Nga seria e shkrimeve 'Fragmente të padobishme'

Kultura September 12, 2017 - 09:10

Jam në trenin e linjës Berlin-Leipzig. Në Leipzig do të jem pjesë e panairit të librit në kuadër të programit për letërsinë e Evropës Juglindore. Pastaj kam një lexim publik në Mama Bar, në Berlin.

Më duket sikur jam bërë shkrimtar i madh. Në të vërtet nuk jam. Po do të doja të jetoja në Berlin dhe të mos kthehesha në vendin tim kurrë.

Ose vetëm ndonjëherë gjatë kohës së çeljes së luleve. E kam për shkak të erës që lëshojnë dhe zhdukjes së pisllëkut njerëzor. Por diçka që nuk bëhet.

Vendet e vogla gjithmonë shfaqen si përbindësh të pamëshirshëm kur është në pyetje koncepti i atdheut. Sa më i vogël të jetë atdheu, aq më shumë ke borxh ndaj tij.

Sa më i vogël të jetë atdheu aq më shumë të futen këmbët në baltën e tij të gjallë, që të merr me vete. Sa më i vogël të jetë atdheu, aq më shumë detyrime ke ndaj tij. Sa më i vogël të jetë atdheu, aq më shumë do të qihet nëna. Por e vërteta është se kam filluar të mos i përkasë asnjë vendi. Më në fund ndjehem natyrshëm i të gjithë nacionaliteteve.

Dhe i të gjitha nënave. Dhe i të gjithë baballarëve. Kudo në botë. Megjithatë kam bindjen se do të jetoj i qetë dikund në ndonjë qoshe të një qyteti që ka dhënë shumë për letërsinë.

E them pa mendjemadhësi. Pse nuk e meritoj unë? Pse çfarë dreqin kam? Qofsha edhe dobësi letrare. Që ta them hapur. Duket se e gjithë jeta ime më shfaqet në sekuenca të shkurtra në ekranin e pavetëdijes. Diku e kam parë duke qenë në majat e një briri të një demi metaforik. Por qija nënën jetës, realiteti është diçka tjetër dhe nuk ka të prekshme asgjë përveç tij. E kush dëgjon teket e mia? Pashë zotin. Punë e madhe se dua të jetoj në Berlin. Punë e madhe pse zhgënjehem.

Punë e madhe pse nuk po arrij ta bëj botën të më dojë. Sepse po ta marrim hollë edhe letërsia në fund të fundit, del të jetë e padobishme. Mbase pasionante, por nuk është në rregull të kërkosh lavdi për shkak të pasionit tënd. Kjo do të ishte egoiste. E pandershme dhe e papranueshme. Bota nuk ecën sipas rregullit të pasionit. Ajo ecën sipas rregullit të racionalitetit.

Dhe pasionantët janë huta të ngordhur, në fushën e pambuktë të arsyes. Sidoqoftë për hir të së drejtës, kësaj radhe të mos humbasim në gropkat e domethënieve bajate. Jemi në tren dhe Blerta po heq këpucët që ta lë të qarkullojë gjaku në këmbët e saj, ndërkohë fërkon barkun. I them se do të ishte mirë t’i hiqja edhe unë, por ama ajo ka frikë se njeriu pas nesh që lexon një fletushkë duke qëruar një banane, do të vdiste nga kundërmimi i këmbëve të mia.

Ta hajë dreqi gjatë tërë jetës sonë kemi nevojë për një farmaci të hapur përgjatë njëzet e katër orëve. Blerta lexon për psikologjinë e popujve dhe të turmave. Treni ndalet në një vend që duhet Beilrode dhe pastaj ecën në diçka që rrotullohet. Askujt nuk i zihet besë. As vetes. Pikë. Çka karin më shtynë të ju dërdëllisë për gjëra të kota? E ta marr kohën e juaj të numërueshme. E gjithë letërsia është marri teorike. Dhe unë gjithmonë kam qenë dështak. Hidheni këtë libër të mallkuar në koshin e plehrave sa më parë. Për të tjerat le të kujdesen pastruesit e rrugëve dhe mbretërit e kotësisë.