Për ditëlindjen e Agollit botohet një libër i tij

Kultura September 08, 2017 - 08:35

Në shkurt të këtij viti, shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Dritëro Agolli, u nda nga jeta, por ai do të vazhdojë të mbetet afër lexuesve të tij. Këtë tetor, kur edhe shkrimtari do të festonte ditëlindjen, do të botohet një libër i ri i tij.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale e bija e shkrimtarit, Elona Agolli.

Bëhet fjalë për një libër me aforizma nga Dritëro Agolli. Elona ka njoftuar se libri është drejt përfundimit të përgatitjes për botim, sipas saj, të një vepre të rrallë, tepër të veçantë e shumë të pëlqyer si zhanër nga lexuesit besnikë të librit dhe shkrimtarit të zemrës,  me titull “Aforizma nga Dritëro Agolli”. “Tetori i datëlindjes së Dritëroit vjen i begatë …”, shkruan ajo.

Rikujtojmë së shkrimtari Dritëro Agolli vdiq më 3 shkurt në moshën 86 vjeçare, pas mjekimeve të vazhdueshme nga sëmundjet e mushkërive.

Agolli është një nga krijuesit më me ndikim në letërsinë dhe kulturën shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore, me mbi 5 dekada krijimtari dhe një seri të gjatë botimesh me lirika, proza e drama.

Ai ishte për shumë vite kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve gjatë regjimit komunist, gazetar i shtypit të asaj kohe, dhe deputet për afro 3 dekada në dy sistemet politike.

LEXO EDHE: Librashitësit ende në pritje të shtëpive të tyre

Agolli është i njohur për lirikat e dashurisë njerëzore dhe atdhetare, kushtuar njeriut dhe vendlindjes. Ndër romanet e tij më të spikatura, mes shumë prozave të tjera, janë “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Trëndafili në gotë”.

Krijimtaria e tij është botuar e ribotuar shpesh në Shqipëri, Kosovë dhe shtete të tjera nga vitet 60 e deri sot. Shumë vepra të tij janë luajtur në skena të dramës dhe në filma artistikë.

Vepra me e rëndësishme idealizuese dhe njëherësh me e angazhuar e tij është poema “Nena Shqipëri”. Gjate gjithë rrugës së vet krijuese më se gjysmëshekullore, Dritëro Agolli është poeti i dhimbjes njerëzore dhe i filozofisë jetësore.

I vëmendshëm ndaj dramave të mëdha të popullit, ai u bë njëherësh poeti i dhimbjes vetjake te njeriut. Dritëro Agolli njohu një ringjallje poetike në dy dekadat e fundme.

Me vëllimet poetike “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Fletorkat e mesnatës” autori shpall sfidën e tij të re të mjeshtërisë.

Dritëro Agolli krijoi pa u ndalur poezi e prozë gjithë jetën e tij qysh nga adoleshenca e viteve 50 dhe deri në muajt e fundit kur sapo botoi edhe vëllimin e fundit me lirika “Prit edhe pak”, 2016. /ZËRI/