Në këtë batak, nuk mund të ketë tjetër ngjyrë, pos të errëtës...

Kultura September 23, 2017 - 08:43

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë shkrimtarin e njohur Jusuf Buxhovi, autor i shumë romaneve dhe librave historik, numër i konsiderueshëm i të cilave janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja.

Buxhovi ka gjetur një formë të veçantë që të përgjigjet në pyetjet e "Zërit", ndërsa këtë e bën nëpërmjet personazhit të tij Piktori, nga romani "Loja".

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Një si bashkëbisedim  jo i rëndomtë i autorit me pyetjet e “Zërit” nëpërmes dioptrisë së  optikës me dy pamje (dje-sot) të një personazhi (Piktorit) nga romani “Loja”, që sërish shfaqet këto ditë në një version të rishkruar për t’i dhënë fund lojës me kohën, të filluar para dyzet vitesh, që ai e humb... Piktori: Kjo ka të bëjë me dilemën time të përhershme se cili jam unë në të vërtetë: ai që ngatërron përherë ngjyrat e jetës, ngaqë nuk është në gjendje që t’i dallojë që t’i vendos në kuadratin ato të marrin kuptimin e ideve, apo ai të cilit i ka humbur ndjesia e kohës në të cilën jeton, ku ndjehet i huaj dhe i madje i  mallkuar nga refuzimi?... Kjo dilemë thellohet edhe më shumë nga fakti se  edhe pas një jete të tërë me brushë dhe ngjyrë në dorë, pas gjithë atyre pëlhurave,  pas gjithë atyre bredhjeve në kërkim të diçkaje të paqartë, edhe më tutje ndjej paaftësinë time për ta nxjerrë në pah pamjen e pikturës në të cilën përjetësohet një botë në lëvizje nga shkaku se lëvizja në krijimtari të shumtën shfaqet e ngurtë dhe të shumtën  në kundërshtim edhe me ligjet fizike...

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Piktori: Dita ime vazhdon sikur të ishte e pafund. Si e tillë ajo shkapërderdhet nëpër ngjyra të ndryshme që  nuk janë në gjendje të pranojnë natyrën e shkrirjes në njëra-tjetrën e as të tjetërsimit... Kjo kundërshtimi ditës sime i jep kuptimin e  përsëritjes së të njëjtës, një si bredhje e papërcaktuar në kohë dhe hapësirë, ku ndodh që e sotmja përjetohet si e djeshme , ndërsa e sotmja si e nesërme dhe ngjashëm... Kështu që, në këtë “ngatërrim” ajo  thuajse kthehet në një tablo të turbullt, në një pamje të mjegulluar, ku mbërthehen imazhet e hijeve pa dritë  të shumtën me trajta të çoroditura...

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Piktori: Në kujtesën time librat shfaqen si ngjyra, që përzihen dhe në atë përzierje marrin forma të reja...Të tilla janë librat nga filozofia dhe arti dhe gjithë ato që i takojnë “librit të hapur”  nga të ashtuquajturat “dije të vjetra”  nga mendësia politeiste, që e njohim nga antikiteti.  Ato, ndonëse “humbën” betejën me monoteizmin dhe dogmën e tij dhe për një kohë të gjatë u shpallen heretike, megjithatë vazhduan të rrezatojnë dije të përhershme me të cilat është ushqyer ideja e lirisë si një vlerë e përgjithshme në krijimtari por edhe në shoqëri... Nga  ky perceptim, gjithnjë në mbështetje të “dijeve të vjetra”, që paraqesin themelet e qytetërimit botëror dhe vlerat e përbotshme njerëzore, është e natyrshme që kujtesa ime përjashton “librin e mbyllur” (religjionin dhe  ideologjinë), ato që ia vejnë prangat lirisë dhe mendimit të lirë në përgjithësi. “Fitorja” e diskursit të “librit të mbyllur” me të cilin po përballemi prej më shumë se njëzet shekujsh si  “fitore” e një dogme ndaj  mendimit të lirë dhe krijimtarisë së  lirë, shpreh vullnetin e përhershme të njeriut për pushtet të dhunshëm  prej nga  është  legjitimuar diktatori, tirani dhe vrasësi madje...

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Piktori: Para dyzet vitesh fillova pikturën me katër pamje “Njerëzi”. Pamja e parë përfshinë - jokurrizorët, e dyta - kameleonët, e treta - heronjtë dhe e katërta -inferiorët. Kjo pikturë vazhdon të mbetet e papërfunduar ngaqë as alkimia më e fuqishme nuk është në gjendje të përcaktojë ndryshimin e karaktereve të  tyre... Ngjan kështu, sepse jokurrizoret shumohen si shumë dhe ndotin çdo gjë; kameleonët ndryshojnë ngjyrat jashtë çdo logjike të spektrit të dritës dhe vazhdojnë të mashtrojnë me pamjen e tyre; heronjtë (të njëmendë ose të shpifur krejt një) sa ora kthehen në dhunues të lirisë dhe në vrasës madje, ndërsa inferiorët, kjo specie ndër më të përhapurat, bën sehir në përpjekjet që të përfitojë nga secili ndryshim... Kjo pamje e zymtë, ku e keqja bëhet edhe më e keqe, ku ngjyra e dritës humbët nga errësira, krijuesin nuk ka si të mos e tmerrojë deri aty sa t’i shkojë mendja që ta asgjësojë edhe veprën e vet!...

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Piktori: edhe ajo që quhet “kulturë”, shihet në përputhje me atë tablonë e pikturës së papërfunduar në katër pamje “Njerëzit”. Fjala është për një ngatërrim ngjyrash, ku e mira shihet si e keqe dhe e keqja si e mirë, ku e bardha merret për të zezë dhe e zeza për të bardhë, kur vrasësi kremtohet si hero, ndërsa i dinjitetshmi i çmendur...Por, diskursi i pamjeve “të papërfunduara” , që vjen nga ngatërrimi  i ngjyrave, nuk flet gjithaq për çrregullimin e mekanizmit të aftësisë së dallimit, gjë që do të ishte çështje e riparueshme, por përkundrazi, nxjerr në pah dëshirën e përhershme që të mos pranohet asnjë ndryshim, pra që jokurrizori të mbetet jokurrizor, që kameleoni të mbetet kameleon, që “heronjtë” të shumohen e të shumohen dhe me oreolin “e çlirimtarëve” të dhunojnë paqen, ndërsa inferiorët, të prirë për  përfitime, të vazhdojnë të  përfitojnë pa qarë kokën për jetën e padinjitetshme... Në këtë batak, nuk mund të ketë tjetër ngjyrë, pos të errëtës...

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Piktori: E djeshmja një pamje me ngjyrë; e sotmja një ngjyrë pa pamje; e nesërmja një pamje pa ngjyrë?...

 

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

 

Piktori: “Gernika” e Pikasos,  “Korbi” i Allan Po-së, “Lamtumirë” Coker, “Zogjtë” e Hiçkokut...