Politikanët e vrasin kulturën

Kultura September 11, 2017 - 08:54

"Politikanët e vrasin kulturën sepse e përçmojnë kulturën, por edhe sepse ia kanë frikën". Një libër për “vrasësit e kulturës” për t’u përkthyer edhe në shqip: Në librin po përkthehet tanimë në disa gjuhë, “Dobia e të padobishmes. Manifest. Me një ese nga Abraham Flexner” (2013), profesori dhe filozofi kalabrez Nuccio Ordine, i njohur deri më parë si specialist i Giordano Bruno-s, ka mbledhur duke i thirrur në ndihmë mendimtarët e mëdhenj të të gjitha epokave për t’u ngritur kundër shkatërrimit të kulturës.

Nga parathënia e tij: “Dija përbën në vetvete një pengesë kundër delirit të të plotfuqishmërisë së parasë dhe të utilitarizmit. Gjithçka mund të blihet, afërmendsh. Që nga parlamentarët deri te gjyqtarët, që nga pushteti deri te suksesi: çdo gjë ka një çmim. Por jo dija: çmimi që duhet paguar për të ditur është i një lloji krejt të veçantë. As edhe një çek i bardhë nuk të mundëson të fitosh mekanikisht atë që mund vetëm të jetë fryti i një përpjekjeje individuale dhe i një pasioni të pashtershëm. Në fund të fundit, pa motivime të mëdha të brendshme, as titulli më prestigjioz i fituar me të holla nuk të sjell asnjë dije të vërtetë dhe nuk të shkakton asnjë metamorfozë të vërtetë të shpirtit”, transmeton zeri.info.

* * *

“Por ka edhe diçka më shumë. Vetëm dija mund t’i sfidojë një herë e mirë ligjet e tregut. Unë mund t’i ndaj bashkërisht me të tjerët dijet e mia pa u varfëruar për vete. Mund t’i mësoj një nxënësi a një studenti teorinë e relativitetit ose të lexoj tok me të ndonjë faqe të Montaigne-it duke i dhënë jetë mrekullisë së një procesi virtuoz gjatë të cilit pasurohen edhe ai që jep, edhe ai që merr”.

* * *

“Nëse e lëmë të vdesë “produktin falas”, d.m.th. kulturën, nëse heqim dorë nga fuqia gjeneruese e ‘të padobishmes’, nëse dëgjojmë vetëm këngën zindjellëse të sirenave që na joshin të ndjekim përfitimin, atëherë do të jemi të aftë vetëm të prodhojmë një kolektivitet të sëmurë dhe të pakujtesë që, i rravguar, do ta humbë më në fund kuptimin e vetvetes dhe të jetës. Dhe, në atë moment, kur shkretëtirëzimi i shpirtit do të na ketë tharë krejt, do të jetë përnjëmend e vështirë të përfytyrojmë që një ‘homo sapiens’ injorant të mund të lozë ende ndonjë rol në detyrën për ta bërë më njerëzor njerëzimin”.

Nga: Nuccio Ordine, La utilidad de lo inútil. Manifesto. Con un ensayo de Abraham Flexner, ed. Acantillado 2013.