Në Shkodër vjen Tartufi shqiptar i Bekteshit

Kultura September 13, 2017 - 08:41

Regjisori tashmë i njohur nga Shkupi i Maqedonisë, Kushtrim Bekteshi, me premierën e tij në teatrin "Migjeni" të Shkodrës, do ta sprovojë veten edhe në këtë skenë, ndërsa është sprovuar me shumë sukses nëpër shumë qendra të hapësirave shqiptare. Vepra shume e njohur e Molierit, komedia “Tartufi”, vjen këtë javë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Kryevepra botërore do të shfaqet në datat 15, 16 dhe 17 shtator, nga ora 19.00.

Besohet se ky projekt teatror do te tërheqë vëmendjen e artdashësit shkodran e me gjerë. Ka shumë arsye, por një është kryesore: aktorë shkodranë do të interpretojnë në role tashmë të njohura si Rita Gjeka, Jozef Shiroka, Enver Hyseni, Sara Smaja, Simon Shkreli, Merita Smaja, Kristiana Dodaj, Nikolin Ferketa, por edhe Besfort Berberi e Krist Lleshi, Pjerin Vlashi, të cilët do të sjellin në skenë një “Tartuf” shqiptar. Kostumet që janë shumë të rëndësishme në këtë shfaqje, bashkë me skenografinë, i janë besuar eksperiencës së kostumografes Samka Ferri dhe regjisorit Kushtrim Bekteshi.

Sa për të hyrë pak në atmosferën e kësaj kryevepre, po rrëfejmë fabulën.

Në shtëpinë e Orgonit gjithçka ka filluar të ndryshojë pas ardhjes së Tartufit, i cili, i maskuar nën petkun e një besimtari të devotshëm, ka arritur ta magjeps Orgonin dhe nënën e tij (Zonjën Pernelë). Edhe përkundër përpjekjeve të familjarëve për t’ia ‘hapur sytë’ Orgonit, ai jo vetëm që nuk tundet nga besimi se në shtëpi ka futur një njeri të shenjtë, por përkundrazi vendos ta ndajë vajzën e tij Marianën nga i dashuri i saj Valeri dhe ta martojë me Tartufin; acaron raportet me Dorinën dhe Kleantin – miqtë e tij më besnikë; dëbon djalin Damisin nga shtëpia, duke ia mohuar trashëgiminë dhe në fund vendos që gjithë pasurinë t’ia falë Tartufit. Tartufi, duke mos i mjaftuar vajza e Orgonit dhe trashëgimia e pasurisë, përpiqet ta josh edhe Elmirën – gruan e Orgonit. Elmira, duke e parë se burri i saj është verbuar fare pas mashtruesit Tartuf, vendos t’i përgjigjet joshjeve të Tartufit duke e detyruar Orgonin që gjithë këtë lojë ta ndjek nga një vend i fshehur. Kur Orgoni më në fund bindet se në shtëpi ka futur një hipokrit dhe vendos ta dëbojë nga shtëpia, vonë e kupton se tanimë jeta e tij dhe e familjes së tij është në dorën e Tartufit, i cili është në gjendje të shkatërrojë çdo kënd që mund t’i bëhet pengesë në realizimin e ambicieve të tija të sëmura për para, femra dhe pushtet.

Por përsëri ka një të veçantë që do ta mësoni vetëm në karriget e sallës së teatrit “Migjeni”. Teksti origjinal i komedisë “Tartufi” është shkruar nga Molieri, në vitin 1664, por që ka pësuar adaptime dhe rishkrime te lehta… Mbetet vetëm ta shijoni në datat 15, 16 dhe 17 shtator ne Teatrin “Migjeni”, ora 19.00. Argëtimi, por edhe reflektimi janë të garantuar, njofton /ShkodraWeb/