Performanca teatrore e apologjisë së dëshpërimit

Kultura September 25, 2017 - 08:19

Mbrëmjen e së enjtes (21.09. 2017), në Teatrin Kombëtar të Tiranës, u dha premierë shfaqja "Vdes siç vdes një vend", sipas tekstit të dramaturgut të njohur grek Dimitris Dimitriadis dhe në regji të Rozi Kostanit. E konceptuar si një shfaqje multimediale, teksti në skenë shoqërohet me muzikë, me balet, me kor dhe me fotografi, për të ndërtuar kështu imazhin e apologjisë së dëshpërimit, mbi të cilin edhe mbështetet teksti postmodern i dramaturgut të njohur grek Dimitriadis.

I sjell në skenë si një tekst proze dhe i adaptuar për skenë nëpërmjet dy personazheve, në këtë rast të luajtur nga Alfred Trebicka dhe Rozi Kosotani, shfaqja hapë dilema në kuptimin e faturës dramatike, ndërsa teksti shfaqet si shumë i zorshëm për t'u përballuar nëpërmjet lojës në skenë. Dhe vërtet teksti, përkatësisht fjala e hedhur në skenë dëshmon se Dimitriadis është një shkrimtar me një gjuhë të kondenzuar, brenda së cilës shpërfaqet satira, ironia, sarkazmi, humori i zi deri në një groteskë që rrjedh si një përrua i rrëmbyeshëm në emër të njeriut të mbërthyer nga dëshpërimi në botën ku jeton, duke shfaqur kështu edhe elemente të një ekzistencializmi me refleksione të dukshme filozofike.

Shih për këtë, regjisorja Kostani ka provuar që nëpërmjet një skenografie të pastër dhe të ndërtuar nëpërmjet elementeve skenike në funksion të gjuhës simbolike të tekstit, të ndërtojë një shfaqje, e cila të komunikojë me publikun, gjithashtu të dëshpëruar me vendin dhe që është i gatshëm të përpëlitet mes dashurisë dhe urrejtjes, ndërsa vendi është ai, përkatësisht ai është vendi. Në fakt vetë njeriu është imazhi vendit e jo lisat dhe lulet, është jeta e tij ajo që dëshmon hartën e atdheut.

Në këtë mënyrë regjisorja Kostani provon që personazhet e saj të shfaqen në skenë si simbole, për të bartur kështu më lehtë gjuhën metaforike të tekstit. Dhe kjo mbase duket të jetë mënyra më e mirë, ndërsa teksti i thyer në formën e monologëve të bartur nga dy aktorë, bëhet i zorshëm për zbërthim. Ajo ka gjetur kështu që vendin, përkatësisht atdheun, në këtë rast mëmëdheun, ta personifikojë me një grua, e cila është e vendosur në një karrocë që shërben për konsumatorë në qendra tregtare, në këtë mënyrë duke shpërfaqur logjikën e shoqërisë së konsumit, e cila domino jetën e natyrshme të njeriut. Në fund kjo grua do të na shfaqet në formën e statujës së lirisë, për të shënjuar kështu kulmin e ironinë.

Edhe kori, i konceptuar si oktet, përbën një hallkë shumë funksionale, e cila i jep një dimension rituali shfaqjes, gjë kjo e cila ndërton një sharm të veçantë skenik. Në funksion të shfaqjes është edhe muzika, edhe fotografia, edhe dritat.

Në përgjithësi mund të thuhet se ishte një shfaqje e cila u pranua mirë nga publiku. Ishte kjo një sprovë për të sjell diçka ndryshe në skenën e teatrit Kombëtar të Tiranës, gjë kjo që duhet vlerësuar shumë. Në këtë rast duhet vlerësuar edhe faktin se në skenën shqiptare vjen një autor grek tashmë i njohur ndërkombëtarisht.