Iku studiuesi i Kosovës Mesjetare

Kultura September 07, 2017 - 09:02

Kalorës i medievalistikës shqiptare, që pa kontributin e tij shkencor arbrit do të ishin përjashtuar nga Kosova Mesjetare!

Lindi në fshatin Lismir të Fushë Kosovës, më 25 maj 1947. Mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Prishtinë. Fakultetin Filozofik, Dega e historisë e mbaroi në Prishtinë, ndërkaq studimet pasuniversitare dhe të doktoratës në Zarë të Kroacisë, ku nën drejtimin Prof. dr. Stjepan Antoljak mbron me sukses të shkëlqyeshëm tezën e megjistraturës:

“Diplomat cirilike të rëndësishme për historinë Mesjetare të Kosovës” (1974), si dhe tezën e doktoratës me titull: “Stanovništvo Kosova XIV-XVI” (”Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI”, 1977). Këto vjelje rezultatesh erdhën pas një përpjekjeje të madhe të bërë kryesisht nëpër arkivat e bibliotekat e Parisit, Sorbonës, Beogradit, Shkupit, Tiranës, Zarës, Dubrovnikut, e ndonjë tjetër. Prof. dr. Tërnava arriti të behej një ndër studiuesit më seriozë të mesjetës me objekt studimi popullsinë e Kosovës. Gjatë aktivitetit të tij shkencor ka bashkëpunuar me revista shkencore të vendit dhe të huaja.

Ka marrë pjesë në konsultime shkencore, tryeza, simpoziume, kongrese shkencore të vendit dhe të huaja, etj. Dr. Muhamet Tërnava është autor i një sërë monografive, punimeve shkencore e artikujve nga historia mesjetare. Studimet: “Shqiptarët në feudin e Deçanit” (Prishtinë: Buletin i Fakultetit Fiolozofik, 1974); “Migrimet e popullsisë në territorin e sotëm të Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI” (1978); Shqiptarët në qytetet e Kosovës në shekujt XV-XVI (Tiranë: Studime Historike No. 2 1979); “Përhapja e islamizmit në territorin e sotëm të Kosovës deri në fund të shekullit të XVII (Prishtinë: Gjurmime Albanalogjike, Seria e Shkencave Historike, IX, 1979); “Kontribut i çështjes së pranisë dhe të asimilimit të vllehëve në Kosovë në shekujt XIV-XIV” (Prishtinë: Gjurmime albanologjike, seria e shkencave historike. - Nr. 10/1980, 1981); “Prizreni gjatë gjysmës së dytë të shek. XVI” (Prishtinë: Kërkime historike, ASHAK, 1980/81); “The Population of Kosova during the XIV - XVI Centuries” (“The Voice of Truth”, V, 15 No. 1, qershor, 2002); “Bellasica gjatë shekullit XVI” (Prishtinë: Gjurmime albanologjike: seria e shkencave historike. - Nr. 35, 2005); ”Vakëfet në Kosovë gjatë shekujve XV-XVI” (Prishtinë: 2006), e ndonjë tjetër. 

Kontribut të çmueshëm për demografinë historike të Kosovës paraqet teza e tij e disertacionit në kroatishte. I njëjti është botuar në shqip me titull: “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI” (Prishtinë: Instituti Albanologjik, 1995). Veç kësaj, duhet përmendur edhe përmbledhjen e studimeve me titull: ”Studime për Mesjetën” (Pejë: “Fryma”, volume 37, Dukagjini), si dhe monografinë tjetër “Kaçaniku me rrethinë deri në Luftën e Dytë Botërore” (1995). Gjithashtu janë të njohura edhe studime dhe punime të tija shkencore e profesionale, si: “Diskurs i shkurtër nga toponimia, betejat e Kosovës gjatë shekujve XIV-XV dhe vendosja e atëhershme e pushtetit turk në Dardani-Kosovën e shek. XV”; “Arbneshi i Zarës në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX”, si dhe ndonjë tjetër.

Kolegët e afërt të tij medievalistë dijnë se veprat më monumentale të Prof. dr. Muhamet Tërnavës, pikërisht janë ato, të cilat për shkaqe të politikës së ditës nuk e panë dritën asnjëherë. 

Muhamet Tërnava pothuajse pjesën më të madhe të veprimtarisë e ka shtrirë edhe në fushën e arsimimit dhe edukimit të brezave studentore, ndërsa për kohë të shkurtër 1971/72 punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Së këtejmi, në vitet 1972 – 1981 ka punuar si asistent dhe profesor në Degën e Historisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Në vitet 1981/95, pas burgosjes dhe mbajtjes së dënimit (Prishtinë dhe Gurakoc), i gjithë aktiviteti tij ka pushuar deri në vitin 1995. Gjatë viteve në fjalë, nën trysninë e shtetit ka pushuar çdo aktivitetit i tij, qoftë shkencor, ashtu dhe në mësimdhënie universitare. Viti 1995 shënon kthesën e tij në Universitetin e Prishtinë, që vepronte në masa të dhunës nga pushteti i instaluar milosheviqian. Po atë vit botohet edhe disertacioni tij nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.