'T’padashtun', propozimi i Kosovës për në ‘Oscars’, regjisori Rizvanolli rrëfen për pritshmëritë

Kultura September 18, 2017 - 22:00

Filmi “T’padashtun” i regjisorit kosovar Edon Rizvanolli, është dhënë premierë në festivalin e njohur “Karlovy Vary”, ndërsa ditë më parë u dha premierë në kinematografinë Cineplexx Kosovë.

Filmi shtjellon dramën rrënqethëse të një familjeje refugjate nga Kosova, e cila jeton në Holandë dhe ballafaqohet me një dashuri e cila zgjon shumë plagë të së kaluarës së afërt nga lufta në Kosovë. Në rolet kryesore luajnë Adriana Matoshi, Jason de Ridder, Niki Verkaar, Hugo Koolschijn dhe Celia Nufaar.

Si një film mjaft i suksesshëm, “T’padashtun” u lansua me pritshmëri të mëdha. Madje ky film është propozimi i Kosovës për në “Oscars”, nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Në një intervistë për Telegrafin, regjisori deputant Edon Rizvanolli, ka folur rreth projektit të tij më të fundit filmik, duke treguar për punën e bërë me vite, dhe se sa i kënaqur është ndarë me rezultatin.

“Në filmin “T’padashtun” apo Unwanted (anglisht) kam punuar përafërsisht pesë vite, prej të cilave koha më e gjatë është shpenzuar në shkrimin e skenarit, gjetjen e fondeve dhe para produksion. Jam jashtëzakonisht i kënaqur si me punën e aktorëve, e gjithashtu edhe me rezultatin përfundimtar. Natyrisht se ka ende hapësirë për përmirësim, mirëpo vet fakti se filmi ka pasur premierë në një festival të kategorisë A si “Karlovy Vary” dhe që është selektuar edhe për festivale të tjera, po ashtu të kategorisë A, tregon për kualitetin e punës së gjithë ekipit”, tha Edon Rizvanolli për Telegrafin.

I lumtur për këtë sukses, regjisori Rizvanolli në vazhdimin e bisedës rrëfey për pritshmëritë e tij lidhur me filmin.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që “T’padashtun” është përzgjedhur si filmi i cili do ta përfaqësojë sivjet Kosovën për ‘Oscars’. Se a do ta nominojë Akademia nuk mund ta them, pasi që bëhet fjalë për një numër të madh anëtarësh, ku secili i ka shijet dhe botëkuptimet e veta. Për mua është me rëndësi që filmi të shikohet nga sa më shumë anëtarë, ndërsa për Kosovën është me rëndësi që të jemi prezent çdo vjet”, tregon më tej regjisori.

Ndërsa në përfundimin e bisedës, Rizvanolli flet për planet e tij për të ardhmen.

“Momentalisht jam ende i zënë me festivale pasi që filmi është ende i ri dhe duhet të udhëtojë, mirëpo njëkohësisht jam duke u marrë me projektin e ardhshëm filmik me të cilin shpresoj të aplikoj së shpejti pranë fondeve të ndryshme të filmit”, përfundoi Edon Rizvanolli për Telegrafin.

“T’padashtun” ka ngjallur menjëherë interesim te publiku shqiptar, të cilët shpresojnë në suksesin e këtij e filmi, dhe prekjen e Kosovës për here të dytë të mbrëmjen më të madhe të ndarjes së çmimeve “Oscars”.