhen, duke mbetur një enigmë e përhershme, një befasi letrare.
Nuk besoj që Akademia të ketë një politikë të caktuar në ndarjen e çmimit, por janë joshjet letrare ato që përcaktojnë se kush mund të jetë fituesi i radhës.

Ka shumë shkrimtarë të shkëlqyeshëm që favorizohen dhe e meritojnë këtë çmim. Autorët që hyjnë në rrethin e ngushtë të komitetit për ndarjen e çmimit Nobel, pa dyshim janë autorë të dëshmuar dhe dallohen për vlera artistike specifike për kulturën letrare të përbotshme. Jam i bindur se secili shkrimtar që do ta marr, do ta pasurojë letërsinë e përbotshme dhe do të ndihmojë në krijimin e urave të komunikimit ndërmjet gjuhëve të ndryshme. Ka shumë emra të fuqishëm, që potencialisht mund të jenë fitues sivjetshëm, por unë kam dëshirë që të jetë ndonjëri nga autorët e mi të preferuar: Ismail Kadare, Adonis, Amoz Os, Milan Kundera.

Çmimi Nobel jepet për vepra të rëndësishme, që shquhen për arritje artistike, për mesazhe të dobishme në promovimin e të mirës dhe të bukurës, si dhe për autorë që me krijimtarinë e tyre, kanë ndikuar në rrethana të caktuara brenda një hapësire specifike. Secili autorë që ka fituar Çmimin Nobel për Letërsi, është shkrimtar i madh dhe shquhet për vlera të dallueshme artistike e mesazhe të fuqishme.
Besoj që Akademia e Suedisë do të marrë parasysh sivjet veprën kapitale të Ismail Kadaresë dhe ta vlerësojë me Çmimin Nobel. Sepse Kadare është një nga shkrimtaret më të mirë planetar, dhe për këtë ka një mendim të pranuar në qarqe të rëndësishme letrare në botë. Zëri