TRIX-at vijnë me një baladë të re

Kultura October 03, 2017 - 08:40

"Ilaçi i plagës" është balada më e re, të cilën këto ditë grupi "Trix" ia dhuron simpatizantëve të vet. Autor i tekstit dhe melodisë është vetë shefi i këtij grupi, Veli Sahiti. Vija melodike e kësaj kënge është po ajo që karakterizon këtë grup të rokut, më të vjetrin në hapësirat shqiptare.

"Kemi ruajtur frymën e fillimit të shfaqjes sonë në skenë, pra atë të viteve shtatëdhjeta", thotë për "Zëri", Veli Sahiti, i cili me këtë rast nuk e fsheh entuziazmin që kjo baladë është pritur shumë mirë, ndërsa në yutube, për pak ditë, ka marrë mijëra pëlqime.

E veçanta e kësaj balade dhe klipit për të është se grupi "Trix" tani është riorganizuar në një format të ri. Në rolin e daullistit paraqitet anëtari i vjetër i këtij bendi, Idaver Xhemajli, ndërsa si anëtartë rinj shfaqen Avdullah Dugolli, në klaviaturë dhe Bashkim Berisha në bas kitarë.

"Komentet për këtë baladë janë shumë inkurajuese, madje përbëjnë një motiv më shumë që të vazhdojmë të jemi bashkë me adhuruesit tanë", thotë Veli Sahiti, i cili edhe ashtu është mjaft i angazhuar nëpërmjet manifestimeve dhe koncerteve të ndryshme në të gjitha hapësirat shqiptare.

"Nuk mundem pa publikun. Ishte ndjenjë e veçantë koncerti që mbajtëm në qendër të Bujanocit. E vërejta se ajo masë e madhe njerëzish ishte e etur për këngët tona. Kjo na obligon që për vitin e ardhshëm të organizojmë një turne koncertesh nëpër të gjitha qendrat e mëdha të hapësirave shqiptare", thotë Veli Sahiti, i cili momentalisht po punon në përgatitjen e 6-7 këngëve të reja.

Veli Sahiti, si shef i këtij bendi, ka tashmë 42 vite që është aktiv nëpër skenat koncertale. Ka të krijuara mbi 160 këngë origjinale, në mesin e të cilave edhe dy këngët "Ndarja në errësirë dhe "Zeshkanja", të cilat janë përzgjedhur në mesin e 100 këngëve më të mira të shekullit ndër shqiptarët.

Baladën e tij për zeshkanen e ka marrë edhe një grup i rokut në Stamboll të Turqisë. "Më kërkuan pëlqimin përpara dhe ua dhashë të drejtën ta bëjnë. Nuk kanë ndryshuar asgjë nga versioni ynë i këngës, vetëm se tekstin e kanë përkthyer turqisht. Tani kanë kërkuar edhe një këngë tjetër tonën. kanë mbetur ta zgjedhin ata vetë", thotë Sahiti.

Për koncertin që ka planifikuar për në fillim të vitit 2018, Veli Sahiti thotë se është motivuar nga gjenerata e tretë, e cila me të madh ka nisur t'i pëlqej këngët e këtij grupi. "Jemi vërtet të befasuar për të mirë që kaq shumë po pëlqehemi nga ë rinjtë, të cilët nuk ishin as të lindur kur u afirmuam ne si grup. Kjo gjë na motivon dhe njëherazi na obligon që të jemi sa më afër tyre. Po kemi edhe një motiv shtesë. Duam që nëpërmjet koncerteve tona ta nderojmë edhe Qazim Dushkun, artistin nga qyteti ynë, të cilin sikur e kemi harruar fare. Pos këngëve autoriale në koncerte do të kemi edhe një këngë të këtij artisti nga më të kompletuarit ndër ne"; thotë Veli Sahiti, i cili me shumë nostalgji kujton mjeshtrin e pikturës, aktrimit e të këndimit, Qazim Dushkun.