Roman për vetën dhe për historinë që përsëritet

Kultura September 12, 2017 - 09:09

Romani „Jeniçeri i fundit“ pikën nistore narrative e ka në ngjarjen e njohur të fundiviteve te tridhjeta të shekullit XIX-të, kohën kur jo vetëm se bëhet shthurja e formacionit të jeniçerëve, por edhe zhdukja fizike e elementeve të fundit, të cilave i takon edhe personazhi i romanit. Nëse përjashtohet përkufizimi tjetër i romanit që vjen nga titulli i dytë, „Libër për vetveten“, romanin edhe kohë edhe si narracion e vë në një bazë alegorike, atëherë segmenti kronologjik i rrëfimit shtrihet brenda një periudhe të shkurtër, faza e fundit jetësore e jeniçerit që kthehet në vendlindje në moshën e thyer, duke u transformuar nga një ushtarak në një mendimtar.

Tjetër gjë është se autori bën digresione në rrëfim, përdor mekanizma të shumtë që shërbejnë si katalizatorë narrativë, herë duke e vënë në perspektiva të ndryshme narrative, ku më shumë mbizotëron rrëfimi nga perspektiva e sinkronicitetit, domethënë bartje lienare e veprimit në kohën aktuale, por që përshkohet më shumicë nga introspekcioni, retrospekcioni dhe aspektet dhe trajtat e tjera kohore të narracionit.

I gjithë romani rrëfehet nga e ashtuquajtura „ich-form“ kajzeriane, që domethënë një rrëfim në vetën e parë, e cila i mundëson personazhit-narrator të rrëfejë për aktualitetin e kohës kur zhvillohet ngjarja, për shthurjen e rendit të jeniçerëve dhe për vazhdimin e krizës, së pari me plojën e madhe që bëhet ndaj përfaqësuesve të formacioneve të fundit, për të vazhduar me procesin e dekompozimit të perandorisë otomane, të shkaktuar nga një krizë që nxitet nga fuqitë e mëdha sa edhe nga paaftësia e një sajese të vjetruar perandorake, e cila e kishte mbaruar misionin e vet në historinë e botës.

Personazhi narrator kthehet në vendlindje, në një teqe të rrethinës së Gjakovës, ku duhet të merret me riorganizimin e strukturës administrative të rendit të bektashinjve. Kështu që rendi i ri, ai i proviniencës shpirtërore, që i zë vendin atij ushtarako-administrativ, është ambienti i ri brenda të cilave krijohen raporte të reja dhe zbërthehen raportet e vjetruara, duke gjetur analogjitë dhe diferencat, analogjitë në planin e ideve dhe të mendësisë, që i ka karakterizuar edhe formacionin e jeniçerëve, dhe diferencat në mjetet e ekzekutimit të ideve.

Nga personazhi narrator mësojmë ndikimin e politikës edhe në botën shpirtërore, në gjithë strukturën organizative të jetës së teqesë dhe në nivelet e ndryshme të këtij organizimi. Prandaj, analogjikisht me situatën e sotme, të cilën e jetojmë, si një situatë e një gjendjeje të ndërmjetme apo, si jemi mësuar ta quajmë tranzicion, edhe rendi i jeniçerëve i nënshtroihet një gjendjeje të tillë, ku konfuziteti prodhon situata të paparashikuara aq që sa më shumë zhvillohet narracioni aq më shumë diferencohen karakteret dhe shtresëzimet e ndikimeve politike dhe procesi i militarizimit të ndërgjegjes: profilet e karaktereve që kanë kuotimin e një vazhdimësie të një kontinuiteti të dijes dhe të një morali suprem.

Brenda këtij konstelacioni raportesh duhet vështruar personazhet: (krye) personazhi-narrator, Sheh Bani, Baba Qazimi, kryepersonazhi referencial Baba Bektashi, etj., në një anë, dhe përfaqësuesit e formacionit të ri: Sadri Çaushi, Sheh Nura, Sheh Hima, etj, që përfaqësojnë formacionin e ndërgjegjes së politizuar dhe të instrumentalizuar politikisht.

Rrëfimi romanor i „Jeniçerit të fundit“ dallon për një rrëfim paralel apo binar: në njërën anë është kredhja, shtegtimi i personazhit narrator nëpër ndërgjegjen e tij, nëpër domenet e njohjes dhe të empirisë që e ka fituar në jetë. Kur bredh nëpër ndërgjegjen e vet zakonisht ato janë nëpër kujtimet e fëmijërisë dhe ky shtegtim dallon për një identifikim të shenjave të mbetura nga kujtimet e hershme, ku shfaqen pamje të ndryshme, imazhe që lidhen me situata të fuqishme, gjendje që mbase një studiues të kritikës tematike të tipit te Zhan Pol Veberit, do të cilësonte si një „motiv obsesiv“ në përsëritje.

Zakonisht këto janë shenja të ambientit, por edhe shenja të kujtesës, domethënë të brendshme, shenja të komunkimit, çfarë është gjuha si fenomen.

Kthimi në këto gjendje e bën personazhin narrator që të kridhet në një refleksion, në një preokupim obsesiv, si ndodh obsesionimi me gjuhën, që duke u kredhur sa më thellë në këtë fenomen, aq më shumë zbret tek thelbi i saj, duke e shndërruar këtë refleksion në një lloj filozofie të gjuhës. Kështu autori i kthehet shenjave të para të perceptuara në fëmijëri dhe kuptimeve të tyre, duke kërkuar atë agjensin e brendshëm që shpjegon pse janë ato të tilla. Shenja të kësaj burimësie janë: guri, gjarpri,shtëpia, ëma, vëllai etj. duke veçuar ndër to edhe shenjat e tjera primordiale, indiciet e para të kuoptimit në shenjë. Duke hulumtuar ndër këto sedimente të gjuhës autori shkon në lashtësi, në historinë e gjuhës, në aktin e saj të lindjes dhe duke ndjekur indiciet e kuptimeve të para ai ndjek edhe krijimin e rethit të simboleve.

Romani „Jeniçeri i fundit“ dallon edhe për morfologjinë narrative, domethënë për trajtat e rrëfimit dhe funksionin e tyre brenda rrëfimit integral. Fabulimi romanit zhvillohet në një, do të thoshim, eneterier të minimalizuar, që domethënë se aksoni romanor është i rudimentuar deri në maksimum. Pjesa më ë madhe e dramës, që ndodh në roman është drama e brendshme e personazhit-narrator, drama e ndërgjegjes.

Dilemat e tij morale shoqërohen me përpjekjet për ta aktivizuar një mbetje sado të vogël të dijeve të lashta, të besimeve të vjetra, të historisë dhe të identitetit të lashtë etnik që ka kaluar në procese të ndryshme, duke qenë njëkohësisht një identitet etnik komplementar, ngase nga çdo kohë merr nga diçka dhe jep nga vetja shumëçka. Prandaj personazhi kridhet në evokacionin e fëmijërisë, ku kërkon identitetin vetiak, por me shumë se gjithë kjo, refuzimi i një rendi të ri mendor, emocional, moral, refuzim ky i një gjendjeje të krizës, që tashmë është permanencë e sjelljes kolektive, përbën atë boshtin fabular të romanit.

Pra në pah del një rrëfim sinkretik, i gërshetuar, ku bashkëdyzohen pikëpamje të ndryshme, por që bazamenti është ai i vjetri, një rrëfim që herë bëhet i drejtpërdrejtë e herë kalon në rrafshin simbolizues, sa nga ajo simbolikë që me të parën bien në sy, gërshetimi i reales me irealen, domethënë shkëputja e simboleve nga një realitet konkret empirik dhe gjuhësor. Nuk ka ndryshe se si të kuptohen simbolet e tipit: Kështjella e Pasqyrave, e Territ, e Rrethit, e Hijes etj. Në këtë roman, që është një reflkeksion në sinkronicitet, në rrjedhë dhe në ngutje për ta kapur kohën vijuese, autori ka arritur të shkrijë një dije kolosale të fushave të ndryshme, që nga filozofia e historisë, filozofia e gjuhës, teosofia, kosmogonia, paleolinguistika, por edhe nga dijet e lashta , gjurmët rudimentare e të cilave kanë mbetur që nga „Opus hermetica“ të Hermes Trismegistit.