Lacrimosa e Mozartit ta çon shpirtin peshë

Kultura September 18, 2017 - 08:27

Aktoren Xhejlane Tërbunja mund ta njihni më mirë nëse lexoni sot në “Zëri” për krijimet muzikore që ajo i veçon. Duke shkruar për rubrikën javore “Rrëfej përmes muzikës” Tërbunja na tregon se çfarë mendon për muzikën klasike, cilën këngë e këndon nën zë, cila këngë e bën të vallëzojë e cilët muzikantë i vlerëson jashtëzakonisht shumë. Nga Vavaldi e Mozarti deri tek Pink Floyd e Tom Waits.

Katër stinët – Vivaldi

Një natë po udhëtonim me shoqëri në një rrugë të gjatë edhe po dëgjonim gjithfarë muzike gjatë gjithë rrugës. Po flisnim e po qeshnim e po vallëzonim dhe po këndonim vetë. Në ndërkohë “Four Seasons”, nga Vivaldi, na heshti të gjithëve. Dhe mund të them se për 20 minuta nuk ka folur askush nga ne. Thashë: “Nuk e di a ka diçka më hyjnore se sa muzika klasike. Tinguj ma të pastër, që të depërtojnë në çdo qelizë e të mbushin me jetë, ndaj besoj është e pamundur të mos ketë të njëjtin efekt tek të gjithë njerëzit”. Sido që të jetë, mendoj që muzika në përgjithësi është e nevojshme për njeriun dhe ata që e krijojnë atë janë për t’u admiruar e falënderuar çdo ditë.

Unë ty moj të kam dashtë – Tefta Tashko

Është një prej këngëve që më ka mbetur në vesh si fëmijë edhe një prej këngëve më të bukura shqipe për mua. Zakonisht kur jam duke u kthyer natën prej qytetit, me shoqëri, nisi ta këndoj këtë këngë, krejt pa vetëdije. Është e veçantë dhe shumë e bukur.

Both Sides Now – Joni Mitchell

Kjo këngë është si meditim disi. Nuk e dëgjoj shpesh, por shumë shpesh e  gjej veten duke e murmuritur.  Është një tekst shumë i bukur edhe besoj në atë që çdo gjë i ka dy anë, do me thënë në fillim të duket gjithçka e bukur e thjeshtë, si jeta, dashuria… mandej fillon të komplikohet ngadalë gjithçka.

Për shembull, kënga fillon prej këndvështrimit të një fëmije në mënyrë të natyrshme me entuziazëm, optimizëm, e duke u rritur mësojmë se jeta nuk është aq e thjeshtë, e as aq e ëmbël, por më e vështirë edhe e vrazhdët.

Turiya and Ramakrishna - Alice Coltrane

Mua më pëlqen jashtëzakonisht muzika xhaz dhe dëgjoj gjithçka, prej atyre klasikëve deri te modifikimet e ndryshme moderne që bëhen.

Edhe Alice edhe burri i saj John Coltrane janë në playlisten timi në telefon dhe kur dal të eci nëpër shi, që kam shumë qejf, e dëgjoj shpesh.

Je t’aime moi non plus - Serge Gainbourg & Jane Birkin

Kjo është një këngë shumë e bukur, shumë sensuale, plotë dashuri edhe e kënduar në mënyrë unike.  Kur e kam dëgjuar për herën e parë kam qenë në shkollën e mesme edhe jo që kam kuptuar se çka po thuhet, sepse nuk kuptoj frëngjisht, mirëpo ka arritur të transmetojë shumë emocion, mandej kam dashur ta përkthej edhe sigurisht që e kam gjetur mënyrën ta kuptoj edhe çka përmban teksti, se nuk bën kurrsesi pa e ditur! Hahaha! Qysh atëherë e sot, ende e dua njësoj këtë këngë, por edhe shumë këngë të tjera të këtij këngëtarit francez që është unik edhe që e ka trashëguar në fakt edhe vajza e tij aktore edhe këngëtare Charlotte Gainsbourg, që unë e pëlqej shumë.

The Lively Ones – Surf Rider

Këtë këngë e kam dëgjuar për herë të parë tek filmi “Pulp Fiction” i Tarantinos dhe jam e dashuruar përjetë. Nuk e kam idenë për asnjë këngë tjetër të këtij grupi, as që kam hulumtuar ndonjëherë. Mirëpo kjo më pëlqen shumë edhe më bën të vallëzojë gjithmonë edhe nuk më bëhet bajat kurrë.

I Got A Woman – Ray Charles

E dua shumë muzikën e Ray Charles edhe më bën shumë përshtypje qysh ai ka krijuar muzikë. Do me thënë prej këngëve kishtare është inspiruar edhe madje i ka shndërruar ato këngë në këto hite që i njeh krejt bota. Plus qe ka pasur guximin të bëjë diçka të tillë. Mua më pëlqen fryma e tij edhe energjia që e transmeton. Kjo këngë thjesht më jep shumë energji. Më bën të vallëzoj.

Hey You – Pink Floyd

Një këngë e cila në parim është politike dhe e din të gjithë se për çka e si flet, mirëpo në thellësi e ndjen që është përtej asaj. Njerëzit ndihen të vetmuar edhe të izoluar shpesh brenda mureve të veta. Ndihen sikur nuk i kupton askush, sikur askush tjetër nuk ndjen atë që e ndjen ai. Edhe pse disa njerëz vetë i krijojnë muret e mandej kërkojnë ndihmë për të dalë. Edhe kjo këngë për mua flet për të gjithë ata njerëz që ndonjëherë dëshprimisht e kërkojnë edhe dikë tjetër t’i bashkëndjejë.

I Hope I Don’t Fall In Love With You – Tom Waits 

Më pëlqen muzika e Tom Waits, më pëlqen edhe karakteri i tij. Kjo këngë e tregon frikën e njeriut për dashurinë. Nuk ka ndjenjë më të bukur se sa të dashurohesh, por frika vjen si pasojë e zhgënjimeve e dëshpërimeve që ju ndodhin njerëzve në dashuri të ndryshme. Ama ata që guxojnë, ata nuk e kanë problem as dështimin e as zhgënjimet. Becket e thotë: “Ke provuar. Ke dështuar. S’ka rëndësi. Provo përsëri. Dështo përsëri. Dështo më së miri”.  Kënga nis me “Shpresoj që nuk bie në dashuri me ty” edhe përfundon me “Po mendoj që veçse jam dashuruar në ty”. E  dua, shumë e dua!

 

 

 

 

No Volvere – Chavela Vargas

 

Në përgjithësi dëgjoj shumë edhe muzikë latine. Ata njerëz kanë shumë shpirt.

Ka shumë këngëtarë nëpër botë që kanë zë, ngjyrë të veçantë e gjithë të mirat mirëpo jo edhe shpirtin, që t’ia jap mandej ngjyrimet e ta bëjë ylber.

Unë për vete nuk kam zë, ama besoj që kisha ditur të këndojë (çfarë vetbesimi a po!? Hahaha) Përndryshe aktorët shumë më bukur këndojnë se shumë këngetarë të vërtetë. Pikërisht për këtë arsyen se din ta përdorin fjalën dhe ta harmonizojnë mandej me muzikë e të dal perlë një këngë shumë e  thjesht ndoshta.

 

Requiem Lacrimosa – Mozart

 

Nëse ka diçka që mundet me e çu peshë shpirtin unë mendoj që është  Lacrimosa. Sigurisht që ka vepra madhështore të tjera e që ekspertet e kësaj fushe i din më mirë. Unë edhe nuk kam arrit t’i dëgjojë shumicën ndoshta por emocioni qe ma jep Lacrimosa është i pa përshkruar. Zatën muzika është e vështirë rë tregohet me fjalë. Shumë e fuqishme, me një vagon emocionesh, thjesht magjike.