'Muhamed Ali' drejt Zvicrës

Kultura September 06, 2017 - 09:05

Shfaqja “Muhamed Ali”, e regjisorit Naser Shatrolli së shpejti do të prezantohet edhe para publikut zviceran. Për gazetën “Zëri” regjisori konfirmon se në nëntor kjo shfaqje do të prezantohet në kuadër të një festivali teatror atje.

“Me shfaqjen ‘Muhamed Ali’, do të udhëtojmë në Zvicër, në festivalin teatror në datat 14 dhe 15 nëntor”, tregon ai. Kësaj shfaqjeje i ka ardhur edhe një ftesë për t'u shfaqur në Shqipëri. Bëhet fjalë për një festival të Elbasanit, ku Shatrolli mendon ta dërgojë shfaqjen e tij.

“Kam marrë ftesë edhe nga Festivali Ndërkombëtar Teatror ‘Skampa Festival’ në Elbasan. Pra ne jemi të përzgjedhurit e Kosovës që do të performojmë në këtë gala festival me trupat të tjera që janë të konfirmuara nga USA, Kina dhe Evropa”, bën të ditur ai.

Subjekti i shfaqjes “Muhamed Ali” ndërlidhet me krizën e identitetit të individit – shoqërisë. Muhamedi, që prezantohet nga aktori Ermal Sadiku, nuk ka identitet (ose ka rrënjë të përziera), nuk di nëse është mysliman apo katolik. Nuk e di kush është babai i tij dhe këtë lloj identiteti e kërkon në publik. Por meqë nuk e merr këtë përgjigje, i bie që edhe publiku mbase nuk e di kah duhet rreshtuar: Lindje apo Perëndim. Sipas regjisorit, identitetin e paracaktojnë të fortit. Këtë forcë sa psikologjike po kaq dhe fizike, ky personazh, tenton që ta shpërfaq nga vetvetja për vetveten si motivacion mbrojtës dhe si udhë për të sotmen e tij gjersa akuzon drejtpërdrejt babanë e tij, në këtë rast autorin. Akuzon dhe publikun, meqë ia kanë trajtuar nënën e tij si kukull, ndërsa nëna  e tij është poete. Pra, ata janë përbuzës për poezinë e nënës së Muhamedit, sipas Muhamedit.

Në këtë shfaqje luan aktori Ermal Sadiku. Regjisori Shatrolli në një intervistë për “Zërin” pati thënë se pikërisht zgjedhja e aktorit ishte sfida e tij më e madhe.

“Sfida parësore ishte aktori. Roli i tij në raport me tekstin dhe frymën e kërkesave të dramës, modulit dhe ndjeshmërisë që ky personazh ka në raport me vet përmbajtjen dhe natyrën e interpretimit. Është rrezik nëse aktori nuk i beson këtij formati, meqë është i pa eksploruar, të paktën, unë se kam pa këtë lloj teatri në rajonin ballkanik. Ishte dhe buxheti barrikadë për ne, por ekipi i mirë, puna dhe vetëbesimi njëherësh këmbëngulësia jonë bëri që të kapërcejmë këtë lloj pengese”, pati theksuar ai.

Premiera e shfaqjes “Muhamed Ali” në Teatrin Kombëtar të Kosovës u prit me interesim të madh nga mediat dhe nga publiku. Më pas këtë shfaqje e priti një rrugëtim i suksesshëm. Ajo u reprizua në Teatrin e Qytetit “Dodona” dhe udhëtojë drejt Teatrit Kombëtar të Tiranës e u shfaq edhe në Teatrin “Migjeni“ të Shkodrës e në disa festivale të tjera.