Kushtrim Hoxha së shpejti me këngë të re

Kultura September 22, 2017 - 10:02

Ndonëse profesioni i tij i parë është aktrimi, Kushtrim Hoxha ka qëndruar pranë publikut ndër vite edhe nëpërmjet këngës.

Aktori i suksesshëm kosovar, që prej kohësh është shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka bërë të ditur se aktualisht po punon për një këngë të re. Njoftimin Hoxha ka zgjedhur ta bëjë përmes rrjeteve sociale. Duke shpërndarë në Facebook këngën e tij “Qyteti” të realizuar në vitin 2014, ai ka treguar se aktualisht është duke shkruar një këngë të re.

“Një këngë e para dy-tri viteve për qytetin, shiun etj. Në proces duke e shkruar këngën e re, se mbetëm…”, ka shkruar Hoxha.

Rikujtojmë se Kushtrim Hoxha njihet për këngët “Më së shumti në botë i urrej telefonat”, apo “Kopshti”, në bashkëpunim me Hana Cakulin.

Këngën e re Hoxha e pati paralajmëruar edhe muaj më parë, në një intervistë për “Zërin”. Edhe atëherë ai pati theksuar se krahas profesionit të aktrimit, muzika mbetet veçse një pasion i tij i madh.

“Me muzikë ka një kohë që nuk kam bërë asgjë. Nuk mundem me thanë që jam  muzikant serioz, mirëpo muzika gjithmonë ka qenë pasioni im. Ka pasur disa projekte që iu kanë pëlqyer njerëzve, mirëpo nuk kam pasur mundësi e as kohë që të punoj në ndonjë këngë të re. Jam duke menduar ta punoj një këngë të re, mirëpo nuk kam asgjë konkrete ne atë drejtim”, pati thënë Hoxha.

Rikujtojmë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kushtrim Hoxha është angazhuar në disa projekte të suksesshme televizive, siç është seriali “Blue Bloods”, apo edhe “Elementary” e “Person of Interest”. Hoxha shkoi në SHBA në vitin 2012 për të përfunduar magjistraturën dhe vendosi që karrierën e tij ta zhvillojë atje.

Ai u kthye për një periudhë të shkurtë dimrin që shkoi në Kosovë, për tu bërë pjesë e filmit “Njeriu i Dosjeve”, me regji të Ismet Sijarinës, ku luan rolin kryesor.

Filmi flet për Fadilin (36), një arkivist në Ndërmarrje Shtetërore, i cili i gjendur në një situatë të vështirë duhet të zgjedh ndërmjet dy opsioneve, që të dyja të gabuara: vendimi për të qenë patriot apo baba i përgjegjshëm.

E veçantë e këtij filmi është edhe përfshirja e muzikës, për të cilën po përkujdeset Petrit Çarkaxhiu nga rok-grupi “Jericho” dhe këngët, e kënduara pikërisht nga Kushtrimi, janë xhiruar live në set.