Kosova drejt UNESCO-s, vazhdon antifushata

Kultura September 20, 2017 - 08:23

Dokumentari i autorit serb Boris Malagurski, i cili u dha premierë botërore të premten më 15 shtator, në Qendrën Kulturore të Serbisë, në Paris, ishte vetëm një vazhdim i fushatës së shtetit fqinj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatën ndërkombëtare UNESCO.

Gjithmonë bazuar në përmbledhjen e dokumentarit, që zgjatë rreth një minutë e gjysmë, ky projekt sjellë një krahasimi midis shqiptarëve dhe pjesëtarëve të ISIS-it.

Duke sjellë pamje ku Shteti Islamik i shkatërron tempujt antikë, realizuesit e këtij dokumentari shtrojnë pyetjen se “A e keni ditur se kjo po ndodh edhe në Evropë?”, duke sjellë me pastaj pamje të trazirave që ndodhën në Kosovë, në vitin 2004.

“Shfaqja dhe promovimi i këtij filmi, realizimin e të cilit e ka bashkëfinancuar Zyra për Kosovë e Metohi pranë Qeverisë së Serbisë, ka për qëllim që përfaqësuesve të korit diplomatik në Paris, e në veçanti ambasadorëve të vendeve të tjera në UNESCO, t’ua prezantojë trashëgiminë kulturorë serbe në Kosovë e Metohi, që përbën një pjesë të fushatës së gjerë të shtetit serb kundër pranimit të Kosovës në UNESCO”, thuhet në një komunikatë për media që është publikuar në mediat serbe.

Rikujtojmë se kjo antifushatë e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO po vazhdon, edhe pse shteti serb ka garantuar BE-në që nuk do ta pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Sipas Albert Hetës, drejtorit të Rrjetit i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës, RRIPAK, me këtë lëvizje Serbia po tenton ta “godas” Kosovën para se të ndodh edhe aplikimi i dytë për UNESCO.

“Në këto rrethana kohore, kur qeveria veç sa është formuar, kjo qeveri nuk mund të bëjë më shume se sa kaq sa ka bërë, pra të reagoj me një komunikatë. Në anën tjetër, kur e shikon reagimin pas komunikatës të zyrtarëve serbë që e kanë përkrah këtë material filmik, ata mendoj se përmes këtij materiali kanë pasur ndikim në procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Një realitet politik është që Kosova nuk ka aplikuar edhe njëherë në UNESO. Serbia me këtë rast po bën një goditje para se të ndodhë një aplikim. Kam bindje që aplikimi këtë herë do të jetë edhe me serioz. Besoj që do jetë gjithëpërfshirës dhe të mos ketë hapësirë më për dështime”, thekson ai.

Tutje Heta shton për gazetën “Zëri” se nuk duhet të trajtohet aq seriozisht kjo mënyrë e të lobuarit kundër Kosovës në UNESCO. Madje ai thotë se kjo mënyrë mund më tepër t’i ndihmojë sesa ta dëmtojë Kosovën në këtë proces.

“Procesi i tillë zhvillohet në nivele të tjera. Ka shumë elemente që ndikojnë pro dhe kundër dhe shfrytëzimi i këtyre hapësirave që ishte dashur të promovojnë kulturë për goditje të tilla është problematik dhe tregon gjendjen e vërtetë të shtetit serb dhe paranojën në të cilën futen ata. Këto materiale nuk mund të quhen as propagandë e lirë”, tha ndër të tjera drejtori i RRIPAK.

Rikujtojmë se për këtë dokumentar reagoi përmes një komunikate për media Qeveria e Kosovës. Ajo e ka vlerësuar të ulët, racist dhe të paprecedent filmin dokumentar të qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Rikujtojmë se në nëntor të vitit 2015 Kosova nuk ka marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë pjesë e UNESCO-s. Për anëtarësimin e Kosovës kanë qenë të nevojshme 95 vota por ajo ka marrë vetëm 92 vota për, 50 kundër dhe 23 abstenime.