“Bauhaus”, një anë tjetër e rokut

Kultura October 02, 2017 - 09:06

Këtë herë në rubrikën e rregullt javore “Rrëfej përmes muzikës” ju sjellim një listë me plot hite të paharruara të rokut. Kësaj here prezantojmë rokerin Fat Limani, anëtari i grupit “Pinkmetal”. Limani, duke folur për këngët e tij të preferuara, na tregon se kush dhe si ka ndikuar në formimin e tij muzikor ndër vite.

The Beatles -  Strawberry Fields

“The Beatles” kanë qenë bendi ndoshta i pari i cili ka hyrë në veshët e mi. Kjo krejt për shkak se kemi pasur koleksion të pllakave vinyl, por “The Beatles” janë dëgjuar më se shumti, mos ta teproj, tërë diskografia e tyre. Më kujtohet shpesh që e kam dëgjuar këtë këngë nën fishkëllimat e babait. Pllakat vinyl gjatë luftës u zhdukën, bashkë me disa gjëra të tjera nga shtëpia.

The Animals – Please Don’t Let Me Be Misunderstood

“The Animals” kanë qenë bendi i dytë më i dëgjuar tek ne. “Please Don’t Let Me Be Misunderstood” më ka lënë përshtypje gjithmonë më shumë se hiti i tyre më i dëgjuar “House Of Rising Sun”. Është diçka tek aranzhimi apo të vija e vokalit, apo ndoshta te teksti, edhe sot kur e dëgjoj në kasetë (në kasetofon të veturës) ia lëshoj zërin deri në fund!

Jimi Hendrix – Voodoo Child

Gjatë fëmijërisë kam provuar të luaj kitare, me vonë bass kitare e në fund edhe piano dhe rrjedhimisht kam dëgjuar shumë bende të cilët janë përmend për kitaristët e tyre. Jimi edhe sot konsiderohet si njëri prej kitaristëve më të mirë që ndonjëherë ka ekzistuar dhe duke e ditur që ka qenë majtak, jam lidhur më shumë me të edhe muzikën e tij, për shkak se edhe unë jam majtak.  Nga shumë këngë të tij që i kam dëgjuar e që shumë prej tyre i di edhe përmendsh, nuk munda pa e futur në listë këngën “Voodoo Child”.

Led Zeppelin – Since I’ve Been Loving You

Me “Led Zeppelin” jam njoftuar më vonë. Duke shkuar te halla në Velani, shpesh për të vrapuar nëpër fusha, gjatë natës kam qëndruar në dhomë te Albani, i cili anonte më shumë kah blues-i. Ishin fillimet e viteve 90, me shumë xhaketa të Texasit edhe flokë të çuditshme. “Led Zeppelin” e kanë dominuar atë shtëpi. Kjo këngë shpesh herë ka qenë në repeat në zërimin e tij që edhe sot e mbajë mend, fantastik dhe më altoparlantë të mëdhenj sa trupi im atë botë, kur isha 6-7 vjeçar!

Bauhaus – Double Dare

Duke këmbyer kaseta dhe pllaka vinyl papritmas njoftohem me këtë bend i cili është krijuar në Northampton të Anglisë, në fund të viteve 70 dhe me zërin shumë karakteristik të frontmanit Peter Murphy. Ky band gothic post punk shumë shpejt bëhet bendi im i preferuar edhe unë filloj ta reklamoj e mundohem të ndikoj te njerëzit që ta dëgjojnë. Ky bend ka pasur ndikim aq shumë të unë, sa që Shpesh njerëzit më pyesin se pse ende i dëgjoj edhe sot e kësaj dite por… s’kam përgjigje! Prej se kanë ardhur në jetën time më nuk kanë dalur. edhe sot influencat gjatë tekstshkrimit i kam nga Murphy. Me këtë bend e gjej një anë tjetër të rok muzikës ku nuk është gjithçka e shpejt, e bukur, dominante, por e shoh që ka edhe anë më të errëta artistike, gotike. “Bauhaus” kanë pasur shumë albume dhe në ato albume kam mundur të gjejë edhe balada, edhe punk, edhe distorsion, edhe ritëm.

 

Joy Division – Atmosphere

“Joy Division” është gjithashtu bend nga Anglia, i krijuar 2-3 vjet para “Bauhaus”. Ky grup ka zënë shumë vend në veshët e mi pasi që jam njoftuar me post punkun dhe rokun anglez të viteve 70-80. Është interesante se pas “Bauhaus” kam kërkuar gjithmonë muzikë që i ka përngjarë dhe që më ka dhënë emocione të përafërta me ta. Karizma e Curtis dhe efektet të cilat i  kanë përdor në muzikë “Joy Division” e kanë bërë të vetën edhe tek unë. Gjithmonë e kam fantazuar vetën në një koncert të “Joy Division” dhe gjithmonë kam dashur ta di se a munden ta bëjnë këngën “Atmosphere” njësoj si në incizim.

The Birthday Party – Friend Catcher

Më vonë njoftohem edhe me “The Birthday Party”, pak vonë, por më mirë vonë se kurrë. Një grup nga Australia me 2 njerëz legjendar, Nick Cave dhe Rowland S.Howard. Këta dy të ri dhe shumë energjik më hapin një pjesë tjetër të trurit, ndikojnë që më vonë bendi im i preferuar të mos jetë me “Bauhaus” por ta ndajë këtë pozitë në tri bende, Nick Cave, Bauhaus, Rowland S.Howard. Mos të ishin ndarë grupi “The Birthday Party” , nuk më ish dashtë t’i ndaj në tri vende bendet.

Nick Cave And The Bad Seeds – Mercy Seat

Nick Cave është një person që e respektoj shumë dhe e shoh si poet të madh, jo vetëm frontmen i bendit. Është si ulliri, në fillim nuk të pëlqen, por më vonë nuk mund ta ndash nga tavolina! Ky njeri me më shumë se 30 albume, me bende te ndryshme, e krijon “The Bad Seeds” me shumë instrumentistë të mirë, ku mbas tij i kam dalluar Warren Ellis, e në disa punime edhe nga Blixia Bargeld, nga bendi Einsturzende Neubauten, Mick Harvey, etj. Krijon vepra muzikore që evolvojnë me vite, po prapë ma rregullojnë ditën, qofshin ato këngë prej albumeve të para, te mesme apo edhe të fundit. Prezenca e tyre në skenë është e hatashme.

Pj Harvey – One Line

Për fund , gjithkujt i them që jam divorcuar me PJ Harvey, po kërkush s’më beson!/Zeri/