'Ofshama' e Prelvukajt në GKK

Kultura September 07, 2017 - 09:00

Mbrëmjen e së martës, shumë dashamirë të artit u mblodhën në Galerinë Kombëtare të Kosovës për të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës personale të artistes e piktores Zake Prelvukaj.

Kjo e fundit po prezanton në GKK ekspozitën “Ofshama”.  Kjo ekspozitë përfshinë rreth 35 punime të mediumeve të ndryshme.

Duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen, artistja Prelvukaj, që tashmë numëron shumë vite karrierë, tha para të pranishmëve se rruga e arti ishte rruga më e rëndësishme që zgjodhi në jetën e saj.

“Mora një rrugë që nuk e dija se ku të qet e ku do të shkoj, mirëpo ajo rrugë ishte më i rëndësishmi vendim në jetën time, në atelienë në të cilën u rrita, studiova, krijova. Këto rrugë nuk duhet t’i shikojmë si të vështira, se njerëzit thonë që ndoshta nuk të shpërblehet puna, por unë ju them se puna shpërblehet dhe kjo puna ime është puna juaj, puna juaj është puna ime”, u shpreh ajo.

E pyetur nga gazeta “Zëri” se pse kjo ekspozitë titullohet “Ofshamë”, Zakja shpjegon se si sipas saj jeta e çdo njeriu është ofshamë.

“Ofshama nuk është vetëm për diçka të keqe. Ofshama është edhe për të mirë. Ofshama është revoltë. Ofshama është kënaqësi. Ofshama lidhet edhe me vdekjen. Njeriu ofshanë edhe kur shkon në botën tjetër. Ne kemi pasur ofshama edhe prej rreziqeve të ndryshme. Është jeta e njeriut, krejt jeta është ofshamë”, thotë ajo.

Edhe ministrja në detyrë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në fjalën e saj të rastit në hapjen e kësaj ekspozite tha se titulli “Ofshamë” e tregon edhe rrugëtimin e popullit tonë.

“Vetë kjo ekspozitë me titullin ‘Ofshamë’ e tregon një rrugëtim të popullit tonë dhe këtë më së miri e shpreh Zakja”, tha Dumoshi duke shtuar se e vlerëson lart punën e piktores Prelvukaj, të cilën e ka edhe mike.

Në katalogun e kësaj ekspozite kritiku Shkelzen Maliqi shkruan se nga artisti nuk mund të pritet që ai, si qenie sociale dhe politike që është, të shkëputet plotësisht nga jeta dhe zotimet sociale.

“Artet bashkëkohore lirinë dhe kuptimin e kërkojnë para së gjithash te vetvetja e jo nënshtrimet e detyrimeve sociale, politike, religjioze… edhe në raste kur këto detyrime duken plotësisht të arsyeshme, ose për më shumë, si vlera sublimë, imponuese, të shenjta. Nga ana tjetër, kuptohet se nga artisti nuk mund të pritet që ai, si qenie sociale dhe politike që është, të shkëputet plotësisht nga jeta dhe zotimet sociale, të cilat në kohërat e krizave dhe të mbijetesës bëhen pothuajse të pashmangshme”, thotë Maliqi.

Ai konsideron se Prelvukaj është dhe ka qenë një artiste që artin e saj e gërsheton me revoltë.

“Në një bashkëbisedim me sinqeritetin më të madh ajo më kishte thënë: ‘Në vitet 90-ta, kur unë seriozisht pata filluar të merresha me art, krijimtaria ime motivohej jo vetëm nga dëshira dhe dashuria për artin, por edhe nga revolta’”, kujton Maliqi.

Kjo ekspozitë që përmban piktura, vizatime e video është një përmbledhje e opusit krijues të Zakës ndër vite. Ajo ka zgjedhur punime që e prezantojnë atë në periudha të ndryshme të jetës.

Në “Ofshamë” ka trupa grash të dhunuara, të revoltuara. Ka thirrje si “Pa Mitrovicën nuk ka Kosovë”, “Mos e prek”, “Shpija e zane”, “Stop Manifestimeve pa çlirimin e Mitrovicës”, e të tjera.

Duke folur për faktin se po vjen për herë të parë më një ekspozitë personale ne Galerinë Kombëtare të Kosovës, Zake Prelvukaj thekson se ajo ka pasur shumë aktivitete të tjera, ku ka prezantuar punën e saj dhe se thjesht duket që tash i erdhi koha edhe GKK-së.

“Unë kam pasur ekspozita personale, por jo në Galerinë e Arteve të Kosovës. Kjo është hera e parë që prezantohem këtu. Ndoshta jo pse nuk kam pasur mundësi, por mund të them se tash i ka ardhur koha. Edhe opinioni është njohur me artin tim përmes aktiviteteve të tjera”, thotë ajo, duke shtuar se për vitet e fundit vlerëson lartë punën e GKK-së si institucion.

Ekspozita “Ofshamë” do të qëndrojë e hapur për publikun e Galerisë Kombëtare të Kosovës  një muaj.